Politikë

PD denoncon rritjen e çmimeve të shportës: Qeveria ndan buxhetin e shtetit me oligarkët, po varfëron shqiptarët! Ne kemi program për të rritur mirëqenien

6 Shtator 2021, 18:22| Përditesimi: 6 Shtator 2021, 18:25

  • Share

Partia Demokratike ka denoncuar rritjen e çmimeve të ushqimeve të shportës. Përmes sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Greta Bardeli Gjoni, PD shprehet se qeveria po varfëron edhe më tej familjet shqiptare, ndërkohë që duhet të kishin mirëqenin më të lartë se vendet në rajon për shkak të burime natyrore që gëzon Shqipëria. PD akuzon qeverinë se po ndan buxhetin e shtetit me oligarkët dhe se paratë publike merren nga zyrtarë të lidhur me grupet e kriminalizuara.

“Çmimet e ushqimeve të shportës për çdo familje shqiptare kanë ardhur në rritje. Duke filluar nga buka, qumështi e zarzavatet, çmimet po bëhen përditë e më të papërballueshme për familjet e thjeshta shqiptare! Pa rritjen e pagave, pa përdorimin e subvencioneve te duhura në bujqësi, pa uljen e çmimit të karburantit për transportin, tendenca drejt varfërisë së familjeve në vend po merr vrull dramatik! Nga ana tjetër, qeveria ndan tortën e buxhetit të shtetit me oligarkët. Paratë publike përpihen frikshëm nga zyrtarë të lidhur me grupet e kriminalizuara. PPP-të, tenderat publikë apo sekretë, janë rruga më e shpejtë e pasurimit të njëmijë njerëzve me firmë e vulë në xhepat e tyre.  Paçka se vendi ynë gëzon burime natyrore, falë të cilave shqiptarët duhet të kishin pasurinë për frymë më të lartë se vendet e rajonit, familjet shqiptare kanë të ardhurat më të ulëta se çdo vend tjetër në rajon. Kjo ndodh sepse shqiptarët janë të grabitur nga një pushtet që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese në Shqipëri”, shkruan  Greta Bardeli Gjoni

Sipas PD zgjidhjen për këtë e jep programi i saj për të rritur mirëqenien dhe luftuar korrupsionin.

“Ndodh sepse bashkë me votën, shqiptarëve u është marrë perspektiva për një qeverisje më të mirë, që garanton mirëqenie për të gjithë. Partia Demokratike ka një vizion të qartë dhe një program të detajuar për të rritur mirëqenien dhe për të luftuar korrupsionin që gërryen çdo ditë sigurinë ekonomike të familjeve ne nivel kombëtar. Planet tona patën mbështetjen e qytetarëve, ndaj ne do të luftojmë me ta dhe për ta, për t’i zbatuar ato dhe për të garantuar një jetë më të mirë dhe zhvillim te qëndrueshëm ekonomik dhe social”, thuhet në deklaratën e saj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?