Sali Berisha do të shmangë primaret për të nxjerrë kandidatin e Bashkisë së Tiranës, dhe rivali i Ogerta Manastirliut do të zgjidhet përmes një procesi negociatash me partitë e tjera të opozitës.
Partia Demokratike ka ngritur një grup pune prej 3 personash të cilët do të negociojnë me partitë e tjera opozitare për të përzgjedhur emrat e kandidatëve që do të garojnë për Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkitë e tjera ku do të mbahen zgjedhje të parakohshme.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i PD Sali Berisha, teksa në konferencën për shtyp ju përgjigj pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku.
Sipas Berishës, grupi negociator do të diskutojë me partitë e tjera të koalicionit dhe ato jashtë koalicionit për të përzgjedhur emrat e kandidatëve, e më pas do të bëhet seleksionimi i tyre.
“Unë kam ngarkuar një grup prej 3 personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Përfaqësuesit tanë do negociojnë me partitë e tjera. A më shkon mua që nga një anë t’ju them partive të tjera si do negociojmë dhe nga ana tjetër të them emra? Këta 3 persona janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, në koalicion dhe jashtë koalicionit. Ata takohen për kandidatët. Pasi të bien dakord për emrat me parti të tjera pastaj vjen radha e kandidatëve. Puna është në vazhdim. Unë nuk kam ndërmend që të prononcohem për njeri”, u shpreh Sali Berisha.
Janë 6 bashki në vend ku pritet të mbahen zgjedhje të parakohshme, pasi kryetarët e disa prej tyre janë dorëhequr për shkak se janë zgjedhur ministra e deputetë, të tjerë për arsye personal si dhe Erion Veliaj në Tiranë që u shkarkua për shkak se është i arrestuar.
Bashkitë që pritet të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme janë Tirana, Vlora, Mati, Tepelena, Berati dhe Cërriku.
Komente
