Paris Saint Germain dhe Liverpool takohen sot në orën 21:00 për ndeshjen e parë mes tyre në këtë sezon të Champions League në fazën e 1/8. Dueli nuk duhet humbur dhe premton spektakël, me dy skuadrat që janë në formë të mirë dhe dominojnë kampionatet respektive. Për mediet foli trajneri i Liverpool, Arne Slot.
"PSG është një nga skuadrat më të forta në Evropë, siç mund ta shihni nga mënyra se si ata kanë luajtur në muajt e fundit. Është një ndeshje e mrekullueshme që nuk duhet humbur për këdo që e do futbollin. Të dy kemi shënuar shumë gola këtë sezon dhe luajmë në të njëjtën mënyrë, kështu që do të jetë interesante’’, tha ai.
Më pas Slot komplimentoi edhe trajnerin rival, Luis Enrique, që tha se ka bërë gjëra të mëdha në Paris.
‘’Luis Enrique ka bërë shumë gjëra të mëdha në Paris, njëra prej të cilave është përmirësimi i paraqitjeve individuale. Të dyja skuadrat kanë sulmues në formë të shkëlqyer. Mendoj se kjo skuadër parisiene është edhe më e mirë se ajo që arriti në gjysmëfinale sezonin e kaluar’’, tha ai.
Slot shtoi se Real Madrid është ekipi më i mirë në Evropë, kjo pasi ka fituar Ligën e fundit të kampioneve.
"Është një kompliment i bukur që ne jemi skuadra më e mirë në Evropë, por skuadra më e mirë në Evropë duhet të fitojë Ligën e Kampionëve dhe ne jemi ende shumë larg nga kjo. Skuadra më e mirë në Evropë për momentin është Real Madrid, i cili e fitoi herën e fundit", tregoi Slot.
Komente
