Politikë

Pasi protestoi kundër tij, themeluesi i PD sulmon Bashës në Facebook: S’ka ndërgjegje, kemi nevojë për një lider

30 Prill 2021, 21:18| Përditesimi: 30 Prill 2021, 21:21

  • Share

Një prej themeluesve të PD-së, Zenel Hoxha ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të partisë, Lulzim Basha, duke thënë se të gjithë që e ndjejnë veten demokratë të reagojnë tani. Këto deklarata Zenel MHoxha i bëri si gjatë protestës pasditë para sëlisë blu, ndërsa i përsërit edhe me një status në facebook.

Hoxha thotë se Basha nuk ka ndërgjegje reflektimi dhe po mundohet që t’i shndërrojë gabimet e mëdha të vetes në fat të pandryshueshëm të Partisë Demokratike.

Postimi i plotë i Zenel Hoxhës:

Të gjithë demokratët e vërtetë duhet të reagojnë tani.

Shqipëria e sotme e ka ves deformimin e demokracisë. Por ky është ves që mbetet në fuqi jo prej anëtarësisë së partive, por prej udhëheqësve që humbasin ndërgjegjen e reflektimit.

Kryetari aktual i Partisë Demokratike i ka tejkaluar provat e shembjes së plotë të ndërgjegjes së vet, e cila s’paska asgjë prej demokrati.

Zoti Basha po kërkon t’i shndërrojë gabimet madhore të vetvetes në fat të pandryshueshëm të Partisë Demokratike. Por, demokratët janë mësuar të rrëzojnë regjime dhe i refuzojnë uzurpimet. Koha ka mbaruar dhe orën e gjatë nuk e ka më në dorë kryetari punë-pa-kryer zoti Basha.

Partia Demokratike ka nevojë për lidership të ri. Është nevojë imediate. Nuk mund të jetë kurrësesi opozita e vendit në pritmëri që i japin funksionin e një paterice përballë kundërshtarit të shquar për vjedhje dhe shëmtime të shtetit dhe demokracisë.

Socialistët dhe kreun e tyre i ka demaskuar ndërgjegjia anti-institucion në këto dy mandate, por nuk i ka shembur dhe nuk i përzuri dot nga pushteti ndërgjegja e pafuqishme e Lulzim Bashës, kryetarit pa suksese.

Opozita nuk ka nevojë për rithemelim, por për largim të një njeriu dhe ardhjen e një fryme të mirëfilltë shpresëdhënëse për demokratët dhe për të gjithë shqiptarët. Kjo duhet bërë tani dhe jo kur të caktojë datën humbësi qe ka humbur masën dhe sensin e gjithçkaje.


Lajmi kryesor:

Demokratët kërkojnë largimin e Bashës, protesta gjatë gjithë ditës para selisë blu! Ish kreu i FRPD: Të hapet debati politik brenda partisë! Kadilli: Problemi i tij nëse shqiptarët zgjedhin një thes me miell para tij (VIDEO)


  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?