Pas 1 dekade, Shqipëria drejt një reforme të re pensionesh! BB për Report Tv: Skema sfidohet nga rënia e kontribuuesve, plakja e popullsisë e informaliteti! Ja ku duhet ndërhyrë

19 Mars, 15:25| Përditesimi: 19 Mars, 15:49

  • Share

Pas një dekade nga reforma e pensioneve, qeveria po punon me ndërkombëtarët për një skeme të re pensionesh në vend. Rishikimi i saj pritet të prekë thuajse të gjitha elementet e skemës, nga vlera mujore, mënyra e indeksimit të tyre që aktualisht bëhet sa inflacioni i produkteve të shportës si dhe po analizohet qasja e mes pensioneve urbane dhe rurale, apo kompensimi i energjisë apo vjetërsia në punë.

Si një nga institucionet ndërkombëtare që po asiston institucionet vendase në përgatitjen e skemës së re, Banka Botërore thotë se rekomandimet e tyre do jenë tek sfidat demografike dhe politika për të nxitur pagesën e kontributeve.

Në një intervistë ekskluzive për Report TV, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas shprehet se skema e re duhet të jetë e drejtë dhe të ketë qëndrueshmëri.

“Sistemet duhet të vendosin një ekuilibër midis objektivave të rishpërndarjes dhe mbajtjes së nxitjes për të kontribuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të kujdesshme. Duke ecur përpara dhe duke u mbështetur në reformat e 2015-ës, do të jetë e dobishme të fokusohemi në përmirësimin e këtij aspekti të drejtësisë brenda të njëjtit brez dhe midis brezave, dhe ta bëjmë këtë pa përkeqësuar qëndrueshmërinë e sistemit”.- tha Salinas.

Salinas shprehet se reforma e vitit 2015 duhet rishikuar, për disa arsye ku ndër më kryesoret është rënia e numrit të kontribuuesve, plakja e  popullsisë, punësimi informal dhe rritja e emigrimit.

“Tashmë ka kaluar rreth një dekadë nga reforma e fundit dhe ndërkohë Shqipëria është përballur me sfida globale, rajonale dhe specifike të vendit, të cilat kanë pasur implikime në sistemin e pensioneve. Banka Botërore në analizën që po i bën sistemit të pensioneve po vlerëson situatën aktuale dhe një sërë opsione reformash, si dhe kombinimin e tyre, duke marrë parasysh ndikimin në tregun e punës dhe përballueshmërinë. Analiza merr parasysh sfidat e reja demografike dhe social-ekonomike, por edhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria”.- u shpreh Salinas.

Numri relativisht i ulët i kontribuuesve në krahasim me totalin e të punësuarve që ka vendi, është problem që kërkon zgjidhje që sipas Salinas është i domosdoshëm edukimi i si i punonjësve po ashtu dhe i bizneseve për rëndësinë që kanë sigurimet.

“Edukimi dhe komunikimi mbi pensionet është një fushë tjetër ku duhet fokusuar në mënyrë që individët të mund të vlerësojnë përfitimet e tyre dhe të kuptojnë se këto përfitime do të jenë më të larta sa më shumë vite kontribuojnë dhe sa më i lartë të jetë ky kontribut”.- tha Salinas.

Reforma e pensioneve që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikon rritje graduale e moshës me dy muaj për çdo vit dhe të vjetërsisë në punë. Aktualisht që një grua të dalë në pension këtë vit duhet të jetë 61 vjeç e 8 muaj, dhe të ketë 38 vite pune, po kaq vjetërsi duhet të kenë edhe burrat të cilët moshën e pensionit e mbushin 65 vjeç. Pra, kontributi dhe puna ndër vite, janë kyç për të përfituar dhe për vlerën që do të ketë pensioni.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?