Për shkak të përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike në zonën e Vlorës dhe Himarës gjatë datave 21-22 gusht 2025, është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit, si brenda gjirit të Vlorës e Himarës, ashtu edhe në det të hapur, duke nisur nga ora 10:30 e datës 21 gusht.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve detare janë të këshilluar të marrin masa sigurie për mjetet dhe ekuipazhet, si dhe të qëndrojnë në gatishmëri për shkak të motit të keq.
Autoritetet bëjnë apel për bashkëpunim nga subjektet dhe institucionet që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur.
Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve të tyre. Përmirësimi i kushteve atmosferike për mjetet e vogla lundruese dhe peshkarexhat pritet pas orës 08:00 të datës 22 gusht 2025.
Njoftimi i plotë:
'Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësura gjatë datave 21-22.08.2025
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 21-22.08.2025 duke filluar nga ora 10:00 datë 21.08.2025 në drejtimin jug-jug-perëndim në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra, ju bëjmë me dije se është ndaluar pajisja me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat operojnë brenda gjirit të Vlorës, Himarës dhe në det të hapur duke filluar nga ora 10:30 datë 21.08.2025.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës dhe Himarës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.
Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 22.08.2025.
Komente
