Kryetari i Bashkisë së Malësi së Madhe Tonin Marinaj, ka reaguar lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike, e cila i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë sipas ligjit të dekriminalizimit Marinajn.
Me një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se ky është një skenar i dobët i frymëzuar nga ata që rrinë pas dritares, duke iu referuar kryetarit të PD Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie.
"U habita nga "skenari" i dobët, i shkruar apo i frymëzuar nga ndonjë pasdritare, "skenar" që nxjerr zbuluar edhe qëllimin për të cilin u sajua. Vitin që vjen, ka zgjedhje dhe Malësia e Madhe dhe malësorët, do të votojnë për qeverinë e tyre, sigurisht për të rikonfirmuar këtë mazhorancë dhe kryeministrin Edi Rama. Nuk do të kisha marrë mundimin t' ju përgjigjesha nongratave që po përpiqen të krijojnë një "skenar" shpifjesh në Malësi të Madhe. Por e ndjej detyrim për të gjithë banorët e Malësisë së Madhe, votues ose jo të mijtë, detyrim për Partinë Socialiste, kryetarin dhe kryeministri Edi Rama, për bashkëpunëtorët e mi, për të afërmit, miqtë e të njohurit dhe sigurisht për familjen time të deklaroj: Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë "skenar" të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi", shkruan ai.
Marinaj shkruan se është i hapur përballë çdo institucioni si SPAK, KQZ, prokurorisë dhe KLSH.
"Jam i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtimin tim. Ofroj bashkëpunimin tim maksimal për t'i lehtësuar punën me një synim të vetëm: Të gjitha të vertetat të dalin në shesh dhe t'i mbyllet goja e shthurur e shpifjes çdo personi, qoftë ose jo anëtar apo drejtues i njërës prej PD- ve", shkruan ai.
Lajmi kryesor:
Dekriminalizimi/ PD kërkesë Prokurorisë: Verifiko kryebashkiakun socialist të Malësisë së Madhe! Tonin Marinaj: Akuza të fabrikuara
S.B/ReportTv.al