Në 2019-n, në Shqipëri u sekuestruan 100 milionë euro pasuri nga krimi, por mungesa e juridiksionit dhe mangësitë e tij në luftimin kundër pastrimit të parave, mosmbajtja e përgjegjësive dhe hedhja e fajit nga një institucion në një tjetër janë disa nga arsyet që në vendin tonë po pengohet lufta ndaj krimit ekonomik dhe ishin pikërisht këto që e renditën Shqipërinë në zonën gri në raportin e “Moneyval” për pastrimin e parave.
Lleshaj theksoi se vetëm një pjesë e vogël e kësaj pasurie i është konfiskuar krimit me vendim gjykate, duke ia hedhur fajin në disa raste policisë që nuk gjen prova, ose prokurorisë dhe gjykatës. Ndërkohë sipas shifrave zyrtare janë më pak se 30 milionë euro pasuri që janë konfiskuar me vendim gjykate, pasi dyshohet se janë blerë nga krimi i organizuar.
Për këtë u mblodhën tre kryetarët e institucioneve përgjegjëse për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Olsian Çela, Anila Denaj dhe Sandër Lleshaj, ku u zotuan se do të përmirësojnë bashkëpunim për të luftuar me paratë e pista të krimit.
U firmos një marrëveshje bashkëpunimi, nga e cila do të krijohet një strukturë e posaçme që do të monitorojë dhe koordinojë përpjekjet e përbashkëta dhe punën e disa institucioneve për të marrë rezultate sa më të mira kundër krimit ekonomik dhe terrorizmit si dhe do të përmirësojë juridiksionet dhe mangësitë që deri më sot kanë munguar në këto institucione. Përcaktimi i detyrave të çdo institucioni dhe shmangia e hedhjes së fajit dhe marrjes së përgjegjësive është dhe thelbi i memorandumit të firmosur .
Në fjalën e tij, ministri Sandër Lleshaj u shpreh se do të ngrihet një strukturë qendrore që do të bëjë koordinimin, gjurmimin dhe ndjekjen penale të këtyre rasteve duke afruar sa më pranë institucionet e përfshira në këtë proces. Shkatërrimi dhe bllokimi i burimeve financiare të krimit do të sjellë dobësimin e tij deri në shkatërrimin e plotë tha Lleshaj:
"Lufta kundër pastrimit të parave, krimit ekonomik dhe financiar, në fakt është thelbi i luftës kundër krimit të organizuar. Shterimi i burimeve të financimit të krimit, si edhe pengimi i krimit për të gëzuar produktet e veprës kriminale, është thelbi i të gjithë përpjekjes i cili çon në shkatërrimin e modelit të biznesit. Sepse krimi i organizuar është një biznes. Krijimi i një strukture qendrore, e cila do të ketë për mision monitorimin e përpjekjeve të përbashkëta, koordinimin e tyre, është vlera e shtuar në këtë proces. Kjo strukturë e përbashkët na bën që ta shohim së bashku gjendjen, ta monitorojmë në mënyrë të përbashkët, të raportojmë dhe të analizojmë në mënyrë të përbashkët si dhe të shkëmbejmë praktikat më të mira e të koordinojmë gjithë veprimtarinë në funksion të këtij qëllimi. Në vitin 2019 ne kemi arritur të sekuestrojmë një nivel historik asetesh me origjinë kriminale. Pra, një volum që shkon te 100 milionë euro, është një rekord historik. Problemi mbetet se sa kjo shifër do të materializohet në fund përmes vendimeve të formës së prerë", tha Lleshaj.
Edhe për Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela ky bashkëpunim do i shërbejë prokurorisë dhe policisë gjyqësore të realizojë më mirë objektivat e saj në luftën kundër krimit financiar dhe terrorizmit. Çela tha se shkëmbimi i informacioneve dhe bashkëpunimi do të rrisë eficencën e kësaj lufte dhe do të shmang njëherë e mirë hedhjen e fajit nga një institucion në tjetër duke rritur përgjegjshmërinë e secilit aktor në këtë luftë.
"Një produkt i cili do i shërbejë prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore, administratës tatimore për të realizuar më mirë funksionet e tyre në drejtim të luftës ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale krimit financiar dhe financimit të terrorizmit. Kombinimi i këtyre proceseve, shkëmbimi i informacionit, marrja e përgjegjësive dhe rritja e përgjegjshmërisë institucionale në mënyrë reciproke besojmë se do të sjellë rezultate të mira në drejtim të luftës ndaj krimit financiar dhe pastrimit të produkteve gjithashtu. Një tjetër element i rëndësishëm do të jetë mënyra se si ne do t’i përqasemi hetimit të këtyre veprave penale pasi në mënyrën sesi ne e kemi konceptuar organizimin që në fazën e referimit të veprës penale deri në momentin në të cilin do të konkludohet hetimi palët do të jenë afër njëra-tjetrës, do të shkëmbejnë informacione, do të shkëmbejnë përvoja, do të koordinojnë veprimtarinë e tyre dhe kjo nga ana tjetër për mendimin tim dhe unë e besoj fort këtë, do të rrisë përgjegjshmërinë e secilit prej institucioneve në raport me mënyrën se si funksionojnë dhe do të shmangin njëherë e mirë hedhjen e fajit për mosfunskionimin e gjërave nga një institucion në institucionin tjetër", tha Çela.