Shqipëria vijon të jetë në luftë me flakët e zjarrit prej disa ditësh për shkak të temperaturave të larta dhe erës në zona të caktuara që i favorizon. Situata më problematike paraqitet në jug të vendit. Në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, ku situata është rënduar, janë evakuuar vizitorët. Qarkullimi Muzinë-Sarandë është mbyllur pasi flakët gjigande kanë zbritur deri në rrugë. Problematike paraqitet situata edhe në segmentin Bistricë-Muzinë, ku vatrat riaktivizohen herë pas here.
Ndërkohë një vatër zjarri ka rënë edhe ndërmjet fshatrave Janjar dhe Ninat të Konispolit, ku rrezikohet një stan me 350 bagëti të imta dhe dy sipërfaqe të mbjella me ullishte dhe arra.
Situata më e rëndë vijon të jetë edhe në Finiq, ku për ditë me radhë zjarri kalon nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Momentalisht zjarri ka kaluar në fshatin Krane, të njësisë administrative Mesopotam.
Në Poliçan të Beratit zjarri marrë përmasa të mëdha në mal. Deputeti Erjon Braçe e konsideron si zjarrin më të madh që ka rënë ndonjëherë në këtë zonë. Vatra të reja u shfaqën sot në disa fshatra përreth zonës së Mbrakullës, teksa retë e dendura të tymit dhe flakët mbuluan gjithçka. Helikopteri i ushtrisë ka kryer disa misione duke hedhur ujë nga ajri, teksa kërkohen edhe forca mbështetëse.
Zjarr pati edhe jashtë territorit të Uzinës Mekanike, ku sot vazhdoi aktive vatra në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë disa banesave dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Banorët janë evakuuar. Në terren kanë operuar forcat e zjarrfikëses të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të ndihmuar nga 60 efektivë të FA e mbështetje nga ajri.
Gjithashtu, në pyjet e Gramshit është shfaqur një tjetër vatër zjarri tepër agresive mbi fshatin Sojnik që është përhapur deri në fshatin Snosëm dhe rrezikohen banesa.
Në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha, ku flakët rrezikojnë shumë shtëpi. Era favorizoi së tepërmi vatrën e zjarrit që iu afrua shtëpive dhe Policia u detyrua të evakuonte banorët dhe të largonte gjithashtu gjënë e gjallë (bagëtitë). Edhe rruga Fushë Arrëz-Tropojë është bllokuar për shkak të zjarrit dhe tymit. Kreu i Zjarrfikësve Arben Cara apeloi për ndërhyrje nga ajri, pasi situata mbetet e vështirë.
Edhe në fshatin Krongj të Finiqit është riaktivizuar vatra e zjarrit, e për pasojë janë evakuuar banorët.
Në zonën e mbrojtur “Rëzom” të njësisë njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës që lidh Sarandën me Gjirokastrës, ka një vatër zjarri. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja nga toka.
Në fshatin Bolenë të Himarës ka vatër zjarri, ku forcat operacionale, të ndihmuar edhe nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e flakëve.
Në fshatin Lukovë të Himarës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë, Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij. Gjithashtu ka operuar edhe avioni kroat Canadair. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë të MZSH, Fier.
Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen "Vjollcë", të Rrëshenit në Mirditë, zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë, por forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.
Në Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, të Klosit, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të zjarrfikëses.
Te Mali i Bërzhitës në Tiranë, në fshatin Ibë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 5 Ha në zonë me shkurre dhe ferra. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatrat Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas një pune të palodhur të forcave zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë. Janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë dëm. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës.
Në fshatin Okshtun të Rrogozhinës, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Peqinaj, Synej, të Kavajës, janë djegur 10 hektarë si pasojë e zjarrit. Ditën e sotme forcat operacionale po vijojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit. Në këtë zonë ka ndihmuar nga ajri edhe një avion Canadair i Kroacisë.
Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, ka rënë zjarr në sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 15 forca operacionale, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e tij. Intensiteti i zjarrit është ulur. Ditën e sotme forcat operacionale po e mbajnë në monitorim. Disa vatra janë riaktivizuar në Barkanesh, Brret dhe Nikël. Në aksion janë vetëm zjarrfikësit, teksa flakët favorizohen nga era. Problematike raportohet situata në Nikël dhe Barkanesh.
Në fshatin Turan të Tepelenës, vatra e zjarrit është izoluar, por po mbahet nën monitorim.
Në fshatin Mukaj të Gramshit, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetur dhe 8 efektivë dhe 12 forca te bashkisë Gramsh.
Te uzina në Cërrik, zjarri është izoluar dhe vijon puna për fikjen e plotë të vatrës.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA.
Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia të ardhur në ndihmë të Shqipërisë përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile. Një prej avionëve Canadair nga Kroacia ka ndërhyrë prej orëve të para në Synej të Kavajës. Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit. Ministria e Mbrojtjes sqaron se nga parashikimet e IGJEO, ditën e sotme nuk priten reshje.
“Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim)”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulëta.
Në mbrëmje, Ministria informoi se në orët e fundit ishin regjistruar 30 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa priteshin edhe 2 helikopterë 'Black Hawk' nga Emiratet e Bashkuara Arabe, që t'i bashkoheshin operacioneve, përveç 3 avionave dhe 2 helikopterëve të tjerë të huaj.
Lajm ne perditesim...
Vatra zjarri ka pasur sot edhe në qarkun e Tiranës. Por ajo që ra më shumë në sy dhe ka ngritur dyshime të fort ka qenë vatra e zjarrit mes dy reparteve ushtarake në Zall Herr dhe që dyshohet se është një akt i qëllimshëm.
Vetë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, teksa shpjegonte hartën e 30 zjarreve të rëna 24 orët e fundit në vend, dha edhe lajmin se një prej tyre ishte në zonën e Zall Herrit, pikërisht mes dy reparteve. I tha se në këtë zonë nuk ka pasur historik zjarresh dhe kjo e përforconte më shumë dyshimin për një krim.
“Në këto momente po bëhet një betejë e fortë në Zall Herr, për koicidencë ose jo, mes dy reparteve ushtarake dhe atij special, shpërtheu një zjarr në orët e pasdites, i pakuptimtë edhe nga pikëpamja e historikut, teksa po përpiqemi me strukturat, zjarrfikësit dhe Bashkinë Kamëz për t’i shuar flakët”, tha Vengu mes të tjerash për këtë ngjarje.
Ai tha se ka dyshime për një akt të qëllimshëm, ashtu sikurse vatrat masive të zjarrit në Kavajë-Rrogozhinë, po ditën e sotme.
“Kemi pasur vatra komplekse në Rrogozhinë dhe Kavajë, me zjarre masive. Dyshimet tona janë për zjarre të qëllimshme sepse nuk kanë histori zjarresh ato zona”, tha ministri.
Një zjarr është raportuar në kodrat e Selitës në Tiranë mbrëmjen e kësaj të hëne. Kjo është vatra e dytë aktive në Tiranë. Në një intervistë me Migena Sotirin në Report Tv, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tregoi se nga flakët është përfshirë edhe një sipërfaqe në Zall Herr.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu po drejton operacionet nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarreve në Shqipëri, që kulmuan në ditën e sotme (11 gusht), me një numër rekord prej 30 vatrash në 24 orët e fundit dhe që janë aktive.
Nga këto 5 janë më kritiket sipas ministrit dhe puna vijon si për shuarjen nga toka e ajri, ashtu edhe për hetimin e zjarrvënieve të qëllimshme të dyshuara.
Vengu theksoi për Report Tv në një intervistë live, se pjesa më e madhe e vatrave janë të qëllimshme, por ka edhe nga ato që riaktivizohen si pasojë e pamundësisë për t’i kontrolluar të gjithë zonat e zjarrit pas shuarjes dhe si shkak i trungjeve në prush rikthehen.
“Kemi rrezikun maksimal në shkallë edhe për shkak të kushteve meteorologjike, temperaturave të larta, por edhe faktorit njerëzor. Sot kishim më shumë vatra aktive sesa të shuara. Sot kemi 30 vatra, ku 5 kanë rrezikshmëri të lartë dhe po i monitorojmë. Po ndërhyjmë nga ajri, si në zonën e Finiqit, si nga ajri me mjete fluturuese por edhe nga terreni. Situata është dinamike ku ka pasur flakë që kanë kaluar te zona e Syrit të Kaltër, por jemi optimist pasi forcat ndodhen në terren dhe në mëngjes do bëjmë bilancin. Tjetër emergjencë kishim në Tepelenë, në Lekël, fatmirësisht pa dëm në njerëz dhe banesa. Këtu jemi në Poliçan, ku ka vatra zjarri, shumica fiken nga toka dhe ajri. Jemi me 9 mjete të forcave të armatosura përfshirë, shpresojmë se do kemi situatë më të qetë gjatë mbrëmjes, por kërkohet vigjilencë maksimale”, tha Vengu për Report Tv.
Por dy nga vatrat më problematike të orëve të fundit dhe që dyshohen të qëllimshme janë edhe ato në Kavajë-Rrogozhinë dhe në Zall-Herr të Tiranës, shumë pranë reparteve të ushtrisë dhe forcave speciale. Ministri tha se për të dyja dyshohet dorë njerëzore, pasi nuk kanë historik të mëparshëm.
“Kemi pasur vatra komplekse në Rrogozhinë dhe Kavajë, me zjarre masive. Dyshimet tona janë për zjarre të qëllimshme sepse nuk kanë histori zjarresh ato zona. Në këto momente po bëhet një betejë e fortë në Zall Herr, për koicidencë ose jo, mes dy reparteve ushtarake dhe speciale, shpërtheu një zjarr në orët e pasdites, i pakuptimtë edhe nga pikëpamja e historikut, teksa po përpiqemi me strukturat, zjarrfikësit dhe Bashkinë Kamëz për t’i shuar”, tha ai.
