Botuesi dhe pronari i UET-së, Henri Çili ka mohuar akuzat para gjykatës së Përmetit ku mesditën e sotme u fut me pranga në duar pas arrestimit për gjashtë akuza. Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se Çili është shprehur para gjyqtarit Dritan Hasani se "Arrestimi im është pa prova".
Gjithashtu botuesi është shprehur se nëse kunati i tij ka shkelur ligjin të përgjigjet duke mohuar që vetë të ketë përgjegjësi. "Nëse kunati im ka bërë paligjshmëri, le të përgjigjet ai". Gjatë seancës vetë Çili ka pranuar përgjimet me argumentin se ai ka një studio ligjore që ia legjitimon ndërmjetësimin dhe biseda të kësaj natyre janë brenda profilit të punës së kësaj studioje ligjore. Sipas Çilit, ngjarja e fundit do të jetë një shtysë për forcimin e masave të mëtejshme në mënyrën e funksionimit të studios së tij.
Botuesi Henri Çili është mbrojtur nga avokati Andi Duraj, i cili pretendon se arrestimi është i paligjshëm. Mbrojtja e Çilit në gjykatë ka zgjatur vetëm 35 minuta. Nga ana tjetër avokatë të pranishëm në seancë pohuan se çështjet mbi të cilat janë ngritur akuzat për të arrestuarit nuk kanë lidhje me njëra - tjetrën dhe nuk duhej të ishin brenda të njëjtit procedim. Duhej të ndaheshin në të paktën tre grupe u pohua nga avokatët.
Lajmi kryesor: