Politikë

PD vendos të hyjë në Kuvend, Balla e përshëndet: Rikthimi në sistem është një lajm i mirëpritur, bojkoti s'të çon asgjëkundi

4 Maj 2021, 22:36| Përditesimi: 4 Maj 2021, 22:41

  • Share

Vendimi i PD-së për të hyrë në parlament në shtator kur betohen deputetët e zgjedhur më 25 prill, ka sjellë dhe reagimin e parë të Partisë Socialiste. Kreu i grupit parlamentar dhe sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka përshëndetur këtë vendim duke thënë se rikthimi i PD në sistem është një lajm i mirëpritur. Balla shprehet në 'Real Story' se PD e ka kuptuar se rruga e bojkotit dhe e largimit nga institucionet nuk të çon asgjëkundi por vetëm në humbje.

“Në qoftë kështu… Është gjëja më e mirë. E përshëndes nëse PD ka kuptuar që rruga e bojkotit dhe e largimit nga institucionet nuk të çon asgjëkundi përveçse në humbjen tjetër të radhës. Sot është miratuar tabela e rezultateve nga KQZ. Prej sot fillojnë numërohen ditët e afateve të ankimimit apo kontestimit. Mendoj që çdo parti politike, ankimet e veta t’i ndjekë në rrugë institucionale. Uroj që PD t’i rikthehet institucioneve. Të qenit jashtë parlamentit nga 26 shkurti i vitit 2019 dhe më pas dhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore e nxori PD nga sistemi. Rikthimi i PD në sistem është një lajm i mirëpritur. Unë realisht e besoj dhe dua të nënvizoj atë që DASH tha që ne përshëndesim rezultatin e zgjedhjeve, vazhdojmë partneritetin e ngushtë strategjik me kryeministrin Rama, por përshëndesim edhe fushatën e PD. PD bëri një fushatë të fortë. Ka rikuperuar në një pjesë të madhe të territorit nga diferenca e madhe e 2017-ës, por të mos harrojmë që këto janë limitet e PD", tha Balla.

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë mbledhjes që zhvilloi pasditen e sotme me kandidatët fitues dhe jo fitues të 25 prillit, tha se beteja e PD do të vijojë në parlament me të gjithë forcat për të sjellë ndryshimin, ndërsa kërkoi nga të gjithë kandidatët që të angazhohen për të mbledhur fakte nga manipulimi i votave që sipas Bashës çuan në humbje e  PD-së.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?