Politika uron besimtarët e krishterë që sot festojnë Pashkët. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë, ndërsa ka shkruar: Për shumë vjet Pashkët.
Drejtuesi Politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha uroi besimtarët përmes një postimi në rrjete sociale, ndërsa më pas, zhvilloi vizita në të dyja Katedralet në kryeqytet. Pas ndalesës në Katedralen Ortodokse, Basha deklaroi se festa e Pashkës duhet të jetë një reflektim për ndryshimin pozitiv që të gjithë duan.
Edhe Berisha vizitoi të dyja Katedralet, por përkundër urimeve për besimtarët, në këtë ditë feste vijoi edhe me sulme politike. “Kjo ditë shënon ringjalljen, përjetësinë shpresën e pashuar. Le të urojmë nga zemra që pashkën tjetër ta kremtojmë siç na e do zemra dhe pa anti-krishtin në trojet tona. Gëzuar.”, tha ai.
Nga Katedralja e Shën Palit foli edhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila përveç urimit për besimtarët, dha edhe një mesazh për politikën. Kjo ditë, tha kryetarja e Kuvendit, duhet të jetë një reflektim për të gjithë politikanët, që pavarësisht ndasive dhe bindjeve të tyre, duhet të punojnë bashkë për njerëzit.
“Me të vërtetë kemi mendime të ndryshme por duhet të punojmë më shumë për njerëzit e të japim që i paqtojnë dhe afrojnë njerëzit. Gëzuar të gjithëve, mbarësi e bekime në familjet tuaja”, u shpreh Spiropali.
Presidenti Bajram Begaj përcolli mesazhe urimi gjithashtu nga të dyja Katedralet.
"Ngjallja e Krishtit është një ditë e shenjtë, është dritë, është shpresë, është besim, është gëzim. Është një shenjë që na fton për më shumë dashuri dhe mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për shumë gëzim, begati e paqe në këto pashkë të gëzuara”, u shpreh presidenti teksa doli nga Katedralja Ortodokse, ndërsa shoqërohej nga Kryepeshkopi Joan.
Edhe Tedi Blushi, në emër të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha një mesazh nga Katedralja "Ngjallja e Krishtit", duke thënë se vitin e ardhshëm, Pashkët do t’i gjejnë më mirë.
“Pashka nuk është vetëm një ditë feste por edhe dëshmi triumfi të dritës ndaj errësirës, jetës mbi vdekjen të së mirës ndaj së keqes, dhe jam i bindur se pashkët e ardhshme do të na gjejnë më mirë.”, u shpreh ai.
Meta përcolli një ditë më parë një mesazh edhe vetë nga qelia, duke thënë se Pashka nuk është vetëm një festë, por dëshmi e triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën dhe të së mirës mbi të keqen.
Këtë vit, besimtarët katolikë dhe ortodoksë festojnë Pashkët në të njëjtën ditë. Pashkët konsiderohen si festa më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, simbol i fitores mbi vdekjen, rilindjes dhe shpresës. Megjithatë, jo gjithmonë festohet në të njëjtën datë nga të gjithë të krishterët. Arsyeja qëndron tek kalendarët e ndryshëm që përdorin Kisha Katolike dhe ajo Ortodokse.
Katolikët ndjekin kalendarin Gregorian, të vendosur në vitin 1582 nga Papa Gregori XIII për të korrigjuar pasaktësitë e kalendarit Julian. Kisha Ortodokse vijon të përdorë kalendarin Julian, i cili është 13 ditë prapa atij Gregorian.
Megjithëse të dy traditat mbështeten në të njëjtin parim për llogaritjen e datës së Pashkëve, të dielën pas Hënës së plotë që vjen pas ekuinoksit të pranverës, dallimet në kalendarë dhe në mënyrën e përcaktimit të Hënës kishtare bëjnë që datat të mos përputhen. Në vitin 2025, megjithatë, përputhja astronomike dhe kalendarike ka ndodhur natyrshëm: ekuinoksi i pranverës bie më 20 mars, Hëna e plotë pas tij më 13 prill, dhe e diela që pason është 20 prilli – një datë që përkon në të dy sistemet e llogaritjes.
