PD dënon sulmin me eksploziv në biznesin që ndodhej në godinën në pronësi të Xhemal Bushatit: Kush mendon se mund të sulmojë demokratët i bën llogaritë gabim

26 Mars 2022, 10:20| Përditesimi: 26 Mars 2022, 12:01

  • Share

Partia Demokratike ka dënuar sulmin me eksploziv që i është bërë një biznesi që ndodhej në ambientet e dhëna me qira në godinën në pronësi të ish kandidat të saj për kryetar bashkie Shkodër, Xhemal Bushati. Për PD ky sulm ka prapavijë politike, ndërsa thotë se kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme të tilla i ka bërë llogaritë gabim.

Teksa i kërkon drejtësisë të zbardhë përgjegjësit, PD sulm qeverinë se ky përkeqësim i sigurisë vjen si pasojë e aleancës së saj me krimin

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi sulmin me eksploziv ndaj pronës së kandidatit demokrat për bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati. Për fat të mirë, familja e zotit Bushati, që banon në të njëjtën godinë, nuk ka lëndime fizike, por ngjarja është tronditëse për ta dhe për qytetarët e Shkodrës. Për fat të keq, gjendja e sigurisë në Shkodër ka vetëm përkeqësim për shkak të aleancës së qeverisë me krimin.  Partia Demokratike u kërkon organeve ligjzbatuese të zbulojnë përgjegjësit e këtij agresioni, që prek drejtpërsëdrejti zotin Xhemal Bushati, një nga personalitetet më të respektuar të qytetit të Shkodrës. Kush mendon se mund të përkulë demokratët me sulme direkte ose indirekte, i ka bërë llogaritë gabim”, thuhet në njoftimin e PD.

Gjatë orës 2.30 të mëngjesit dyqanit LC Waikiki në lagjen “Vasil Shanto" të Shkodrës iu vendos eksploziv. Biznesi ishte i dhënë me qira në pallatin në pronësi të ish kandidatit të PD për kryetar bashkie, Xhemal Bushati. Ai jeton në katin e 3 në po të njëjtën godinë ku ndodhej dhe biznesi. ndërsa nga shpërthimi ka pasur vetëm dëmet materiale. Po ashtu vetëm me pak minuta diferencë i është vendosur eksploziv edhe një biznesi tjetër. Nuk dihet ender nëse të dy sulmet kanë lidhje me njëra tjetrën.

Ora 12:00
Dy shpërthime me eksploziv në Shkodër, kryetari i bashkisë Spahia: Sulme të tilla rrisin pasigurinë, qyteti nuk i përkulet krimit

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia ka dënuar dy sulmet me eksploziv të ndodhur mëngjesin e sotëm në kryeqendrën e veriut. Spahia thotë se sulme të tilla rrisin pasigurinë dhe se Shkodra nuk do i përkulet kurrë krimit. Ai bën thirrje që autorët të vihen para drejtësisë.

“Dënoj me forcë aktet kriminale që tronditën Shkodrën mëngjesin e kësaj të shtune. Skena të tilla, kriminale me eksploziv, ndaj banorëve të Shkodrës, jo vetëm dëmtojnë imazhin e këtij qyteti por rrisin frikën dhe pasigurinë e shkodranëve për të jetuar dhe punuar në qytetin e tyre. Ftoj institucionet ligjzbatuese, Policinë dhe Prokurorinë, të zbardhin në mënyrë urgjente këto ngjarje kriminale, që nuk janë të Shkodrës, por të krimit që ka marrë peng qeverinë! Shkodra nuk i përkulet krimit”, shkruan Spahia.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?