Ka nisur numërimi i votave të emigrantëve nga Greqia, në total 53 mijë, të cilat ishin të bllokuara që prej të dielës pas kontestimeve të Partisë Demokratike me pretendimin e manipulimeve. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi një ditë më parë hapjen e zarfeve, dhe mëngjesin e kësaj të shtune ka nisur edhe procesi i numërimit.
Gazetarja Esiona Konomi raporton se kutitë e para që janë hapur i përkasin qarkut të Tiranës. Të pranishëm janë edhe komisionerët e PD-së. Mesa duket PD është ‘dorëzuar’ dhe pavarësisht ankesës së mbrëmjes vonë në KAS për vendimin e Celibashit, ka dërguar komisionerët e saj për të monitoruar procesin e numërimit.
Një ditë më parë, Celibashi vlerësoi se nuk ka pasur asnjë kuti me probleme apo të kontestuar me prova dhe në këtë mënyrë i hapej ligjërisht rrugë numërimit të tyre. Por pas këtij vendimi, demokratët vijuan sërish me tentativat bllokuese, duke dërguar mbrëmjen e së premtes një tjetër ankesë në KAS.
Ditën e djeshme, edhe Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e PD, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të KAS për votën e Greqisë pas ankimimit të PS-së. Më herët, KAS ishte shprehur lidhur me ankimimin e PS-së për të ‘bllokuar’ përkohësisht votën e Greqisë, duke e cilësuar vendimin e Celibashit si të paligjshëm.
Pretendimi kryesor i Partisë Demokratike është se një pjesë e madhe e votave të Greqisë nuk janë dorëzuar personalisht te votuesi dhe nuk janë kthyer personalisht nga ai. Për këtë arsye çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua.
Aktualisht numërimi i votave nga shtetet e tjera ka përfunduar. Partia Socialiste ka marrë gjithashtu edhe mbështetjen e diasporës, pasi ka siguruar 78729 vota, në total 54.18 % ndërsa PD-ASHM 40 863 vota, ose 28.12 %. E treta renditet Nisma Shqipëria bëhet me 11 834 vota, ose 8.14 %, ndjekur më pas nga partia Mundësia me 5420 vota. Lëvizja bashkë ka marrë 3 891 vota, 1066 ka marrë Koalicioni Euroatlantik, PSD 1980.
Në përditësim...
Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, në një deklaratë për media ka komentuar ashpër procesin e votimit të emigrantëve në Greqi, duke e cilësuar si rastin më flagrant të shkeljes së çdo norme dhe standardi të parashikuar në Kodin Zgjedhor.
Topalli ngriti dyshime se në qytete si Athina, Selaniku dhe Kreta, shpërndarja e zarfeve është bërë nga vetë Partia Socialiste.
"Ky është rasti më flagrant i thyerjes së çdo norme dhe çdo standardi të procesit të votimit të shkruar në Kodin Zgjedhor.Mesa shihet, rezultatet shkojnë deri në 85% për PS në Fier, mund të shkojnë në Berat, e njëjta fenomen është në të gjitha qarqet, Durrës etj.Është një proces që siç e kemi thënë, i pakontrolluar dhe kontraktorët e DHL që është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë midis tyre dhe KQZ, mesa duket janë kooptuar nga strukturat e pushtetit në Greqi.Këtë e kemi kuptuar me logjikë që ditë më parë dhe në mënyrë të veçantë në Athinë, Selanik e Kretë postën e ka bërë partia në pushtet.Në këto kushte, procesi i marrjes së zarfeve nuk është bërë nga DHL por nga njerëz të tjerë dhe rezultati që kemi sot është larg reales.PS mund të fitonte sot, mund të shtonte vota, por rezultat 90% unë personalisht besoj se kjo gjë në 2025 mund të ndodhte në Korenë e Veriut, por për shkak të ndryshimit të sistemit ka ndodhur dhe në Shqipërinë tonë të dashur, dhe ky është një shpartallim i procesit zgjedhor"-tha Topalli.
