Goditja e fenomenit të pastrimit të parave kërkon ligje, kontrolle dhe struktura më të forta. Pikërisht për këtë synim vetëm brenda 7 muajve janë miratuar 2 ligje dhe një udhëzim për të minimizuar këtë dukuri në vend.
Konkretisht më 31 janar të këtij viti Kuvendi miratoi ligjin për Shkëmbimin automatik të informacionit i cili bën të mundur që Shqipëria të marrë informacion nga 82 vende të botës mbi llogaritë bankare të shqiptarëve dhe të huajve, me qëllim shmangien e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal.
Më tej në 29 korrik parlamenti miratoi ligjin për regjistrin e pronarëve përfitues që do të bëjë publike emrat e kompanive off-shore duke pasur po të njëjtin synim. Janë mbi 61 mijë subjekteve private dhe jofitimprurëse, që do të listohen në një regjistër të vetëm dhe jo më në QKB, tatime ose gjykatë.
Hapi i radhës kundër këtij fenomeni është nga Ministria e Financave e cila ka ndryshuar udhëzimin për metodat dhe procedurat e raportimit dhe marrjes së masave parandaluese për parandalimin e pastrimit të parave dhe terrorizmit.
Ndryshimet konsistojnë në marrjen e të dhënave jo vetëm të dërguesit por edhe të përfituesit të transfertët si të dhëna personale, numrin e llogarisë që përdoret për transaksione dhe një numër unik të referencës së transaksionit që lejon gjurmueshmërinë e tij.
Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë ka kërkuar nga Banka qendrore që të thellojë punën për zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL dhe për forcimin e masave në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Kjo pasi asnjë nga bankat në vend nuk është e mbrojtur nga rreziku i pastrimit të parave, fakt i konfirmuar nga Banka e Shqipërisë në raportin e saj për vitin 2019.
Aktualisht vendi është klasifikuar në listën gri për pastrimin e parave nga MONEYVAL, ndërkohë që pak ditë më parë Indeksi i Bazelit e rendit Shqipërinë me risk të lartë për këtë fenomen.