Izraeli miraton planin e marrjes së Gazës nën kontroll.
Pas dhjetë orësh, rreth orës 03:30 të mëngjesit, Këshilli i Sigurisë nën drejtimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i dha dritën jeshile planit të tij.
"IDF do të përgatitet për të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit", ishte njoftimi mbi vendimin.
Nuk ka ende një datë për nisjen e këtij pushtimi dhe as detaje nga operacioni, por dje IDF nisi lajmërimin e banorëve të Gazës veriore që të largoheshin në jug.
"Është e paqartë në këtë kohë," shkruan The Times of Israel, "nëse pushtimi i Qytetit të Gazës është pjesë e një plani më të gjerë për të pushtuar të gjithë enklavën, siç tha Netanyahu për Fox News të enjten se Izraeli synon ta bëjë."
OKB gjithashtu bëri me dije se banorët e Gazës duhet të evakuohen deri më 7 tetor, informuan mediat.
Pas vendimit të Kabinetit të Sigurisë, një zyrtar i lartë izraelit theksoi se:
"Operacioni që IDF do të përgatisë ka të bëjë vetëm me Qytetin e Gazës: qëllimi është evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit në kampet qendrore të refugjatëve dhe zona të tjera deri më 7 tetor 2025 (përvjetori i dytë i masakrës së Hamasit në Izraelin jugor). Do të vendoset një rrethim mbi terroristët e mbetur në zonë dhe ndërkohë, ushtria do të manovrojë brenda qytetit".
Kanali 12 raportoi këtë, duke shtuar se kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Israel Katz ishin të autorizuar të miratonin planin përfundimtar operacional të IDF-së.
"Kabineti Politik dhe i Sigurisë miratoi propozimin e Kryeministrit për mposhtjen e Hamasit. IDF do të përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit. Një shumicë absolute e ministrave të kabinetit ranë dakord që plani alternativ i paraqitur nuk do të çonte as në mposhtjen e Hamasit dhe as në kthimin e pengjeve", njoftoi zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Netanyahu kishte shpjeguar se "nuk ka ndërmend ta aneksojë ose qeverisë" Rripin e Gazës. "Pasi të çlirohet nga Hamasi, ne do t'ia dorëzojmë atë forcave arabe të cilat do ta qeverisin siç duhet". Por IDF është kundër planit, edhe pse do ta zbatojë atë pas vendimit. Mbledhja e djeshme (7 gusht) nuk kaloi pa tensione dhe debate mes Netanyahut dhe ushtrisë.
"Pushtimi i Gazës do ta çojë Izraelin në një vrimë të zezë", kishte paralajmëruar megjithatë shefi i IDF-së, Zamir.
Më vonë ai shprehu kundërshtimin pas mbledhjes së gjatë:
"Nuk ka përgjigje humanitare për një milion njerëz të zhvendosur", tha ai. "Unë propozoj heqjen e kthimit të pengjeve nga lista e objektivave."
Mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër Netanyahut, teksa nuk munguan as arrestimet. Kurse Hamasi premtoi se do qëndronte:
"Ne do të luftojmë këdo që dëshiron të sundojë Gazën. Plani i Netanyahut tregon se ai dëshiron të sakrifikojë pengjet".
Nga ana tjetër OKB-ja ngriti alarmin.
"Banorët e qytetit të Gazës evakuohen deri më 7 tetor".
Edhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, është shprehur kundër vendimit të Izraelit.
“Kjo veprimtari nuk do të sjellë fundin e konfliktit dhe as nuk do të ndihmojë në lirimin e pengjeve. Do të shkaktojë më shumë gjakderdhje,” deklaroi Starmer.
(lajmi ne perditesim...)
Foto: Friedrich Merz
Qeveria gjermane ka vendosur ndalimin e eksporteve ushtarake në Izrael. Përmes një deklarate kancelari Friedrich Merz theksoi se Gjermania nuk do të autorizojë asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në një njoftim të mëtejshëm.
Duke iu përgjigjur planit të Izraelit për të zgjeruar operacionet e tij ushtarake në Gaza, Merz tha se Gjermania është “thellësisht e shqetësuar” për vuajtjet e vazhdueshme të popullsisë civile në Rripin e Gazës, raporton Reuters.
“Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite mban përgjegjësi edhe më të madhe se më parë për furnizimin e tyre”, tha ai.
Merz tha se qeveria gjermane i kërkon gjithashtu Izraelit të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor.
"Lirimi i pengjeve dhe negociatat për një armëpushim janë prioritetet kryesore të Gjermanisë", nënvizoi ndër të tjera Merz.