Partia Demokratike nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga përpjekjet për të mos lejuar përfshirjen e votave të diasporës nga Greqia në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Pas vendimit të komisionerit shtetëror Ilirjan Celibashi për të lejuar numërimin e këtyre votave, PD vijon reagimet dhe veprimet për të bllokuar dhe kontestuar numërimin e votës së diasporës.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu, ka deklaruar për mediat se forca politike që ai përfaqëson ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për të ndaluar këtë proces, ku ai thotë se presin prova nga operatori shpërndarës nëse vota ka qenë shprehje e vullnetit të zgjedhësve
‘Menjëherë sapo është zbardhur vendimi i komisionerit Celibashi, kemi ushtruar ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, jo vetëm duke shprehur ankesën për këtë vendim por dhe pezullimin e këtij vendimi dhe jemi në pritje që KAS të mblidhet me urgjencë që të ushtrojë ndikimin tonë. Të gjithë numëruesit e PD që ndodhen në Parkun Olimpik kanë kontestuar çdo votë që ka ardhur nga Greqia pikërisht për pretendimet që ne kemi pasur dhe kërkesa jonë është shumë e qartë. Edhe kërkesa jonë është shumë e qartë, që deri në momentin që këto zarfe do provojnë që kanë ardhur personalisht nga zgjedhësit shqiptar që punojnë dhe jetojnë në Greqi do kërkojmë që të mos përfshihet në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.’ -është shprehur Logu.
Sipas tij, çdo kontestim është shënuar në procesverbal nga numëruesit e opozitës, të cilët vazhdojnë të ndjekin procesin me vëmendje dhe të raportojnë çdo parregullsi.
'Janë të kundërshtuar në procesverbalet e çdo numëruesi, pas çdo numërimi bëhet një shënim në procesverbal. Pavarësisht se vijon numërimi, në përfundim, numëruesit tanë, shënojnë në procesverbalet përkatëse të gjitha kontestimet që ne kemi pasur, përfshirë dhe kërkesën në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, pra dhe në tabelimin e rezultatit dhe kontestimet që do i vijnë komisionerit për rezultatin përfundimtar, ku dhe njëherë ne do të kemi mundësi të paraqesim të gjitha kërkesat tona, të gjitha pretendimet tona duke kërkuar që për çdo zarf i cili nuk provohet në mënyrë të pakundërshtueshme që ka ardhur nga zgjedhës shqiptar që punojnë dhe jetojnë në Greqi të mos përfshihet në rezultatin e zgjedhjeve.' - vijon ai.
Logu shton më tej se mungesa e provave të pakontestueshme për vullnetin personal të zgjedhësve e bën të justifikueshme heqjen e këtyre votave nga rezultati final, veçanërisht nëse ato ndikojnë në ndarjen e mandateve.
'Nga ana tjetër, është e mundshme në fakt sepse nëse ti kupton sasinë e votave nga Greqia që kanë ardhur nga operatori postar nuk ka provë të pakontestueshme se janë shprehje e vullnetit personal të zgjedhësit, sigurisht që nëse ato bëjnë diferencë në mandat hiqen nga rezultati përfundimtar pavarësisht se të kujt janë. Pra ato që nuk do provohen që janë shprehje të vullnetit të zgjedhësve që jetojnë në Greqi dhe kjo është tërësisht e mundshme. Ne nuk kemi hequr dorë për të mbrojtur vullnetin e zgjedhësve.'- përfundoi Marash Logu.
Pak më parë është zbuluar dhe njoftimi i Partisë Demokratike për çdo numërues të votave të diasporës që të kontestojë në procesin.
PD thotë se do të kontestojë votat e ardhura nga Greqia. Ndërsa procesi i numërimit të votave nisi mëngjesin e sotëm, PD deklaron se ata do të kontestohen nga numëruesit dhe komisionerët e tyre dhe se do të kërkojnë që të mos përfshihen në rezultatin e zgjedhjeve pasi pretendon për manipulim të tyre.
“Për të gjithë numëruesit dhe komisionerët e Partisë Demokratike me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm
Çdo votë e ardhur nga Greqia do të kontestohet si nga numëruesit, ashtu edhe nga komisionerët tanë, duke kërkuar që të mos përfshihet në rezultatin e zgjedhjeve.
Konkretisht, si numëruesit, ashtu edhe komisionerët, duhet të shënojnë në të gjitha procesverbalet tekstin si më poshtë:
"Ne i kontestojmë të gjitha votat e ardhura nga shteti grek dhe kërkojmë mospërfshirjen e tyre në rezultatin përfundimtar, për shkak se shpërndarja dhe marrja në dorëzim e tyre nga operatori postar nuk ka garantuar as minimumin e standardit të sigurisë së votës sa i përket marrjes dhe dorëzimit individual.", thuhet në reagim
Komente
