Tirane - SPAK njoftoi sot se ka dërguar për gjykim dosjen hetimore për të ish drejtoren e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi e cila akuzohet se ka ndihmuar vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, të dënuar në Belgjikë të pastronin paratë e ardhura nga trafiku i drogës.
Të pandehur janë marrë dhe vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj si dhe Ardian Malasi i njohur i tyre, ortak dhe adminsitratori i shoqërisë “Ledio 04' për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal. SPAK kërkon dhe konfiskimin e paurive të sekuestruara më herët të pandehurve.
Vëllezërit Ramaj rezultojnë se janë dënuar nga autoritetet belge në 2021 për vepra të lidhura me narkotikët. Ndërsa Besjan Ramaj rezulton të jetë dënuar për vepra të njëjta penale edhe në vitin 2012, nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze.
SPAK thotë se për 13 vite nga viti 2010 deri në 2023, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj së bashku me të njohurin e tyre Ardjan Malasin, kanë investuar në pasuri të paluajtshme në vendin tonë, kanë kryer shitblerje dhe transferime pronësish e veprime financiare fiktive me qëllim pastrimin e të ardhurave.
'Përgjatë hetimeve të kryera, rezulton se i pandehuri Besjan Ramaj, të paktën prej vitit 2010 në bashkëpunim të veçantë me të pandehurin Leonard Ramaj (vëllai i tij), Ardjan Malasi (i njohuri i tij) kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë, si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.', njofton SPAK.
Sakaq, ata janë ndihmuar prej ish drejtores së Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi që prej vitit 2018.
'Ndërsa e pandehura Rajmonda Dashi është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi, e cila për shkak të kohës së përfshirjes në këtë veprimtari, rolit dhe veprimeve të kryera prej saj, rezulton se ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo atij të veçantë.', vijon më tej SPAK.
Cfarë veprimesh kanë kryer?
SPAK tregon se veprimet e tyre kanë konsistuar kryesisht "a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme; b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dh) përdorimit të shoqërive tregtare, përmes lëshimit të faturave fiktive për të transferuar lehtësisht paratë" citohet në njoftim.
Sa para të ardhura nga droga kanë pastruar në Shqipëri?
Prokuroria e Posaçme zbulon se shuma e përgjithshme e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është 1,250,000 euro dhe 9,000,000 lekë. Paratë e aktiviteteve kriminale të vëllezërve Ramaj, jepeshin në dorë tek firma 'Ledio 04' me administrator Ardjan Malasin në Shqipëri e cila i investonte në pasuri të paluajtshme.
'Përgjatë kësaj veprimtarie kriminale rezulton të jetë përdorur kryesisht paraja në dorë, e cila është integruar në shoqërinë “Ledio 04” sh.p.k me ortak dhe administrator, të pandehurin Ardjan Malasi, për t’u investuar më pas në pasuri të paluajtshme, e shoqëruar me kryerje të veprimeve dhe transferimeve të shumta bankare të vlerave monetare nga llogaritë e shoqërisë tregtare në atë personale dhe anasjelltas, duke u përfshirë në kryerje të veprimeve fiktive juridike, si huadhënie, shitblerje të pasurive të paluajtshme, apo transferim të këtyre pasurive, Shuma e parave të përfshira në veprimtarinë kriminale të pastrimit të produkteve të veprës penale rezulton të jetë afro një milion e dyqind e pesëdhjetë mijë euro dhe nëntëmilion lekë, informoi sot SPAK
SPAK thotë se të pandehurit kanë qenë në dijeni dhe kanë kryer të veprime të paramenduara.
"Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre tregojnë se të pandehurit kanë paramenduar mënyrën e të vepruarit, kanë patur vazhdimësi në veprimtarinë e tyre, duke u përfshirë në kryerje të veprimeve të shumta juridike dhe transaksioneve financiare, duke vepruar kështu në kuadër të një bashkëpunimi të vecantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim përfitimin material.