Kryetari i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj ditën e sotme ka përcjellë një mesazh urimi për festën Pashkës.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shpreh dëshirën që kjo ditë të sjellë më shumë paqe, dashuri dhe lumturi për të gjithë.
“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve! Qoftë një ditë e mbushur me paqe, dashuri e lumturi dhe ringjalltë në secilin prej nesh tolerancën dhe respektin për njëri-tjetrin,” shkruan Veliaj, duke shoqëruar urimin me një foto simbolike të festës."-shkruhet në postimin e Veliajt.
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka folur ditën e sotme nga kisha e ‘Shën Palit’ në Tiranë.
Basha uroi çdo besimtar të krishterë dhe theksoi se dita e festës le të jetë një reflektim për një ndryshim pozitiv.
"Sot është një ditë e veçantë, në radhë të parë për besimtarët e krishterë: katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë. Gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë i uroj nga zemra gëzuar Pashkët. Kjo ditë është simbol i ringjalljes, që ka kaq shumë domethënie për ju. Sjelltë paqe në familjet tuaja. Por, së dyti dhe po kaq e rëndësishme, uroj nga zemra që kjo ditë e shenjtë, ky kremtim i ringjalljes, të jetë një bekim për vendin tonë. Të jetë një reflektim se pas errësirës vjen shpresa, se ndryshimi pozitiv që të gjithë duam dhe meritojmë është i mundur."-tha Basha.
Kryetarja e Kuvendit, nga Katedralja e Shën Palit, përcolli një mesazh urimi për besimtarët e krishterë. Spiropali tha se Pashka është një ditë e bekuar për të gjithë shqiptarët, pasi kemi traditën që festat t’i ndajmë të gjithë bashkë.
Spiropali përcolli edhe një mesazh për politikën teksa tha se duhet të bëhen bashkë për të punuar më shumë për njerëzit përtej ndasive politike.
“Dua të përcjell një gëzuar për një festë të bukur dhe të bekuar të Pashkëve për të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe për të gjithë shqiptarët se ne kemi traditën e bukur që festat i ndajmë bashkë. Në atmosferën e festave të gjithë bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese dhe bekime për të gjithë. Pashka simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen. Jep një mesazh për të gjithë ata që duan të gjejnë forcën për të vazhduar përpara me më shumë mund dhe dashuri. Mbi të gjitha është mesazh shprese për të pamundurit, për ata që Jezusi i donte më shumë, për fëmijët, të moshuarit, të izoluarit, të sëmurët, për ata që duan të gjejnë te kjo ditë e bukur shpresën për më mirë.
Ky mesazh shkon te të gjithë ata që janë këtu në Katedrale, por edhe në Kisha të tjera se Shqipëria është vend me tolerancë fetare. Bashkëjetesa mes njerëzve është e vërtetë. Ky është një mesazh edhe për politikën që të shkojë përtej ndasive të vjetra, përtej mesazheve që ndonjëherë përçajnë dhe për të dhënë mesazhe shprese. Me të vërtetë kemi mendime të ndryshme por duhet të punojmë më shumë për njerëzit e të japim që i paqtojnë dhe afrojnë njerëzit. Gëzuar të gjithëve, mbarësi e bekime në familjet tuaja”, u shpreh Spiropali.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, së bashku me drejtues të tjerë të partisë, ishin të pranishëm tek Katedralja "Ngjallja e Krishtit", për të bërë urimin për festën e Pashkëve. Në një prononcim për mediat, ai tha se vitin e ardhshëm, pashkët do t’i gjejnë më mirë.
“Ishte kënaqësi që së bashku me drejtuesit e PL dhe në emër të presidentit Ilir Meta të ndanim me Fortlumturinë e tij Joanin dhe besimtarët urimet më të përzemërta. Gëzuar Pashkën e madhe, shëndet mbarësi dhe begati në çdo familje shqiptare. Pashka nuk është vetëm një ditë feste por edhe dëshmi triumfi të dritës ndaj errësirës, jetës mbi vdekjen të së mirës ndaj së keqes, dhe jam i bindur se pashkët e ardhshme do të na gjejnë më mirë.
