Kronikë

Përkeqësohet situata me zjarret në pyjet e Gramshit, kryebashkiaku Ajazi: Vatër e re zjarri më agresive, rrezikohen banesa

11 Gusht, 16:35| Përditesimi: 11 Gusht, 16:41

  • Share

 

Situata nga zjarri në Sojnik të Gramshit është përkeqësuar akoma më shumë. Sipas kryebashkiakut të Gramshit, Besian Ajazi, një tjetër vatër zjarri ka shpërthyer mbi fshatin Sojnik që është akoma më agresive.

Në postimin në Facebook, Ajazi shkruan se flakët janë përhapur deri në fshatin Snosëm dhe rrezikon banesa.

“Situatë emergjente në pyjet e Gramshit. Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Mukaj të Sojnikut, Njësia Administrative Kukur ndërsa tani në mesdrekë është ndezur një vatër e re zjarri më e madhe dhe më agresive mbi fshatin Sojnik i cili është përhapur deri në fshatin Snosëm duke rrezikuar edhe banesa”.

Kryebashkiaku i Gramshit thotë se flakët kanë rënë si pasojë e zjarrvënieve të qëllimshme.

“Dyshohet se shkaku është veprimtaria kriminale e piromanëve, që me papërgjegjshmëri të tmerrshme po rrezikojnë jetën, natyrën dhe pronën publike. Pavarësisht angazhimit maksimal të shërbimit tonë zjarrfikës, shërbimit pyjor, drejtorisë së shërbimeve, vullnetarëve dhe ndihmës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile – me 20 efektivë në terren dhe 2 helikopterë në operacion – zjarri vijon të jetë aktiv dhe i vështirë për t’u vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë, temperaturave të larta dhe erës të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve. Dënojmë me forcë aktet barbare të zjarrvënies së qëllimshme. Autorët do të përballen me ashpërsinë më të madhe të ligjit dhe me zemërimin e një komuniteti që nuk lejon askënd të dëmtojë pasurinë e përbashkët. Jemi në monitorim të pandërprerë dhe do të vijojmë betejën për të mbrojtur pyjet dhe banorët tanë”, ka shkruar ai.

 

 


Lajmi kryesor:

Digjet Shqipëria! Zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq, Poliçan, Gramsh, Krujë e Fushë-Arrëz! Evakuime dhe ndërhyrje nga ajri me helikopterë e avionë (VIDEO)


V.GJ /r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?