Ndonëse “Përjetësisht me ty Shqipëri” dedikim për Kombëtaren e Shqipërisë, u lançua fundvitin që lamë pas, ka bërë për vete, jo vetëm zemrat e Tifozëve Kuq e Zi, por të mbarë shqiptarëve, në çdo skenë që ajo këndohet. Këngëtari Ilir Shaqiri na rrëfeu për realizimin e saj, pas një prej performancave të mbajtura rishtazi në Tiranë, në Teatrin Eksperimental.
“Ishte një kërkesë nga strukturat udhëheqëse të Tifozëve Kuq e Zi për 20-vjetorin e tyre që do të të mbahej në 23 dhjetor në sheshin “Skënderbej”. Bëhej fjalë për hapësirë të ngushtë, një muaj. Unë u thashë po përpiqemi me miqtë e mi të bëjmë diçka, po nëse nuk arrijmë atëherë do vij me këngët e mia, dhe u bë ajo që ju dëgjoni tani. E realizuam bashkë me poetin Adem Gashi, kompozitorin Edmond Zhulali dhe me dy çunat artistë shumë profesionist Kristi Lamajn nga Vlora dhe Remo Torra nga Pogradeci”, shprehet këngëtari Ilir Shaqiri.
Nga Kruja e lavdishme, Vlora e Flamurit tek Prekazi i Adem Jasharit, Shqipëria është bashkuar në këtë këngë patriotike. Ishin ndër vargjet e fundit që shkroi poeti Adem Gashi i ndarë nga jeta vetëm dy ditë më parë.
“Arritëm të bëjmë një këngë ku brenda saj, qoftë për tekstin ashtu edhe nga ana muzikore ka edhe veriun edhe jugun, Shqipërinë në përgjithësi. Dhe kjo mua më ngrohu shumë. Për poezinë ne kemi punuar shumë në vazhdimësi bashke me poetin Adem Gashi dhe Edmond Zhulalin derisa të gjenim ato fjalë që ngjisin me publikun dhe mendoj se kemi bërë një këngë që do të pëlqehet”, shton këngëtari.
Jo vetëm në poezi, por edhe në komponentët e tjerë muzikorë Shaqiri tregon, se në këtë këngë bëhen bashkë Shqipëria e Kosova.
“Ka pasur shumë lavdërime dhe unë jam shumë i lumtur që kam bërë një këngë që e ngre publikun në këmbë. Është ky misioni i një kënge të këtij lloji që e ka arritur qëllimin dhe sa i përket orkestrimit. Duke mos harruar dhe instrumentistë të tjerë si Fatmir Makolli që ka ardhur nga Kosova, me çifteli dhe gajde, por edhe instrumentistë të tjerë nga Shqipëria që kanë performuar ‘live’ në studion e Zhulalit”, tregon ai.
E ndoshta e ardhmja, do të mund të sillte bashkimin e dy përfaqësuesve edhe në sport.
“E ardhmja është jo vetëm bashkim i sportit, ne e kemi bërë me artin tonë, e kanë bërë edhe artistët e mëhershëm të të gjitha fushave. Po ashtu jemi bashkuar shpirtërisht, tanimë ngelet që politika ti bëj ato dy punë të vogla që të jemi bashkë gjithmonë” thotë Shaqiri.
Nuk mund të veçojë asnjë prej lojtarëve të Kombëtares, të cilën e shikon si një trup të vetëm.
“Njëri veç nuk shkëputet, sepse sporti, futbolli posaçërisht është sport kolektiv, sikundër është edhe muzika, kënga. Lojtarët në futboll nuk mund të bëjnë njëri pa tjetrin”, thotë më tej.
E megjithatë, është optimist për prezantimin e Kombëtares Shqiptare të Futbollit në Europianin e këtij viti.
“Shqipëria do të paraqitet shumë mirë dhe kjo është me rëndësi për ne”, shprehet ai.