Për të mbrojtur fortesën ‘Air Albania’ Gjeorgjia provë pjekurie për Shqipërinë! Sonte sfida e Ligës së Kombeve, ja dilema që ka Sylvinho

10 Shtator, 12:23| Përditesimi: 10 Shtator, 13:29

  • Share

Tirane- Për të mbrojtur fortesën “Air Albania”, për vendin e parë në grup dhe për të përmirësuar bilancin e përballjeve direkte ndaj Gjeorgjisë. Të tria objektivat Kombëtarja mund t’i përmbushë sonte duke mundur Gjeorgjinë, ekipin surprizë të Europianit dhe skuadrën e momentit. Në mbrëmje duke nisur nga ora 20:45 në një “Air Albania” të mbushur plot Shqipëria pret Gjeorgjinë në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë zhvilluan dje seancën e fundit stërvitore dhe janë të gjithë në dispozicion të trajnerit Sylvinho i cili vetëm duhet të zgjedhë. Braziliani pritet të hedhë në fushë të njëjtët lojtarë që luajtën ndaj Ukrainës, por me një dilemë të vetme: kush do të mbulojë yllin e gjeorgjianëve Kvara Hysaj apo Balliu?

Në portë do të jetë Strakosha në mbrojtje Hysaj ose Balliu në të djathtë e më pas Ismajli, Kumbulla e Mitaj. Në mesfushë Laçi, Ramadani e Asllani e në sulm Bajrami, Asani e Manaj. Sylvinho është optimist, kërkon maksimumin e pikëve pavarësisht se respekton kundërshtarin.

Për Kristjan Asllanin objektiv është kualifikimi në Botëror.

Me Sylvinhon në pankinë në “Air Albania” Shqipëria nuk ka humbur asnjëherë duke fituar katër e barazuar vetëm një sfidë. Kjo e mbrëmjes së sotme është edhe një përballje ndaj një “maceje të zezë” siç është Gjeorgjia për Shqipërinë pasi në 15 ndeshje kuqezinjtë kanë fituar vetëm tre herë.

Sfida vlen për kreun e grupit B 1 të Ligës së Kombeve. Shqipëria në ndeshjen e parë e mundi 2-1 Ukrainën ndërsa Gjeorgjia fitoi me goleadë ndaj Çekisë 4-1. Trajneri i miqve francezi Vili Sanjol thotë se stadiumi plot i motivon ndërsa e cilëson si një sfidë mes dy ekipesh të ngjashme. Edhe gjeorgjianët janë njohur me “Air Albanian” pasi zhvilluan aty seancën e fundit stërvitore. Shqipëria ka sot provën e pjekurisë, sfida ndaj Gjeorgjisë premton spektakël.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?