Kreu i Policisë së Shtetit mbajti fjalën e tij teksa u përcoll sot për në banesën e fundit efektivi i Shqiponjave, Novruz Cenalia, që humbi jetën teksa u qëllua me plumb në kokë nga Azgan Mërnica, ende në kërkim.
Rrumbullaku siguroi familjen e të ndjerit, se pavarësisht humbjes së të dashurit të tyre, policia e shtetit dhe ministria do të jenë gjithnjë pranë tyre.
'Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme të Novruz Cenalisë, djali të ri në moshën 28 vjeç na ka tronditur të gjithëve. Familja Cenalia përcjell sot me lot djalin e saj dhe policia e shtetit ndjen dhimbje dhe keqardhje. Ministria e brendshme dhe i gjithë opinioni publik ndodhet pranë familjes Cenalia për të lehtësuar sadopak dhimbjen e saj. Të gjesh fjalë në momente të tilla nuk është e lehtë. Nuk ka fjalë të ngushëllosh, prindin, motrën, vëllain, të gjithë njerëzit e afër të Novruzit për ikjen e tij në lule të rinisë. Për të gjithë ne dhimbja bëhet edhe me e hidhur kur jeta e punonjësit të policisë së shtetit ndërpritet shpejtë nga dora e një vrasësi. I rritur në një familja ku uniforma e policisë ishte e pranishme prej 2 dekadash, veshur me këtë uniformë të shtrenjtë ai kaloi çastet finale dhe më dramatike të jetës së tij. dhe ne e përcjellim sot në banesën e fundit si punonjës i policisë së shtetit me të gjithë nderimet që i takojnë. Mes dhimbjes së thellë i japim lamtumirë kolegut duke u zotuar se policia e shtetit do të luftojë me ashpërsinë, më të madhe ligjore. Kushdo që cënon punonjësin e policisë do të marr përgjigje ligjore. Policia e shtetit është zotuar për të vendosur para ligjit vrasësin e Novruzit. Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të ketë në dorë vrasësin e Novruzit. Njëkohësisht si drejtor i policisë dua të garantoj familjen Cenalia se organizata jonë do të jetë krah tyre. Mungesa e njeriut të dashur dhemb shumë po ju lutem besoni tek policia e shtetit dhe ministria e brendshme se ajo nuk harron kurrë gjakun e derdhur. Në emër të policisë së shtetit dua të garantoj se sakrifica e Novruzit dhe e të gjithë të rënëve do të lartësohet. I paharruar kujtimi i Novruz Cenalisë', ka qenë fjala e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Lajmi kryesor:
Ceremonia e lamtumirës/ Polici i vrarë në Fier përcillet për në banesën e fundit! Autori vetëdorëzohet
G.K/ReportTv.al