Pas 738 ditësh, Hamasi ka liruar 20 pengjet e gjallë izraelite në kuadër të fazës së parë të planit të paqes në Gaza. 7 të parët u liruan në mëngjes, ndërsa 13 të tjerët sapo iu dorëzuan Kryqit të Kuq. Ndërkohë, sa i përket trupave të 28 pengjeve të vdekur pritet të dorëzohen pasdite, sipas Channel 12.
Në Tel Aviv, në Sheshin e Pengjeve, rreth 100 mijë u mbledhën për të festuar lirimin e tyre. Mes brohoritjeve, ata shikuan drejtpërdrejt lirimin në ekranet gjigante të vendosura aty. Përgjatë dy viteve, ky shesh u bë vendi ku izraelitët dhe familjet e pengjeve janë mbledhur për të shprehur ankthin dhe zemërimin e tyre pas rrëmbimit të tyre gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.
Kryeministri izraelit, Netanyahu, në fjalën e tij në parlament, e konsideroi Presidentin amerikan Donald Trump si mikun më të madh të Izraelit.
"Emri juaj do mbetet i shkruar në historinë e Izraelit. Asnjë President amerikan nuk ka bërë më shumë për ne".
Netanyahu u shpreh se beson që lidershipi i Trumpit do ta ndihmojë Izraelin të normalizojë marrëdhëniet me më shumë vende arabe, ndërsa këmbëngul se Izraeli do të mbetet "vigjilent" ndaj kërcënimeve të ardhshme.
Kryeministri Netanyahu e nominoi Presidentin Donald Trump për ‘Çmimin e Izraelit, vlerësimi më i lartë i këtij shtetit.
Kurse Presidenti amerikan Donald Trump, i cili foli gjithashtu në Parlamentin izraelit (Knesset), tha se tashmë ka marrë fund epoka e terrorit dhe nisur epoka e artë dhe e shpresës në Lindjen e Mesme.
“Është një nder i madh, vend i bukur. Ne jemi mbledhur në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese të lartë për besim të ripërtërirë dhe mbi të gjitha një ditë për t'i dhënë falenderimet tona më të thella Perëndisë së plotfuqishëm të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Pas kaq shumë vitesh lufte të pandërprerë dhe rreziku të pafund, sot qielli është i qetë, armët janë të heshtura dhe sirenat janë të palëvizshme. Ky nuk është vetëm fundi i një lufte, ky është fundi i një epoke terrori dhe vdekjeje dhe fillimi i epokës së besimit dhe shpresës, dhe të Perëndisë. Është fillimi i një marrëveshjeje të madhe dhe harmonie të qëndrueshme për Izraelin dhe të gjitha kombet e asaj që së shpejti do të jetë një rajon vërtet madhështor”.
Trump i bëri thirrje Izraelit dhe vendeve të Lindjes së Mesme që të bashkëpunojnë dhe të investojnë në arsim, shëndetësi e industri për të rritur prosperitetin e vendeve të tyre. Në fjalimin e gjatë rreth 60 minuta, Presidenti amerikan përgëzoi të gjithë bashkëpunëtorët e tij që punuan për të arritur marrëveshjen e paqes mes Izraelit dhe Hamasit, si dhe vendet arabe e myslimane që e mbështetën në këtë proces.
Presidenti i SHBA, Donald Trump mbërriti në Izrael rreth orës 09:00 të ditës së sotme (13 tetor 2025). Ai zbarkoi nga Air Force One në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit, ku u prit nga Benjamin Netanyahu dhe Presidenti Isaac Herzog.
Ndërsa ecte në tapetin e kuq në aeroport, Trump i tha Herzog dhe Netanyahut: "Është një ditë fantastike. Ndoshta dita juaj më e mirë deri më tani."
"Kjo është histori," u përgjigj Netanyahu.
Pasi Hamasi dhe Izraeli ranë dakord për fazën e parë (lirimi i pengjeve dhe shkëmbimi i rreth 2 mijë të burgosurve), qeveria izraelite e miratoi marrëveshjen dhe armëpushimi hyri menjëherë në fuqi. Ndërkohë, negociatat do të vazhdojnë tashmë për fazën e dytë të planit të paraqitur nga Trump.
Të burgosurit palestinezë të liruar nga Izraeli kanë mbërritur në Rripin e Gazës, pasi janë liruar nga burgjet izraelite në kuadër të marrëveshjes për armëpushim. Gazetarë të agjencisë Associated Press raportojnë se kanë parë autobusë që transportonin të burgosurit e liruar drejt spitalit “Nasser” në qytetin jugor Khan Younis, ku turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur për t’i pritur. Të burgosurit u liruan këtë mëngjes si pjesë e marrëveshjes, e cila përfshinte gjithashtu edhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Foto: Benjamin Netanyahu
Gjatë fjalimit të tij në Knesset, kryeministri izarelit tha se për të ia arritur kësaj dite kanë paguar një çmim mjaft të lartë, atë të jetëve të humbura.
