Foto ilustruese

Ekonomi

Përdorimi i internetit/ Qytetarët ‘fiksohen' pas informacioneve për shëndetin! Rriten me 9.4% shitjet-blerjet online në 2020

2 Prill 2021, 16:54| Përditesimi: 2 Prill 2021, 16:56

  • Share

Hyrja e pandemisë thuajse në çdo familje shqiptare dhe paniku që shkaktoi, i ka bërë qytetarët më kureshtarë për të mësuar mbi shëndetin, apo për të lexuar informacionet më të fundit që qarkullonin mbi virusin.

Sipas raportit të INSTAT  interneti gjatë vitit të kaluar është përdorur më shumë për kërkim informacioni për shëndetin, me një rritje prej 8.7% krahasuar me 2019.

“Nga ana tjetër, aktivitetet që kryhen nëpërmjet internetit në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës të cilat kanë regjistruar rritjet më të larta janë: kërkim i informacionit lidhur me shëndetin (8,7 pikë përqindje), thirrjet nëpërmjet internetit, video thirrjet (3,9 pikë përqindje), komunikimi me mesazhe të shkruara (3,6 pikë përqindje) dhe internet Banking  (3,0 pikë përqindje)”, thuhet në raportin e INSTAT.

Ndërkohë në vitin 2019, sipas INSTAT interneti u përdor më shumë për kërkim i informacioni për mallrat dhe shërbimet, marrjen ose dërgimin e email si dhe për të parë filma në internet.

Pandemia COVID-19 ‘fuqizoi’ tregtinë online!

Biznesi i ri që mori hov gjatë vitit të kaluar, ishte biznesi online ndër të vetmit që përfitoi nga pandemia COVID-19. Përgjatë vitit pandemik 2020 blerjet dhe shitjet online regjistruan një rritje me 9,4 pikë përqindje. Sipas raportit 19.5% e popullsisë së grup-moshës 16 - 74 vjeç në 12 muajt e fundit, kanë kryer blerje online.

Pavarësisht ecurisë pozitive, pandemia ka ndikuar në sjelljen e qytetarëve të cilët si pasojë e pasigurisë kanë rritur blerjet për ilaçe dhe produkte higjienike.

“Gjithashtu rritje më të lartë në vitin 2020 kanë shënuar blerjet “online” për “ushqime, pije nga dyqanet apo ofruesit” me 16,6 pikë përqindje ndjekur nga blerje për “ilaçe, suplemente apo vitamina” me rreth 9,2 pikë përqindje”, thuhet në raport.

Ndërkohë pas nuk kanë mbetur edhe blerjet “online”, të rrobave, këpucëve dhe aksesorëve, që janë rritur me 2.2% krahasuar me 2019.

Po ashtu është rritur edhe numri i qytetarëve që ka marrë shërbim në platformat online të institucioneve të ndryshme, ku 93,9 % e individëve që kanë ndërvepruar me autoritet publike nëpërmjet internetit kanë mbetur të kënaqur me shërbimet publike të ofruara.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?