Politikë

Pas postimit të gazetarit, Berisha tenton ta shesë si ‘vendim’ të DASH-it, por nuk përmend ‘non gratën’ që është në fuqi: S'kam kërkuar vizë për SHBA!

8 Maj, 15:11| Përditesimi: 8 Maj, 17:20

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas postimit të gazetarit Mark Caputo në rrjetin social se ai mund të udhëtonte në SHBA me leje të posaçme, doli sot në një konferencë për shtyp dhe deklaroi se Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte shpallur si një akt politik vendimin e administratës së ish-presidentit Joe Biden, për shpalljen e tij “non grata”, por pa përmendur nëse kjo masë i ishte hequr.

Ai këmbënguli vetëm tek postimi që kishte bërë gazetari në rrjetin social, duke shtuar se e kishte mësuar vetëm mbrëmjen e djeshme dhe e përshëndeste vendimin e administratës së Donald Trump, që i lejon atij të udhëtojë drejt SHBA-ve dhe se provonte që vendimi i mëparshëm ishte politik dhe i nxitur nga kryeministri Edi Rama, filantropi Xhorxh Sorros dhe ish-sekretari Anthony Blinken.

Por ai pohoi se nuk kishte aplikuar gjatë tre viteve për një vizë amerikane dhe as kishte ndërmend për të udhëtuar atje, duke lënë qartë të kuptohej se “non grata” nuk i ishte hequr.

Gjatë konferencës së tij, Berisha u përmbajt vetëm tek karakteri politik i këtij informacioni dhe jo tek ai ligjor, duke mos dhënë përgjigje të qarta për gazetarët rreth masës “non grata”.

Dhe duket se kontrata më e fundit e lobimit të PD dhe kompanisë amerikane “Continental” me vlerë 6 mln dollarë, ka konstatuar vetëm me një postim në rrjetin social nga gazetari që kishte pyetur në DASH nëse Berisha mund të udhëtonte për atje.

Një fakt ky i ditur botërisht, pasi liderë të ndryshëm të shpallur non grata, udhëtojnë në SHBA me leje të posaçme, por nuk nënkupton se kjo masë është hequr.

Dhe pak ditë para zgjedhjeve, Berisha dhe të tijët po e shesin si një heqje të masës së vendosur politikisht, për të thënë se ishin sulme të qëllimta ndaj tij, ndoshta edhe për efekt elektoral të 11 majit.

“Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politiziuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën.

Në mendësinë e etërve të tij Xhorxh Soros dhe Anthony Blinken, i nxitur nga Edi Rama në mënyrë korruptive. Vendim i rëndësie të madhe, shkëputje dhe mospranim i përpjekjeve të administratës së mëparshme, që për shkak të lobimit korruptiv të Soros për të ndëshkuar opozitën konservatore, përfunduan aty ku e kanë vendin si ata që e firmosën atë. Unë falenderoj administratën amerikane, sekretarin Rubio, DASH, presidentin Trump për këtë vendim ndaj të majtës ekstreme dhe përfaqësimit të saj kudo në botë.  Ky vendim është shpërblim i madh për të gjithë ata demokrat e demokrate që në kushte të pazakonta qëndruan për kauzën e drejtë dhe për të vërtetën. Ky vendim nxjerr edhe një herë përpara shqiptarëve fytyrën e shëmtuar të atyre që morën një akt të tillë që të godisnin opozitën konservatore në Shqipëri”, tha Berisha në konferencë, por ku asnjëherë nuk përmendi se masa “non grata” i ishte hequr.

Ai shtoi pas pyetjeve të gazetarëve se:

“Vendimin e mora vesh mbrëmë, sikurse ju, unë nuk them se do udhëtoj atje sepse janë ditët e fundit të fushatës. Sigurisht në kohë të përshtatshme do kisha bërë dhe unë fushatë, por është vendim me shumë vlerë dhe i çmuar”.

Ai u pyet edhe nëse ishte kontaktuar nga DASH dhe e mohoi. Pra ky lajm mbetet në kuadrin e një postimi gazetaresk dhe një fakti të njohur tashmë në eksperienca të mëparshme, se edhe liderë të shpallur non grata nëpër botë nga SHBA, në raste shumë të veçanta mund të udhëtojnë në SHBA me leje apo vizë të posaçme për evente të caktuara.

Por ajo masë “non grata” mbetet në fuqi. Vetë Berisha këmbënguli tek shpallja si vendim politik dhe jo heqja e masës.

“Unë nuk kam marrë asnjë përgjigje nga DASH, as për këtë dhe as për ndonjë tjetër. Pyetja është se non grata është konsideruar vendim politik, është dënim. Është tjetër kur shqyrtohet, por është shpallur si vendim i politizuar i administratës Biden, pa ekuivok, pra është i pashpresë”, tha ai.