"Izraeli ka arritur fitore të pabesueshme kundër Hamasit," kundër Iranit, gjithashtu me ndihmën e Trump, dhe kundër Houth-ëve, "por çmimi i këtyre fitoreve ka qenë i lartë, me afërsisht 2,000 jetë izraelite të humbura, tha Benjamin Netanyahu.
Pas kthimit të 20 pengjeve izraelite nga Hamasi, edhe Izraeli ka respektuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, duke liruar 154 të burgosur palestinezë.
Lajmi është konfirmuar nga Shoqata e të Burgosurve Palestinezë.
Të burgosurit palestinezë kanë vuajtur dënime të gjata në burgjet izraelite, dhe sipas marrëveshjes, pas lirimit u deportuan në Egjipt.
Autoritetet izraelite kishin kërkuar që të burgosurit e dënuar për vepra të dhunshme të deportoheshin në vende të treta në vend që të lejoheshin të ktheheshin në Bregun Perëndimor ose Gaza.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri një thirrje të jashtëzakonshme gjatë fjalimit të tij në parlamenti izraelit, që Kryeministri Benjamin Netanyahu të merrte një falje nga Presidenti për problemet ligjore që ai ka.
"Z. President, pse nuk i jepni një falje?", tha Trump, duke iu drejtuar Presidentit izraelit Isaac Herzog, i cili ndodhej gjithashtu në Parlament.
Ishte një ndërhyrje e jashtëzakonshme në çështjet e brendshme të Izraelit nga udhëheqësi i SHBA-së, i cili më parë kishte kërkuar që gjyqi i Netanyahut për korrupsion të rrëzohej.
Trump pranoi se kjo deklaratë e tij nuk është pjesë e fjalimit të përgatitur. Por ai tha se nuk mund të mos e mbështeste aleatin e tij, Benjamin Netanyahun.
"Më pëlqen ky zotëri këtu, dhe duket se ka shumë kuptim, e dini, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ky ka qenë një nga presidentët më të mëdhenj të kohës së luftës. Puro dhe shampanjë, kujt i intereson", tha Trump duke iu referuar akuzës se Netanyahu kishte marrë dhurata të shtrenjta si puro dhe shampanjë nga biznesmenë të huaj, e duke i bërë thirrje Presidentit të vendit që të lëshojë dekret falje për akuzat e ngritura ndaj Kryeministrit.
Në fjalimin e tij në Parlamentin izraelit teksa është në fuqi armëpushimi dhe Plani i Paqes, Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se Gaza do të duhet demilitarizohet dhe Hamasi të çarmatoset.
Megjithatë, këto elementë të planit 20-pikësh të Trump ende nuk janë negociuar dhe Hamasi duket se i ka hedhur poshtë ato.
Trump vijoi fjalimin e tij të gjatë duke bërë thirrje se vendet e Lindjes së Mesme nuk duhet të bëjnë armiq, por duhet të punojnë bashkë për të mundësuar prosperitetin.
Ai tha se "në vend që të prodhojnë armë", vendet në rajon duhet të përqëndrohen në shpenzimin e parave për shkolla, mjekësi, industri dhe inteligjencë artificiale.
Presidenti i SHBA-së thotë se marrëveshja e armëpushimit në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit nuk mund të ishte arritur pa goditjen e tri objekteve bërthamore të Iranit nga ana e SHBA më herët gjatë këtij viti.
Ai theksoi se "Izraeli, me ndihmën tonë, ka fituar gjithçka që mund të fitonte", duke shtuar se tani është koha për "paqe dhe begati për të gjithë Lindjen e Mesme".
Trump njoftoi gjithashtu se do të takohet me disa krerë shtetesh në samitin që do të mbahet në Sharm el-Sheikh, Egjipt, ku do të diskutohet për një marrëveshje paqeje afatgjatë mes Izraelit dhe Hamasit.
"Së bashku kemi treguar se paqja nuk është thjesht një shpresë që mund ta ëndërrojmë, por një realitet që mund ta ndërtojmë çdo ditë," theksoi Trump.
Ai shprehet se shpreson që më shumë shtete nga rajoni do të nënshkruajnë Aktet e Abrahamit, që normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa shteteve myslimane.