Dijenia e tyre mbi origjinën e paligjshme të pasurive dhe të të ardhurave rezulton e provuar për të pandehurit Besjan dhe Leonard Ramaj si të përfshirë edhe në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, ku janë gjeneruar të ardhurat e kundërligjshme dhe për të pandehurin Ardjan Malasi dhe Rajmonda Dashi nga rrethanat faktike, si përfshirje të tyre në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to" vijon SPAK.
Në lidhje me këtë hetim, thotë SPAK, është bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë së shtetit të Belgjikës dhe të Norvegjisë.
“Grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1/2
dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 të Kodit Penal
Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar më herët dhe është kërkuar konfiskimi në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i pasurive të të pandehurve.
SPAK thotë se për 13 vite vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj të dënuar në Belgjikë për drogë, në bashkëpunim me ortakun e tyre, Ardian Malasi të ndihmuar dhe nga ish drejtoresha e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi kanë arritur të pastrojnë shumën prej 1.25 milionë euro.
Dhe në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar më herët dhe është kërkuar konfiskimi në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e pasurive të cilat dyshohet se janë blerë me paratë e drogës.
Po ku janë investuar këto para?
SPAK ka evidentuar ndër të tjera 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë, 3 garazhe në Tiranë, një dyqan në Fier e 5 200 m tokë ullishte në Mallakastër, pasuri të cilat janë vënë në sekuestro më herët në kuadër të këtij procedimi penal dhe tani i kërkon GJKKO t’i konfiskojë.
Bëhet fjalë për 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë
SPAK sot mbylli hetimet për ish drejtoren e Kadastrës Rajmonda Dashi e cila akuzohet se ka pastruar paratë e krimit të vëllezërve Besjan e Leonard Ramaj që jetonin në Belgjikë. Vëllezërit bashkëpunonin përveçse me Dashin, edhe me administratorin e kompanisë Ledio 04, Ardjan Malasi duke i dhënë para cash për blerjen e pasurive të paluajtshme me qëllim pastrimin e parave. Tashmë dosja për të katërt është dërguar në GJKKO.
Prej tetorit 2023 Rajmonda Dashi, u hetua në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’
Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë në GJKKO (28 tetor 2023) ajo pat mohuar akuzat duke thënë se kishte njohje me Besjanin, njërin nga vëllezerit, me të cilin ka patur raport intim dhe madje ka dhe një djalë të cilit ai nuk i ka njohur atësinë. Dashi pat thënë se kjo është e vetmja gjë që e lidh atë me dy të dyshuarit.
Ndërkohë sot SPAk ka zbuluar se Rajmonda Dashi është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018 në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi. Për shkak të kohës së përfshirjes në këtë veprimtari, rolit dhe veprimeve të kryera prej saj, rezulton se ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo atij të veçantë, saktëson sot SPAK.
Ndërsa po në seancën e 28 tetorit në GJKKO, Ardian Malasin, i cili ka pretenduar se akuza ndaj tij nuk qëndron, teksa ka pranuar se ka blerë një apartament nga dy vellezërit te ish stacioni i trenit, të cilin ia ka shitur Rajmonda Dashit.
4 muaj në krye të kadastrës së Durrësit
Rajmonda Dashi u emërua në krye të Kadastrës në Durrës në gusht të 2021, ndërsa më herët kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Kadastrës në Krujë.
Ajo u emërua pas largimit nga detyra të Viola Hima e cila e mbajti këtë post për 4 muaj. Kaq muaj zgjati dhe koha e detyrës për Rajmonda Dashin në krye të Kadastrës së Durrësit, pasi në dhjetor të 2021, vetë drejtori i Përgjithshëm i Kadastrave, i asaj kohe Artan Lame i kërkoi Dashit të dorëzojë dorëheqjen.
Po kjo bundrra shtypej me horra ahah
PërgjigjuE ka ngrit kush gjashtenonç?
Nrijini mor tan rrasini mren! Tan hajvana e qelbsina mi fut n biruc. Jan ba spinela pabuksa dikur mi pas ka 3 bmw e ka 6 shpia. Portokall bota mos harroni or hajvana! Rrespekt per Spakun!
Përgjigju