Parlamenti i Gjermanisë tha në qershor se licencat e eksportit për pajisje ushtarake në Izrael me vlerë 485 milionë euro (564 milionë dollarë) u dhanë midis 7 tetorit 2023 dhe 13 majit 2025.
Pak orë pas vendimit të Këshillit të Sigurisë së Izraelit për të pushtuar Gazën, ka ardhur edhe reagimi i fortë i Ankarasë zyrtare.
Turqia e ka dënuar me forcë planin e miratuar nga Kabineti i drejtuar nga Benjamin Netanyahu.
"Ne dënojmë me fjalët më të ashpra vendimin e Izraelit për të zgjeruar operacionin e tij ushtarak në Gaza, i cili përfaqëson një fazë të re në politikën e tij ekspansioniste dhe gjenocidale në rajon", thuhet në një deklaratë nga Ministria e Jashtme Turke.
Ministria i bën thirrje shtetit hebre të "ndërpresë planet e tij të luftës, të pranojë një armëpushim në Gaza dhe të fillojë negociatat për një zgjidhje me dy shtete" dhe i bën thirrje "bashkësisë ndërkombëtare të marrë përsipër përgjegjësitë e saj në parandalimin e zbatimit të këtij vendimi".
Lideri i opozitës në Izrael, Yair Lapid, ka kritikuar vendimin e Këshillit të Sigurisë për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës.
Këtë vendim, ai e cilëson një katastrofë që, sipas tij, “do të çojë në shumë katastrofa të tjera”.
Lapid paralajmëron se ky operacion do të rezultojë në vrasjen e pengjeve të mbetura dhe në humbjen e jetës së shumë ushtarëve izraelitë.
Ai thekson se ky plan është në kundërshtim të plotë me qëndrimin e udhëheqjes ushtarake dhe strukturave të sigurisë në vend.
“Ky është një vendim që bie ndesh me opinionin profesional të ushtrisë dhe drejtuesve të saj,” deklaroi ai, duke iu referuar paralajmërimeve të mëhershme të shefit të shtabit të ushtrisë, gjeneralit Eyal Zamir, i cili ishte shprehur kundër një ndërhyrjeje të tillë.
Kreu i opozitës izraelite akuzon Kryeministrin Benjamin Netanyahu se po i nënshtrohet presionit të ministrave të ekstremit të djathtë në kabinetin e sigurisë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.
Kujtojmë se qeveria aktuale e Netanyahut mbështetet nga figura ultranacionaliste që kanë kërcënuar se do të largohen nga koalicioni nëse arrihet ndonjë marrëveshje me Hamasin.
Organizata e Kombëve të bashkuara kundërshton fortë planin e Izraelit për të pushtuar Gazën.
Reagimi më i fundit ka ardhur menjëherë pas mbledhjes 10 orëshe që Benjamin Netanyahu mbajti me Këshillin e Sigurisë, ku u mor vendimi për pushtimin.
“Izraeli duhet të ndalojë menjëherë planin e tij për të pushtuar Gazën!”, deklaroi OKB mes të tjerash.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, shtoi se "plani i qeverisë izraelite për pushtimin e plotë ushtarak të Rripit të Gazës duhet të ndalet".
"Plani, shtoi Turk, është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që i bën thirrje Izraelit të përfundojë pushtimin sa më shpejt të jetë e mundur, zbatimin e zgjidhjes së dakordësuar me dy shtete dhe të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje".
Kombet e Bashkuara e kanë deklaruar në vijimësi kundërshtimin e tyre ndaj "çdo përshkallëzimi" në Gaza.
"Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë konkretisht", shpjegoi zëdhënësi Farhan Haq më herët, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me qëllimin e Izraelit për të intensifikuar sulmin e tij ndaj Gazës, "por ne kundërshtojmë fuqimisht çdo përshkallëzim të konfliktit".
"Siç e dini", shtoi ai, "ka qenë tashmë jashtëzakonisht shkatërrues. Ka pasur mbi 60,000 viktima në këtë konflikt vetëm në dy vitet e fundit. Dhe ekziston perspektiva e vuajtjeve të mëdha humanitare, përfshirë mundësinë e urisë, e cila mund të përkeqësohet nëse konflikti do të përshkallëzohej".
"Pra", përsëriti ai, "ajo që po përpiqemi të bëjmë është të ofrojmë ndihmën e nevojshme humanitare, por kjo do të bëhej shumë më e vështirë në rast të një konflikti që zgjerohet".