Në fund, ai i thotë kryeministrit izraelit Netanyahu: "Bota e do përsëri Izraelin".
Presidenti amerikan Donald Trump tha se përdorimi i armëve nga Izraeli sollën paqen në Lindjen e Mesme. Këtu Trump ju referuar kërkesës së vazhdueshme për armë të Izraelit ndaj SHBA-së.
Në fjalën e tij në parlamentin izraelit, Trump falenderoi të dërguarin e tij të posaçëm Steve Witkoff dhe këshilltarin dhe dhëndrin e tij Jared Kushner, si dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio dhe Sekretarin e Luftës Pete Hegseth.
"Kishim disa njerëz jashtëzakonisht të mirë që punonin për këtë," tha Trump.
Trump u shpreh se "Bibi më telefononte kaq shumë herë duke më kërkuar armë, aq shumë sa Izraeli u bë i fortë dhe i fuqishëm... kjo është ajo që çoi në paqe”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se goditja e impianteve bërthamore të Iranit nga ana e SHBA, hoqi një “re të zezë” nga Lindja e Mesme.
“Hoqëm një re shumë të madhe që mbulonte Lindjen e Mesme, një re e zezë. I dhamë një goditje shumë të fortë Iranit. Dikush që kishte frikë më tha po rifillojnë të ndërtojnë programin bërthamor. I thashë ata nuk po fillojnë asgjë sepse kanë frikë dhe thjesht duan të mbijetojnë”, vlerësoi Presidenti Donald Trump.
Presidenti amerikan theksoi se "Izraeli, me ndihmën tonë, ka fituar gjithçka që mundi", duke shtuar se tani është koha për "paqe dhe prosperitet për të gjithë Lindjen e Mesme".
Presidenti amerikan Donald Trump ka vlerësuar se në Lindjen e Mesme dhe në Rripin e Gazës nuk ka përfunduar vetëm lufta, por ka marrë fund terrori nga Hamasi.
Tani është epoka e paqes, theksoi Presidenti amerikan gjatë fjalës së tij në Parlamentin e Izraelit.
“Është një nder i madh, vend i bukur. Ne jemi mbledhur në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese të lartë për besim të ripërtërirë dhe mbi të gjitha një ditë për t'i dhënë falenderimet tona më të thella Perëndisë së plotfuqishëm të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Pas kaq shumë vitesh lufte të pandërprerë dhe rreziku të pafund, sot qielli është i qetë, armët janë të heshtura dhe sirenat janë të palëvizshme. Ky nuk është vetëm fundi i një lufte, ky është fundi i një epoke terrori dhe vdekjeje dhe fillimi i epokës së besimit dhe shpresës, dhe të Perëndisë. Është fillimi i një marrëveshjeje të madhe dhe harmonie të qëndrueshme për Izraelin dhe të gjitha kombet e asaj që së shpejti do të jetë një rajon vërtet madhështor”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu vlerësime e falenderime dhe për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, sipas tij, për bashkëpunimin që ka treguar.
“Dua të shpreh mirënjohjen time për një njeri me guxim dhe patriotizëm të jashtëzakonshëm, partneriteti i të cilit bëri kaq shumë për ta bërë të mundur këtë ditë të rëndësishme. Dhe ai nuk është person i lehtë, dua t'ju them. Dua t'ju them se nuk është njeriu më i lehtë për t'u përballur, por kjo është ajo që e bën atë të shkëlqyer”.
Ndër të tjera, Presidenti Trump vlerësoi edhe angazhimin e ndihmën që kanë dhënë vendet arabe dhe myslimane për të arritur paqen, teksa theksoi se tashmë do të nisë një epokë e artë për Lindjen e Mesme.
Një incident u regjistrua në parlamentin izraelit teksa presidenti amerikan po mbante fjalën. Dy anëtarë të krahut të majtë ngritën një pankartë ku shkruhej "Njihni Palestinën është gjenocid", sipas një zëdhënësi të Knessetit.
Ligjvënësi arab Ayman Odeh, kreu i partisë Hadash dhe Ofer Cassif, i vetmi ligjvënës hebre në partinë arabe, u shoqëruan jashtë nga rojet e sigurimit.
Teksa ata largoheshin anëtarë të tjerë të Knessetit u ngritën në këmbë dhe brohoritën vazhdimisht, “Trump! Trump!”
"Kjo ishte shumë efikase," tha Trump duke qeshur.
“Më vjen keq për këtë, zoti President,” iu drejtua kryetari i Knesetit Trumpit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nominoi Presidentin Donald Trump si 'mikun më të madh' të Izraelit për çmimin më të lartë të vendit.
