Partia Demokratike prezantoi sot zyrtarisht kandidatin për kryetar të bashkisë së Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi dhe kandidatin për Bashkinë e Shkodrës Xhemal Bushati, të propozuar nga strukturat e degës.
Në Bashkinë Shkodër, prezantimi i kandidatit Xhemal Bushati u bë nga drejtuesi politik i PD për Shkdorës, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se dora mbetet e shtrirë për çdo demokrat. Ai tha se PD është e sulmuar dhe jo e përçarë.
"Kemi bërë këtë zgjedhje si një detyrim ndaj qytetarisë shkodrane. Sfida është për Shkodrën, që ti mbetet qytetarisë dhe sakrificës. Shtrijmë dorën për çdo demokrat pasi këtu është vendi i tij. Shkodra është e PD dhe do të ngelet e PD. PD nuk është e përçarë, mund të jetë e sulmuar. Shkodra përballë së majtës, kjo na pret në 6 mars", tha Alibeaj.
Ndërsa Xhemal Bushati tha se aleancën e vetme e ka me qytetarët.
"Vij si kandidatura e bazës për të marrë besimin e qytetarëve. Aleanca jonë e vetme është me qytetaret. Do të bashkoj demokratët dhe jam në shërbim të qytetareve", tha Bushati.
Në Bashkinë e Rrogozhinës, prezantimi i Ferdinand Saraçit u bë nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe nga nënkryetarja e PD, Grida Duma, të cilët vlerësuan Saraçin si njeriun që do të sjellë ndryshim në Rrogozhinë.
Ndërsa Saraçi u shpreh se do të punojë maksimalisht që të sjellë fitoren për demokratët dhe qytetarët e Rrogozhinës. Ai tha se demokratët po i bashkohen gjithmonë e më shumë PD dhe jo LSI dhe se beteja për bashkinë rrogozhinë do të jetë vetëm me të majtët, pavarësisht përçarjeve mes demokratëve.
“Unë dua të falenderoj kryesinë e Partisë Demokratike, kryesinë e degës Rrogozhinë me propozimin me emrin tim dhe përgjegjësinë që kam marrë përsipër. Unë dua tu falenderoj të gjithëve, bashkë na pret një punë e madhe jo e vogël, dihet se çfarë kemi përballë. Puna jonë në 7 vite me opozitën dhe punën e palodhur të gjithë anëtarëve të kryesisë dhe të partisë. Unë dua ti falenderoj të gjithë, pavarësisht se disa nuk janë këtu, motivet dihen, por me bindje të plotë që çdo ditë nga një po vjen dhe i bashkohet Partisë Demokratike dhe jo LSI-së. Puna na pret, unë ju jap besën sot, për punë jam 24 orë. Edhe ju gjithashtu të bashkoheni ta thyejmë. Nuk është një bashki që nuk fitohet. Këtu kanë dhënë provat që bashkia është fituar edhe ne bashkë e fitojmë, me një organizim pune të mirë, të mrekullueshëm. Stafi është ajka e bashkisë në Rogozhinë. Po ti shikoni të gjithë janë figura të papërlyera dhe figura të pastra. Kemi mundësi të hyjmë në çdo shtëpi me kërkuar votë. Gjatë 7 viteve opozitë kam denoncuar pa fund problematikat e bashkisë Rrogozhinë. Edhe është kohë e shkurtër një muaj fushatë, por garantoj që shumë njerëz më njohin dhe do më respektojnë ditën e 6 Marsit”, tha Saraçi.
Ymer Marku
Prezantohet kandidati PD për Vorën, Ymer Marku: Vora me qeverisje lokale inekzistente, rindërtimi ka ngecur! Do punoj për qytetarët!
Ditën e sotme në qytetin e Vorës nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku bashkë me Sekretarin Organizativ Flamur Hoxha prezantuan kandidatin e Partisë Demokratike Ymer Markun.
Në një atmosferë tejet të ngrohtë kanditati Marku u mirëprit nga qytetarët e Vorës. Në prezantimin e kandidatit Ymer Marku deputetja Tabaku u shpreh se "Kandidatura e Ymer Markut është realisht zgjedhja e duhur dhe për të ardhmen e Vorës. Ai ka qenë pranë PD dhe ka punuar për forcën tonë politike edhe në ditët e mira edhe në ato të këqija.”
Ky është test dhe ne do ta kalojmë me sukses, u shpreh Tabaku, pasi rivali Markut është një kandidaturë e panjohur dhe pa të shkuar. Vora është keqtrajtuar nga bandat dhe keqqeverisja, koha të zgjedhim të ardhmen!
Pas fjalës së nënkryetares së PD qytetarëve iu drejtua kandidati Ymer Marku. Ai u shpreh se eksperienca e tij politike ëahtë provë e mënyrës se si ai ka punuar dhe di të punojë.
Ne kemi parë një qeveri lokale inekzistente, u shpreh Marku. Rindërtimi nuk ecën dhe qytetarët janë pa shtëpi. Në bashkinë e Vorës gjen më shumë sekserë se sa të punësuar në Bashkinë e Vorës.
Ne duhet të votojmë për të ardhmen, u shpreh Marku, për fëmijët tanë dhe për veten tonë.
Ai u shpreh i bindur që qytetarët e përbuzur dhe trajtuar padrejtësisht nga bashkia Vorë. Në fund të takimit Marku u shpreh se tanimë duhet të punojmë dyfish sepse koha nuk premton.