Berisha u pyet nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, nëse kishte kërkuar vizë për në SHBA:

“Unë të kërkoj vizë? Jo, nuk kam kërkuar vizë. Unë nuk kam kërkuar vizë pasi kam lënë detyrën e kryeministrit, asnjëherë”, tha ai.

Por kreu iselisë blu tentoi ta ‘shiste’ këtë informacion si një arritje të PD për të tërhequr sa më shumë elektorat në zgjedhjet e 11 majit, duke thënë se sulmi ndaj tij ishte politik. Ai i bëri thirrje edhe atyre mbështetësve demokratë që nuk e besojnë ende, që të bashkoheshin me PD.

“Ky vendim mirëpritet për qindra mijëra mbështetës që më besuan mua se ai vendim ishte politik. Por edhe ata që kanë mbetur dhe që kishin dyshim, i bëj thirrje që të vijnë të bashkohen e të votojnë, asnjë forcë tjetër përveç PD-së. Sepse me këtë vendim del se u ndëshkua PD me vendim politik me ndërhyrje të Edi ramës, Xhorxh Sorosit dhe të tjerëve, me lobim korruptiv”, u shpreh ai.

Ora 15:29
‘Plane qesharake të Edi Ramës...!’ Berisha reagon për ‘Memorandumin e Kuçit’: Ditët e fundit në zyrë, shqiptarët ia kanë prerë biletën!

 

Kreu i selisë blu iu përgjigj edhe rivalit të tij politik, kryesocialistit Edi Rama, për “Memorandumin e Kuçit”, ku për të dytën herë radhazi firmosi projeksionin për rezultatin zgjedhor të 11 majit, pas atij të 25 prillit 2021, ku “qëlloi në shenjë”.

Pyetja e fundit në konferencën e sotme ishte pikërisht për këtë zhvillim politik që po ndodhte në momentet që Berisha po fliste me gazetarët.

Ai tha se “këro ishin ditët e fundit të Ramës në pushtet dhe se shqiptarët ia kishin prerë biletën”.

“Planet e Edi Ramës janë plane krejtësisht qesharake, Edi Rama është në ditët e fundit në atë zyrë dhe i them që shqiptarët të kanë prerë biletën, të pret McGonigali, mezi po të pret, me të cilin je i lidhur si siamez në shtyllën vertebrore me të”, u shpreh ai shkurtimisht dhe mbylli konferencën për shtyp.

 

Ora 15:20
Berisha flet për kontratën me Chris LaCivita, por nuk jep shifër: S’është për lobim, por për konsulencë elektorale! 100% e ligjshme, në KQZ sipas afatit

 

Gjatë konferencës së sotme për shtyp, kreu i PD, Sali Berisha u pyet edhe në lidhje me kontratën e lobimit me Chris LaCivita, por pa e zbardhur shifrën e saj.

Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi e pyeti në lidhje me modelin e kontratës dhe pagesën e kryer.

“PD ka kontratë me Chris LaCivita absolutisht jo për lobim. Ajo është kontratë për konsulencë elektorale dhe kjo është e ndryshme në ligjin amerikan. Por çështja ime ka tërhequr vëmendjen e dhjetëra analistëve të njohur e të shquar botërorë, edhe ai gazetari që unë nuk e njoh, thonë se është korespondent në Shtëpinë e Bardhë dhe ka drejtuar një pyetje në zyrën përkatëse. LaCivita nuk ka kontratë lobimi, por konsulencë”, tha ai.

Dhe duke vijuar me përgjigjen e një pyetje të radhës nga gazetarja, u shpreh se kjo kontratë ishte 100% e ligjshme dhe do të bëhej transparente në KQZ në kohën e duhur, sipas parashikimeve ligjore.

“Çdo pagesë e kontratë do depozitohet në kohën e duhur siç e kërkon ligji në KQZ dhe atje ku duhet. Ai është figurë e shquar ndër më të shquarit në domainin elektoral që ka shkelur. Mund të jenë edhe dy-tre kompani, është standart normal ligjor, kontrata është 100% transparente dhe e pastër, do depozitohet në kohën e duhur”, u shpreh Berisha, por pa treguar shifrat e saj.

 

 

 

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mara emigrante ne Itali: 08/05/2025 17:50

    Ppo kush ta jep vizen tu more kriminel , nuk shpeton dot me manovrat e tua .Keto jane genjeshtrat e tua dhe te taborit tend .Vetem mos haro nje gje se dardha e ka bishtin mbrapa .Ti duhet te ishe ne burg dhe jo te kakarisesh si gjeli ne pleh çdo dite .Turp per mediat dhe analistwenerit qe te perkrahin

    Përgjigju
  • Endri: 08/05/2025 15:27

    Aman se e shpifet me kete monster

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?