Kryetarja e Kuvendit, nga Katedralja e Shën Palit, përcolli një mesazh urimi për besimtarët e krishterë. Spiropali tha se Pashka është një ditë e bekuar për të gjithë shqiptarët, pasi kemi traditën që festat t’i ndajmë të gjithë bashkë.
Spiropali përcolli edhe një mesazh për politikën teksa tha se duhet të bëhen bashkë për të punuar më shumë për njerëzit përtej ndasive politike.
“Dua të përcjell një gëzuar për një festë të bukur dhe të bekuar të Pashkëve për të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe për të gjithë shqiptarët se ne kemi traditën e bukur që festat i ndajmë bashkë. Në atmosferën e festave të gjithë bëhemi bashkë për më shumë mesazhe shprese dhe bekime për të gjithë. Pashka simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen. Jep një mesazh për të gjithë ata që duan të gjejnë forcën për të vazhduar përpara me më shumë mund dhe dashuri. Mbi të gjitha është mesazh shprese për të pamundurit, për ata që Jezusi i donte më shumë, për fëmijët, të moshuarit, të izoluarit, të sëmurët, për ata që duan të gjejnë te kjo ditë e bukur shpresën për më mirë.
Ky mesazh shkon te të gjithë ata që janë këtu në Katedrale, por edhe në Kisha të tjera se Shqipëria është vend me tolerancë fetare. Bashkëjetesa mes njerëzve është e vërtetë. Ky është një mesazh edhe për politikën që të shkojë përtej ndasive të vjetra, përtej mesazheve që ndonjëherë përçajnë dhe për të dhënë mesazhe shprese. Me të vërtetë kemi mendime të ndryshme por duhet të punojmë më shumë për njerëzit e të japim që i paqtojnë dhe afrojnë njerëzit. Gëzuar të gjithëve, mbarësi e bekime në familjet tuaja”, u shpreh Spiropali.
Lajmi kryesor:
Politika uron Pashkët! Rama: Për shumë vjet! Basha: Sjelltë ndryshimin pozitiv që duam! Begaj: Më shumë gëzim, begati e paqe! Spiropali mesazh për politikanët
Xh.D/ReportTv.al
