Ekonomi

Bulmeti dhe mishi vetëm me faturë, nis aksioni në terren i Tatimeve

14 Korrik, 07:37| Përditesimi: 14 Korrik, 16:09

  • Share

Nga sot nuk do të lejohet më tregtimi i bulmetit dhe mishit pa faturë tatimore. Tatimet do të ‘zbresin’ në terren për të verifikuar nëse produktet janë të shoqëruara me faturë fiskale në momentin e blerjes.

Aksioni vjen pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama tre ditë më parë gjatë takimit me kryetarët e bashkive të vendit. Ultimatumi synon gjurmueshmërinë e produkteve për të garantuar sigurinë ushqimore.

“Duke filluar nga e hëna nuk ka më paralajmërime po vetëm sekuestrime të çdo lloj produkti bulmeti dhe qumështi pa faturë”, tha Rama gjatë takimit me kryebashkiakët.

Sipas qeverisë, duke u kryer i gjithë qarkullimi i produkteve me faturë, do të jetë më e lehtë të identifikohen ato subjekte apo fermerë që cenojnë sigurinë ushqimore, pasi fatura zbardh origjinën e produktit. Edhe ministria e Bujqësisë Anila Denaj dhe ai i Financave Petrit Malaj paralajmëruan gjatë një inspektimi, se nuk do të tolerohet asnjë shkelje që cenon sigurinë ushqimore për qytetarët.

Por ky aksion rrezikon seriozisht blektorët dhe prodhuesit e vegjël për shkaqe që lidhen me probleme fiskale. Ligji i vitit 2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’,  i njohur masivisht si ‘fiskalizimi’, i përjashton fermerët nga detyrimi i lëshimit të faturës tatimore kur shesin produktin.Nga ana tjetër, blerësi, i cili mund të jetë tregtar, baxho, apo grumbulluesi duhet të lëshojë faturë për bujkun në momentin që marrin prodhimin.

Me ndryshimet ligjore të ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%. Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë. Në variantin më të mirë, nëse e blejnë janë të detyruar që 20 përqindëshin ta ngarkojnë mbi çmim, e për pasojë, produkti final për konsumatorët del më i shtrenjtë.

Nga tjetër, ka dhe një realitet që nuk mund të mos merret në konsideratë. Në Tiranë, ku nuk ka fabrikë përpunimi qumështi si në Lushnje apo Berat e Gjirokastër, ky produkt rrezikon të mbetet i pashitur nga blegtorët e vegjël. Zgjidhja për ta në këtë rast do të ishte tërheqja e tyre nga mbarështrimi i bagëtive, duke thelluar një krizë që ka nisur prej disa vitesh. Shqipëria numëron më pak se 1.7 milionë krerë lopë e të imta, nga 2.4 milionë krerë para një dekade.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vjet, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti. Kjo situatë, së bashku me shtimin e kërkesës së brendshme, ka favorizuar ndjeshëm importet. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitet e fundit importi i produkteve të bulmetit dhe të mishit është rritur shpejt. Nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës sipas përllogaritjeve janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tij.

Ora 16:08
Aksioni për sigurinë ushqimore, Rama: Mosfaturimi kërcënon shëndetin e konsumatorëve! Angazhim maksimal për sekuestrimin e këtyre mallrave

1752502143_518369964129077741908458354186.jpg

Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto të aksionit të administratës tatimore, e cila ka bllokuar produktet pa faturë.

Rama shkruan se mosfaturimi për qumështin, mishin dhe bulmetin kërcënon shëndetin e konsumatorëve dhe cenon edhe rendin ligjor.

“Mosfaturimi për qumështin, mishin dhe bulmetin e freskët kërcënon shëndetin e konsumatorëve, përveçse cënon rendin ligjor si çdo mosfaturim tjetër.

Angazhim maksimal për sekuestrimin e këtyre mallrave pa faturë”, shkruan Rama.

Ora 15:05
Qumështi dhe bulmeti vetëm me faturë, nisin inspektimet në terren, Denaj: Garanton sigurinë mbi origjinën dhe përbërjen e produkteve ushqimore

1752498450_515438080127175881452725545633.jpg

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka publikuar foto nga nisja e inskpektimeve në biznese të të gjitha niveleve për të siguruar faturimin e detyrueshëm tatimor për çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që del në treg.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe administrata tatimore përmes këtij aksioni të përbashkët synojnë të rrisin transparencën, të forcojnë sigurinë ushqimore dhe të ulin informalitetin në sektor.

Denaj bëri të ditur se ky hap është pjesë e një strategjie të gjerë kombëtare që synon formalizimin e ekonomisë agroushqimore, rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore dhe garantimin e të drejtave të konsumatorit për ushqime të kontrolluara dhe të sigurta.

Sipas kësaj nisme, çdo operator i biznesit ushqimor, përfshirë edhe fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre, është i detyruar të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje të bërë.

“Faturimi elektronik bëhet forma standarde e raportimit dhe pritet të ndihmojë ndjeshëm në uljen e nivelit të informalitetit, duke mundësuar në të njëjtën kohë një ndjekje të saktë të zinxhirit të shpërndarjes së produkteve”, tha Denaj.

Autoritetet kanë bërë të ditur se subjektet që tregtojnë pa faturë tatimore do të përballen me kontrolle dhe masa ndëshkimore sipas ligjit “Për procedurat tatimore”.

“Ditën e sotme, në kuadër të aksionit të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore për formalizimin e ekonomisë, kanë nisur inspektimet në terren për të siguruar faturimin e detyrueshëm tatimor për çdo produkt bujqësor dhe blegtoral që del në treg.

Kjo nismë garanton sigurinë mbi origjinën dhe përbërjen e produkteve ushqimore, për të mundësuar mbështetje fiskale për fermerët që zgjedhin të formalizohen, si dhe për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun e brendshëm dhe atë të eksportit.

 Kjo nismë përfshin:

- Çdo operator i biznesit ushqimor, përfshirë fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre, do të jetë i detyrueshëm të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje.

- Faturimi elektronik (E-fatura) do të jetë forma standarde e raportimit dhe do të ndihmojë në uljen e informalitetit dhe garantojë gjurmueshmërinë e tyre.

- Subjektet që tregtojnë produkte ushqimore pa faturë do të jenë objekt i kontrollit dhe ndëshkimeve sipas ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore”,- njofton Denaj.

Xh.D/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Luka: 14/07/2025 13:46

    Prandaj kerkohet kuponi tatimor per te certifikuar cilesine dhe burimin e bulmetit. Akoma ju duhen shpjegime per kete mo njerez?

    Përgjigju
  • hans brigel: 14/07/2025 11:39

    Me nje fjale, mos ta marr qumeshtin tek fshatari qe e ka bio (deri diku), po ta marr ne dyqan, me qumesht pluhur qe vjen nga serbia e nga ukraina.

    Përgjigju
  • Meri: 14/07/2025 09:16

    Kush na siguron qe qumshti do jete pa alfa toksine?

    Përgjigju
    • Partia: 14/07/2025 14:57

      Partia, pse ca do me shumë. A jemi bijte e saj?

  • Sondazhi i ditës:

    Nga sot sekuestro bulmetit pa faturë, si e vlerësoni?