‘Çmimi i Izraelit’, çmimi më i lartë i vendit, nominoi t’i jepet Donald Trumpit, si i pari shtetas joizraelit.
“Dua që të marrësh Çmimin e Izraelit, çmimin tonë më të lartë për mikun tonë më të madh", tha Netanyahu.
"Kur të tjerët ishin të dobët, ju ishit të fortë. Kur të tjerët ishin të frikësuar, ju ishit të guximshëm. Kur të tjerët na braktisën, ju qëndruat në krahun tonë. Në emër të qeverisë dhe popullit të Izraelit, ju falenderoj për miqësinë tuaj të jashtëzakonshme, ju falenderoj që na ndihmuat të sjellim pengjet tona në shtëpi, ju falenderoj që mbështetët marshimin e Izraelit drejt fitores dhe ju falenderoj që hapët një rrugë drejt paqes”, përfundoi fjalimin në Parlament, Benjamin Netanyahu.
Foto: Benjamin Netanyahu
Në fjalën e tij në Knesset, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se asnjë president amerikan nuk ka bërë kaq shumë për Izraelin sa ka bërë Donlad Trump.
"Donald Trump është miku më i madh që Shteti i Izraelit ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë. Faleminderit. Asnjë president amerikan nuk ka bërë më shumë për Izraelin", tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu nuk i kursen falenderimet për Presidentin amerikan Donald Trump, në prani të tij, gjatë fjalës në Knesset.
Ai ka vlerësuar Presidentin Trump dike e konsideruar si mikun më të madh të Izraelit.
"Emri juaj do mbetet i shkruar në historinë e Izraelit. Asnjë President amerikan nuk ka bërë më shumë për ne".
Sipas Kryeministrit izraelit, "Donald Trump është miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë. Faleminderit që qëndrove me Izraelin kundër gënjeshtrave të OKB-së”.
Ai gjithashtu e falenderoi atë për "njohjen e sovranitetit izraelit mbi Lartësitë e Golanit" dhe për "goditjen e sistemit bërthamor të Iranit".
Kryeministri izraelit vlerësoi edhe angazhimin amerikan krah Izraelit për të goditur Iranin dhe Huthit.
“Falë ndihmës suaj, udhëheqja e Huthit është zhdukur, si dhe raketat balistike iraniane. Potenciali i tyre është humbur përgjithmonë. E di dhimbjen e pamposhtur që do të shoqërojë familjet e heronjve tanë të rënë. Falë këtyre heronjve, kombi ynë do të mbijetojë dhe do të lulëzojë, dhe do të ketë paqe”.
Netanyahu u shpreh se beson që lidershipi i Trumpit do ta ndihmojë Izraelin të normalizojë marrëdhëniet me më shumë vende arabe, ndërsa këmbëngul se Izraeli do të mbetet "vigjilent" ndaj kërcënimeve të ardhshme.
Teksa Kryeministri izraelit mbante fjalim në Parlament krah Presidentit amerikan Donald Trump, paralelisht po ktheheshin edhe pengjet e mbajtur nga Hamasi.
Foto: Donald Trump
"Izraeli ka fituar gjithçka që mund të arrihet me forcën e armëve. Tani është koha për t'i kthyer këto fitore kundër terroristëve në fushën e betejës në çmimin përfundimtar: paqen dhe prosperitetin për të gjithë Lindjen e Mesme."
Me këto fjalë, sipas një ekstrakti të publikuar nga Shtëpia e bardhë, presidenti amerikan Donald Trump, iu drejtua parlamentit izraelit, Knesset.
"Së bashku, kemi demonstruar se paqja nuk është vetëm një shpresë që mund ta ëndërrojmë, por një realitet mbi të cilin mund të ndërtojmë, ditë pas dite, person pas personi, komb pas kombi. Ne mblidhemi në një ditë gëzimi të thellë, shprese në rritje, besimi të ripërtërirë dhe, mbi të gjitha, një ditë për t'i dhënë falënderimet tona më të thella Zotit të Plotfuqishëm të Abrahamit, Isakut", shtoi Trump.
Foto: Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump
Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Izrael edhe iu rezervua një pritje madhështore me qilim të kuq të shtruar në pistë.
Gjatë fluturimit për në Izrael Trump u tha gazetarëve se “Lufta ka mbaruar”, ndërkohë kryeministri izraelit Netanyahu përsëriti edhe një herë se vendi i tij, nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Foto: Benjamin Netanyahu
Zyra e kryeministrit izraelit ka konfirmuar se Benjamin Netanyahu nuk do të marrë pjesë në takimin në Egjipt që do të mbahet gjatë orëve në vijim.