Më lejoni të theksoj se pas 11 majit, çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave të komuniteteve fetare do të marrë zgjidhje urgjente, njëherë e përgjithmonë, jo vetëm si detyrim kushtetues por edhe si një mundësi për rimëkëmbjen e mëtejshme të institucioneve tona fetare.”, u shpreh Blushi.
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot vizita të veçanta në dy Katedralet në Tiranë, atë Ortodokse dhe Katolike me rastin e festës së Pashkës. Në kishën “Ngjallja e Krishtit”, Begaj u prit nga Kryepeshkopi, Fortlumturia e Tij, Joan Pelushi, krah të cilit përcolli dhe urimin për më shumë gëzim dhe begati.
“Është shpresë, është besim, është gëzim, është një shenjë, e cila na fton për më shumë dashuri dhe për më shumë mirëkuptim mes nesh. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë dhe besimtarët ortodoksë për shumë gëzime, begati, paqe dhe shpresë në këto Pashkë të bekuara!”, deklaroi presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit i përcolli Kryepeshkopit Joan urime të përzemërta për shërbesën e Pashkës së parë në krye të fronit ortodoks shqiptar. Ndërsa e cilësoi këtë ditë si përbashkuese për besimtarët e krishterë, Begaj dha edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë, duke iu uruar një të ardhme më të ndritur.
“Meqenëse kjo është ditë që e përbashkon të gjithë besimin e krishterë, qoftë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, është një ditë me një mesazh shumë të fortë, të cilën sapo e përmendi Kryepeshkopi, për të rinjtë që kanë filluar të frekuentojnë meshat dhe shërbesat. Me këtë rast, unë dua të uroj për ta një të ardhme sa më të ndritur këtu, në vendin tonë”.
Në prononcimin për mediat, edhe Kryepeshkopi Joan dha mesazhin e tij: “Dita e pashkës është ditë gëzimi. Le të shpresojmë që Pashka të sjellë gëzim dhe shpresë”.
Më pas, presidenti Begaj zhvilloi një vizitë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, i Kishës Katolike të Shqipërisë. Në mesazhin e tij, Begaj theksoi rëndësinë e kryerjes së veprave të mira në mënyrë që, siç u shpreh ai, vlerat të triumfojnë mbi antivlerat.
“Uroj në këtë ditë të shenjtë të gjithë besimtarët e krishterë katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë: Pashkë të bekuara, të paqta, të begata e të gëzuara për çdo besimtar e për çdo familje shqiptare! Le të jetë drita e kësaj dite një shenjë mirëkuptimi dhe besimi për atë çfarë është më e rëndësishme në jetë. Në jetët tona të bëjmë mirësi dhe e mira dhe vlerat të triumfojnë mbi antivlerat. Uroj për çdo shqiptar, për çdo besimtar, gëzuar Pashkët!”, u shpreh presidenti Begaj.
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për Pashkët.
Kreu i qeverisë ka ndarë në rrjete sociale foton e një fëmijë që mban një qiri në dorë, ndërsa ka shkruar: Për shumë vjet Pashkët.
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka uruar besimtarët e krishterë me rastin e Pashkëve. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se kjo festë na kujton se “pas çdo sakrifice vjen drita, dhe pas çdo vështirësie lind shpresa”.
Basha thotë se Pashkët janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, ndërsa përmes forcës së besimit mund të shpresojmë për ndryshimin që është i mundur për veten, për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë.
Urimi i plotë i Bashës:
Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë të krishterë, në këtë kremtim të shenjtë të Ringjalljes së Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra: Për shumë vjet Pashkët! Kjo festë e bekuar na kujton se pas çdo sakrifice vjen drita, dhe pas çdo vështirësie lind shpresa. Pashkët janë një thirrje për dashuri, solidaritet dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit.
Le të frymëzohemi nga forca e besimit dhe të kemi shpresë se ndryshimi është i mundur – për veten, për njëri-tjetrin dhe për vendin tonë. Drita e shpresës dhe e kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!
Komente

Sikur është presidenti masazhi me i rëndësishëm, uh harrova fare, me falni, gëzuar zoti Kryeministër, Faleminderit per spitalet plot me ilaçe
Përgjigju