Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot vizita të veçanta në dy Katedralet në Tiranë, atë Ortodokse dhe Katolike me rastin e festës së Pashkës. Në kishën “Ngjallja e Krishtit”, Begaj u prit nga Kryepeshkopi, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, krah të cilit përcolli dhe urimin për më shumë gëzim dhe begati.
“Është shpresë, është besim, është gëzim, është një shenjë, e cila na fton për më shumë dashuri dhe për më shumë mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë dhe besimtarët ortodoksë për shumë gëzime, begati, paqe dhe shpresë në këto Pashkë të bekuara!”, deklaroi presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit i përcolli Kryepeshkopit Joan urime të përzemërta për shërbesën e Pashkës së parë në krye të fronit ortodoks shqiptar. Ndërsa e cilësoi këtë ditë si përbashkuese për besimtarët e krishterë, Begaj dha edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë, duke iu uruar një të ardhme më të ndritur.
“Meqenëse kjo është ditë që e përbashkon të gjithë besimin e krishterë, qoftë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, është një ditë me një mesazh shumë të fortë, të cilën sapo e përmendi Kryepeshkopi, për të rinjtë që kanë filluar të frekuentojnë meshat dhe shërbesat. Me këtë rast, unë dua të uroj për ta një të ardhme sa më të ndritur këtu, në vendin tonë”.
Në prononcimin për mediat, edhe Kryepeshkopi Joan dha mesazhin e tij: “Dita e pashkës është ditë gëzimi. Le të shpresojmë që Pashka të sjellë gëzim dhe shpresë”.
Më pas, presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, i Kishës Katolike të Shqipërisë. Në mesazhin e tij, Begaj theksoi rëndësinë e kryerjes së veprave të mira në mënyrë që, siç u shpreh ai, vlerat të triumfojnë mbi antivlerat.
“Uroj në këtë ditë të shenjtë të gjithë besimtarët e krishterë katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë: Pashkë të bekuara, të paqta, të begata e të gëzuara për çdo besimtar e për çdo familje shqiptare! Le të jetë drita e kësaj dite një shenjë mirëkuptimi dhe besimi për atë çfarë është më e rëndësishme në jetë. Në jetët tona të bëjmë mirësi dhe e mira dhe vlerat të triumfojnë mbi antivlerat. Uroj për çdo shqiptar, për çdo besimtar, gëzuar Pashkët!”, u shpreh presidenti Begaj.
Lajmi kryesor:
Politika uron Pashkët! Rama: Për shumë vjet! Basha: Sjelltë ndryshimin pozitiv që duam! Begaj: Më shumë gëzim, begati e paqe! Spiropali mesazh për politikanët
Xh.D/ReportTv.al