“Kryeministri Netanyahu u ftua nga Presidenti i SHBA-së Trump për të marrë pjesë në një takim që zhvillohet sot në Egjipt”, thuhet në një deklaratë nga zyra e tij në X.
“Kryeministri e falënderoi Presidentin Trump për ftesën e tij, por deklaroi se nuk do të ishte në gjendje të merrte pjesë për shkak të afërsisë së ngjarjes me fillimin e festës.”
Më herët sot, Shtëpia e Bardhë dhe presidenca e Egjiptit thanë se kryeministri izraelit do të ishte i pranishëm.
Foto: Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur në ndërtesën e Knessetit në Jerusalem pasi ka udhëtuar me makinë nga aeroporti.
Trump u prit në Knesset nga kryetari i këtij organi, ku dhe shkroi mesazhin e tij në në një libër të ftuarish.
“Ky është nderi im i madh, një ditë e madhe dhe e bukur. Një fillim i ri”, shkroi presidenti amerikan përpara se të nënshkruante firmën e tij.
Foto: Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë me agjencinë e lajmeve izraelite Channel 12 Neës se marrëveshja e arritur për t'i dhënë fund luftës në Gaza mund të konsiderohet si "suksesi i tij më të madh diplomatik si president deri më tani".
"Kjo mund të jetë gjëja më e madhe në të cilën kam qenë i përfshirë ndonjëherë", theksoi Trump.
Trump, i cili pritet të flasë në Knesset, deklaroi se lufta në Gaza ka mbaruar.
"Kjo është një ditë e mrekullueshme, nuk kam parë kurrë një ditë si kjo. Lufta ka mbaruar, Hamasi do ta respektojë marrëveshjen", tha ai.
Hamasi dorëzon 13 pengjet e mbetura në zonën Khan Younis. Ata iu dorëzuan Kryqit të Kuq. Të gjithë personat e rrëmbyer që janë ende gjallë janë liruar që atëherë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump zgjodhi të fluturonte në një lartësi jo shumë të madhe mbi qiellin e Izraelit me avionin e tij Air Force One.
Ai u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga mijëra qytetarë të mbledhur në Tel Aviv.
Mbërritja e tij mori një ton triumfues, ndërsa banorët festuan lirimin e disa pengjeve të mbajtur nga Hamasi. Ky veprim përforcoi imazhin e Trump si një mik i Izraelit, në një kohë tensioni në rajon.
Presidenti i SHBA, Donald Trump sapo ka zbritur nga avioni i tij në aeroportin Ben Gurion në periferi të Tel Avivit. Ai buzëqeshi dhe ngriti grushtin ndërsa zbriti nga shkallët. Presidenti i SHBA u prit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Mijëra njerëz në Tel Aviv festuan në Sheshin e Pengjeve në pritje të lirimit të pengjeve. Kjo video tregon mijëra izraelitë të mbledhur në sheshin e Pengjeve, ndërsa po prisnin lirimin e 7 pengjeve.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po ndjek një transmetim të drejtpërdrejtë të dorëzimit të pengjeve izraelite nga Gaza, ndërsa ndodhet në bordin e Air Force One, rrugës për në Izrael, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
"Historia po bëhet tani", shkroi Leavitt në mbishkrimin e një fotoje të transmetimit të drejtpërdrejtë të bërë gjatë fluturimit dhe të shpërndarë në mediat sociale. Trump pritet të ulet së shpejti. Ai do të niset për në Egjipt në orën 13:00 sipas orës lokale.
Lirimi i pengjeve "është falë jush", por "sfidat tona nuk kanë mbaruar". Ky është mesazhi që Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u dërgoi Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
"Në ditën kur Shteti i Izraelit mirëpret me emocion dhe entuziazëm kthimin e pengjeve tona nga robëria e Hamasit, ne e kujtojmë me krenari të madhe këtë moment të rëndësishëm dhe e kujtojmë mirë: ky rezultat është falë jush", deklaroi Katz.
Ai më pas paralajmëroi: "Misioni i Forcave të Mbrojtjes nuk është i plotë dhe sfidat tona nuk kanë mbaruar: ne do të vazhdojmë të qëndrojmë vigjilentë".
Komente

Normal qe ti do e mbyllesh luften sepse ti e fillove me zbatusin tuaj netanjahun.
PërgjigjuKy shtet nazist eshte gabimi me i madh i shekullit 20 qe ka çuar ne vdekjen e mijera vet e ne shpernguljen e miliona vet. Ka ekstremizuar gjithe boten arabe qe deri ne at kohe kishte lider socialist e ateist e jo fetar siç jane sot
Përgjigju