Piktori Pashk Përvathi rikthehet tek publiku me ekspozitën personale “Ndryshe”. E 41-ta ekspozitë, por për herë të parë artisti Përvathi në të vjen ndryshe me 46 vepra, në gjininë e portretit, kompozimit figural dhe 21 nudo. Për kamerën e “Report tv” Përvathi tregon se këto nudo janë realizuar nga kontakti me modele. Shumica prej tyre janë rome, dëshirë kjo e kahershme e piktorit që në rini.
Piktori gjithnjë është në një rrugëtim artistik. Në këtë rrugëtim të gjatë ka stacione, një prej tyre është pikërisht ky. U krijua një rrethanë për të pasur portrete edhe nodo, ishte kjo embrioni i asaj që ne kemi sot në ekspozitë.
Piktori Pashk Përvathi
Nudon nuk e kam bërë unë, është bërë që dhjetë mijë vjet më parë. Janë gjetur figura të zhveshura nëpër shpella. Kanë shkëlqyer madhërishëm në kohën e rilindjes italiane, në formën e arit modern, e kanë bërë piktorët shqiptarë të traditës e kanë bërë edhe të sotmit.
Piktori Pashk Përvathi
Jo rastësisht Përvathi ka zgjedhur që nudot e tij të jenë rome.
Këtu kryesisht janë romë pjesa më e madhe, është një motiv që më kanë pëlqyer, sepse përveçse karakterit të tyre që janë shumë njerëzor, të dashur, në anën koleristike mua më plotësojnë një pjesë time, shkojnë tek koncepti im për veprën e artit, siç e bëj unë. Ky ka qellim motiv artistik, përveçse motivit human, në zgjedhjen e kësaj figure. Është një dashuri e gjatë ndaj tyre.
Piktori Pashk Përvathi
Vend në këtë ekspozitë zënë edhe portrete të njerëzve të thjeshtë, që ne i takojmë çdo ditë
Kur do të rikthehet tek peizazhet?
“Ditën e enjte shkoj në Vërmosh. Unë, Vermoshin sot e konsideroj perlën e Shqipërisë. Një vend i panjohur që nuk e kemi shkelur më parë. Nëse dikur lavdëroja Vithëkuqin, Vërmoshi ka Bjeshkët e Namuna. Një rrugëtim i pandërprerë për të zbuluar peizazhe”, thotë Përvathi.
Ekspozita “Ndryshe” e Pashk Përvathit do të qëndrojë hapur deri në datën 20 tetor.