Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi një takim konsultues me krerët e grupeve parlamentare të partive për formimin e organeve të reja të parlamentit. Në fokus të diskutimeve është përzgjedhja e anëtarëve të delegacioneve, Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Peleshi do t’u prezantojë palëve edhe një draft për ndryshimin e shpejtë të Rregullores së Kuvendit, që do t’i hapë rrugë rikonceptimit të Komisioneve Parlamentare, sipas modelit të propozuar nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste më 11 shtator, ku edhe zbuloi kabinetin e ri qeveritar.
Burime për gazetaren Esiona Konomi bëjnë me dije se Gazment Bardhi ka kundërshtuar skemën e propozuar nga Rama. Opozita nuk ka dhënë emra për krerët e komisioneve dhe organet e Kuvendit, por gjithsesi pritet që nesër të vendosë emrat nëpër poste, pavarësisht se ka kundërshtuar arkitekturën e komisioneve. PD ka protestuar për heqjen e Komisionit të Integrimit, dhe pretendon se në fakt nuk i janë dhënë 4 komisione, por një komision që opozita e ka mbajtur (Media dhe Edukimi) është ndarë në 3 pjesë dhe i janë shpërndarë opozitës.
Burime për gazetaren Raziela Myslimaj bëjnë me dije edhe emrat e kryetarëve të 7 komisioneve që do të drejtojë PS-ja. Gazetarja raporton se përveç komisioneve të përhershme, gjithashtu PS ka caktuar edhe drejtuesit për dy reforma që priten në vijim gjatë këti sesioni parlamentar: për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin; për Komisionin e posaçëm për reformën territoriale, Arbjan Mazniku.
Mësohet gjithashtu se zëdhënëse e grupit parlamentar të PS është zgjedhur deputetja deputetja Erjona Ismajli.
Kliko këtu për të lexuar relacionin e plotë
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka folur për mediat pas daljes nga mbledhja me krerët e grupeve parlamentare në Kuvend.
Ai ka kundërshtuar miratimin e propozimit të kryeministrit Rama për ndryshim të rregullores duke pretenduar se ligjërisht minimumi duhet të respektohet afati 1 javor i parashikuar në rregulloren aktuale për ndryshim.
“Kërkuam që edhe formalisht të respektohet rregullorja, Kushtetuta, por u gjendëm përballë vendosmërisë të kryetarit të ri të parlamentit, të kryetarit të grupit parlamentar të rilindjes që janë të vendosur për të shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët duke kaluar në seancën e nesërme ndryshime të rregullores, ku qartësisht rregullorja parashikon që ndryshimi i rregullores kërkon një afat të përcaktuar prej të paktën 2 javë. Dhe në procedurë të përshpejtuar duhet respektuar të paktën afati 1 javor.
Po kërkojmë konsensus mbështetur në atë që parashikon rregullorja.
Ajo që kundërshtojmë ne është që Edi Rama kërkon ta a trajtojë Kuvendin si noter të vendimeve të tij të paligjshme”, tha Blushi.
Komente