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, e ka cilësuar të gabuar vendimin e kabinetit të sigurisë së Izraelit për të pushtuar tërësisht në Rripin e Gazës, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite të tërhiqet menjëherë nga ky vendim.
“Kjo veprimtari nuk do të sjellë fundin e konfliktit dhe as nuk do të ndihmojë në lirimin e pengjeve. Do të shkaktojë më shumë gjakderdhje,” deklaroi Starmer.
Ai theksoi se kriza humanitare në Gaza po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa pengjet e marra nga Hamasi po mbahen në kushte çnjerëzore dhe të patolerueshme.
“Ne kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm, rritje të ndihmës humanitare, lirimin e të gjitha pengjeve nga Hamasi dhe një zgjidhje të negociuar. Hamasi nuk mund të ketë asnjë rol në të ardhmen e Gazës, duhet të largohet dhe të çarmatoset”, u shpreh Kryeministri britanik.
Starmer shtoi më tej se së bashku me aleatët ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar po punon për një plan afatgjatë për vendosjen e paqes në rajon, si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete, që synon të sigurojë një të ardhme më të ndritur si për palestinezët ashtu edhe për izraelitët.
Kryeministri Starmer theksoi se zgjidhja diplomatike është e mundur, por kërkoi që palët të tërhiqen nga lufta.
Ndërsa Izraeli ka marrë vendimin për të pushtuar Gazën në një mbledhje që zgjati 10 orë në Këshillin e Sigurisë që e drejtoi vetë kryeministri Benjamin Netanyahu, në front lufta vazhdon me një bilanc që rrit shifrat e viktimave në krahun palestinez.
Shtatë persona u vranë gjatë natës në sulmet izraelite në disa zona të Qytetit të Gazës. Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se gjashtë anëtarë të së njëjtës familje vdiqën në një bombardim që goditi tendën e tyre në veriperëndim të Qytetit të Gazës, dhe një grua vdiq në një shtëpi të shkatërruar pranë Sheshit Al-Shawa.
OBK shprehet e alarmuar dhe kundërshton planin izraelit për të pushtuar Gazën, teksa edhe uria po vret njerëzit, kryesisht fëmijët e kequshqyer.
Kurse në një mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara, Egjipti paralajmëroi se plani i Izraelit për të pushtuar Gazën do ta shtynte Hamasin të vriste pengjet e mbetura izraelite. Gazeta libaneze Al-Akhbar e raportoi këtë, duke cituar një diplomat egjiptian, siç raportohet nga Times of Israel.
Hamasi dhe grupet e tjera që mbajnë pengjet thuhet se "kanë urdhër t'i 'neutralizojnë' ata nëse pengmarrësit e tyre gjenden nën rrethim dhe nuk arrijnë të shpëtojnë të gjallë".
Zyrtarë të lartë egjiptianë më pas bënë thirrje për një kthim urgjent në tryezën e negociatave midis Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim në Gaza, dhe Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi kërkoi kontakt të drejtpërdrejtë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për këtë çështje.
Benjamin Netanyahu në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë
Në pesë pikat e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të pushtuar Gazën është edhe ai i evakuuimit të 1 milionë banorëve.
Plani i Netanyahut për të zbrazur qytetin e Gazës sipas mediave parashikon aktivizimin e 60 mijë ushtarëve.
Operacioni do të jetë shumë i vështirë dhe i rrezikshëm, teksa IDF e ka paralajmëruar, duke u shprehur kundër planit.
Fazat e zbatimit do të jenë:
Evakuimi në kampet humanitare, lëvizja në jug dhe së fundmi lehtësimi i "migrimit vullnetar".
IDF shprehu qëndrim kundër:
"Nuk ka asnjë përgjigje humanitare për një milion njerëz të zhvendosur në Gaza. Gjithçka do të jetë jashtëzakonisht komplekse. Unë propozoj heqjen e kthimit të pengjeve nga objektivat e luftës", tha Shefi i Shtabit Zamir gjatë mbledhjes së kabinetit, duke shprehur kundërshtim ndaj planit të paraqitur nga kryeministri.
Komente

Nese evakuohen ku do shkojne? Apo ne Europe. Boll halle ka Europa. Tmerr.
PërgjigjuPo pse, deri tani çfarë po mundoheshin të bënin ata, ta përkëdhelnin?
PërgjigjuIzraelit me duket se po i vjen fundi .me kyt genocid.
PërgjigjuE tmerrshme c'po bejne keta nazistet
Përgjigju