Bota

LIVE- Liderët e botës mblidhen në Egjipt për të firmosur Marrëveshjen e Paqes për Gazën

13 Tetor, 16:34| Përditesimi: 13 Tetor, 18:33

  • Share

Pas vizitës në Izrael, Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Sharm el-Sheikh të Egjiptit për të marrë pjesë në samitin për Planin e Paqes në Gaza pas armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe Hamasit. Në Egjipt, Trump u mirëprit nga Presidenti Abdel Fattah el-Sisi.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, krah Presidentit egjiptian el-Sisi, u shpreh se marrëveshja e Gazës nuk do të ishte arritur nëse SHBA nuk do të kishte goditur baza bërthamore të Iranit.

Sot Irani, theksoi Trump, dëshiron që të bëjë një marrëveshje.

“Mendoj se Irani do të vijë, ata janë goditur dhe plagosur. Sinqerisht, nëse nuk do t'i kishim goditur ata për armën bërthamore, nuk mendoj se do të kishit qenë në gjendje të kishit këtë marrëveshje të jashtëzakonshme që ndodh vetëm një herë në jetë. Irani bëri një deklaratë se e mbështet këtë marrëveshje me gjithë zemër”, theksoi Presidenti amerikan.

Kur një gazetar e pyeti se kur do të fillonin bisedimet për zbatimin e pjesës së dytë të planit të tij të paqes në Gaza, Trump u përgjigj se ato tashmë kanë filluar "për sa na përket neve".

Pas takimit dhe pritjes nga Presidenti egjiptian, Donald Trump pozoi me disa prej liderëve botërore të cilët janë pjesë e Samitit të Paqes.

Midis atyre që i janë bashkuar deri më tani janë: Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas dhe udhëheqësit evropianë Emmanuel Macron i Francës, Giorgia Meloni Kryeministrja e Italisë, Kryeministri britanik Keir Starmer, Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri hungarez Victor Orban.

Mbreti i Bahreinit Hamad bin Isa Al Khalifa ishte gjithashtu në skenë. Ajo qw ra nw sy ishte edhe prania e shefit i FIFA-s, Gianni Infantino.

Sharm el-Sheikh është vendi ku përfaqësues nga Izraeli, Hamasi dhe Shtetet e Bashkuara u takuan javën e kaluar për të finalizuar marëveshjen e armëpushimit në Gaza.

Trump udhëtoi drejt Egjiptit pas vizitës që pati në Izrael ku mbajti një fjalim në Parlament.

Çfarë duhet të dini për 'Qytetin e Paqes' në Egjipt?

Sharm el-Sheikh është një vend i përdorur edhe më parë për bisedime paqeje dhe negociata.

Qyteti egjiptian u bë i njohur si një vend për diplomaci nën ish-Presidentin egjiptian Hosni Mubarak, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2011. Autostrada e tij kryesore, Rruga e Paqes, të çon në Sheshin e Paqes, ku një monument i dedikuar paqes simbolizon rolin që qyteti dikur shërbente si një qendër rajonale për bisedimet e paqes.

Në vitin 1996, ish-Presidenti i SHBA-së Bill Clinton bashkë-kryesoi Samitin e Paqebërësve në Sharm, siç njihet qyteti, duke bashkuar zyrtarë të lartë izraelitë dhe palestinezë. Dhe në vitin 1999, qyteti priti Kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe Presidentin e atëhershëm të Autoritetit Palestinez, Yaser Arafat.

Dhe në vitin 2005, atje u mbajt një samit midis kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, ku Intifada e Dytë Palestineze u shpall e përfunduar.

Izraeli pushtoi Gadishullin e Sinait, përfshirë Sharmin, pas Luftës Gjashtëditore në vitin 1967 dhe ia ktheu atë Egjiptit në vitin 1982, pas një marrëveshjeje historike paqeje midis dy vendeve.

Ora 18:19
Samiti i Paqes/ Presidenti egjiptian diskuton me liderët europianë për Gazën e pasluftës

1760372425_presidentiegjiptianabdelfattahelsisi.png

Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi mori pjesë sot në një takim në Sharm el-Sheikh me liderët e Francës, Katarit, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera, për të diskutuar mbi të ardhmen e Gazës, përfshirë "përpjekjet për rindërtim".

“Takimi u mbajt me qëllimin për të koordinuar përpjekjet mes vendeve pjesëmarrëse për zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, duke përfshirë përpjekjet për rindërtim dhe sigurimin e ndihmave humanitare,” tha një zëdhënës i presidencës.

Sisi theksoi se Egjipti dhe Jordania janë duke trajnuar oficerë të policisë palestineze, duke shtuar se është e nevojshme që vendet evropiane të ofrojnë mbështetje për të zgjeruar këto përpjekje.

Gjatë takimit, vendet pjesëmarrëse diskutuan gjithashtu për rëndësinë e pastrimit të mbeturinave në Gaza dhe rritjen e sasisë së ndihmave humanitare që po arrijnë në territorin palestinez, thuhet në njoftimin e Presidencës së Egjiptit.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?