Dorjan Teliti
Partia Demokratike thekson qëndrimin e saj për procesin e shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke përsëritur se ky i fundit duhet të jetë i pranishëm në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak dhe t'i dëgjohen pretendimet, para ky organ të propozojë shkarkimin e tij.
Reagim i Dorjan Telitit, Nënkryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë:
Kryesia e Këshillit Bashkiak duhet të mblidhet URGJENTISHT SOT për të garantuar që procedura e shkarkimit të Erion Veliajt të zhvillohet në përputhje me ligjin (duke filluar nga e dëgjesa e tij në mbledhjen e Këshillit).
Çdo shkelje/devijim nga rregullat ligjore do të rëndojë nesër mbi qytetarët e Tiranës me faturë dëmshpërblimi prej qindra mijëra eurosh si pasojë e shkeljeve proceduriale.
Shkarkimi i Veliaj duhet të ndodhë sa më shpejt, por gjithmonë duke respektuar procedurën ligjore.
Më herët gjatë ditës së sotme Veliaj iu përgjigj kërkesës së Sekretarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku thuhej që kryebashkiaku të dërgonte me shkrim mbrojtjen e tij në rast pamundësie për të qenë i pranishëm në mbledhje.
Në përgjigje, Veliaj theksoi se nuk është kompetencë e Sekretarit të Këshillit Bashkiak të bëjë kufizime të tilla.
Edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shprehur se kryebashkiaku Veliaj duhet të dëgjohet nesër në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës para se anëtarët të propozojnë shkarkimin e tij, duke u bazuar në nenin 62, gërma c, të ligjit për qeverisjen vendore, i cili thotë se organit legjislativ të bashkisë i lind e drejta për të kërkuar shkarkimin e kryetarit, në rast se ky i fundit ka munguar në krye të detyrës për më shumë se 3 muaj.
Lajmi kryesor:
Nesër mbledhja për shkarkimin/ Sekretari i Këshillit letër Veliajt: Nis pretendimet me shkrim! Kryebashkiaku: S’e vendos ti, prania ime të hidhet në votim
K.M/ReportTv.al