Vengu shpjegoi edhe ndihmën e dhënë nga vendet partnere nëpërmjet Mekanizmit Europian të Mbrojtjes, aq i rëndësishëm për këto situata.
“Mekanizmi Europian ekziston pikërisht për këto situata. Ne jemi të angazhuar me të dhe sot kemi pasur mbështetje me 2 avionë grekë në Finiq që na kanë ndihmuar. Kemi 2 helikopterë nga Çekia dhe Sllovakia në Poliçan, Tepelenë. Kemi një Canadair që veproi në Tiranë dhe më gjerë. Kemi një lajm pozitiv se kanë mbërritur edhe 2 helikopterët nga Emiratet Arabe dhe do nisin punën nesër. Jemi në kushtet që këto mjete t’i shfrytëzojmë në 5 pikat më nevralgjike ditën e nesërme. Eksperienca tregon se 90% të rasteve është faktori njerëzor që kryesisht është i qëllimshëm. Si në Poliçan për shembull, kur ne fiknim disa vatra dhe ato riaktivizoheshin diku më larg dhe kështu me radhë”, u shpreh ministri.
Gjithashtu shpjegoi edhe shkakun pse riaktivizohen një pjesë e zjarreve:
“Një pjesë e zjarreve riaktivizohen për shkak se nuk dominohen dot nga forcat, pasi ka trungje me prush që e riaktivizojnë, por ka dhe shumë të tjera që janë të qëllimshme. Forcat do të jenë në terren për monitorimin, por edhe për të punuar e ndaluar zjarret e qëllimshme. Kemi kërkuar edhe vijimin e hetimeve për këto raste”, përfundoi Vengu.
Shqipëria regjistroi sot një numër të madh vatrash të zjarreve për shkak të temperaturave të larta, por edhe zjarreve që vijonin prej ditëve të mëparshme apo që u riaktivizuan.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes njoftuan se janë regjistruar 30 vatra zjarri gjatë orëve të fundit.
Problematike paraqitet situata në zonat e Poliçanit, Finiqit, Fushë Arrëzit, te “Syri i Kaltër” në Sarandë, Himarë,, por edhe në Krujë, Mirditë, Gramsh, Tepelenë dhe të tjera.
Ministria ka publikuar edhe një hartë-zonash të zjarreve në vend ditën e sotme. Në operacion janë aktivizuar 1 avion ‘Canadair’ nga Kroacia, 2 avionë PZL nga Greqia, 1 Black Hawk (Republika Çeke), 1 Black Hawk nga Sllovakia, 2 Black Haëk nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Pritet të operojnë 2 Black Haëk nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 30 vatra zjarri aktive në zonat:
Qarku Vlorë
-Bashkia Finiq - Zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Kjo vatër është përballë Syrit të Kaltër. Në këtë zonë janë problematikë fshatrat Krane, Krongj dhe Leshnicë e poshtme. Në terren po operojnë 3 mjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Finiq, të ndihmuar nga FA me 4 mjete zjarrfikëse dhe 30 fefektivë të FA, 1 grup FNSH. Në këtë zonë ka operuar edhe Helikopteri i Forcës Ajrore të FA si dhe 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.
-Parku “Rëzom” – maja e “Lucës”, njësia Vergo – Terren i thyer, e pamundur ndërhyrja me mjete tokësore. Në vendngjarje punonjës të AdZM.
-Bashkia Himarë – fshatrat Bolenë dhe Tërbaç – Zjarri në pyll me pisha. Në terren: 3 mjete zjarrfikëse, 10 efektivë MZSH Himarë e Vlorë, forca vullnetare dhe 20 efektivë të FA.
-Fshati Lukovë – Të angazhuar në operacion 3 mjete zjarrfikëse me 11 efektivë MZSH Himarë e Sarandë, avioni Canadair kroat, 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë MZSH Fier.
-Fshati Ninat, Bashkia Konispol – Zjarri me drejtim nga fshati Bistricë. Në terren 2 mjete dhe 19 punonjës.
Qarku Lezhë
-Fshati Malaj i Epërm, Bashkia Mirditë – Zjarri izoluar, në monitorim nga 6 efektivë MZSH, 6 forca pyjore, 17 forca bashkiake, 2 vullnetarë.
-Fshati Kolsh, Bashkia Lezhë – Zjarr në sipërfaqe pyjore, 2 mjete zjarrfikëse Lezhë dhe 1 nga Mirdita.
Qarku Dibër
-Mali i Allushit, Bashkia Klos – Zjarri është sën kontroll, digjen trungje brenda vatrës. Po punohet nga 6 efektivë MZSH dhe 1 mjet zjarrfikës.
-Mali i Kovashicës, Bashkia Bulqizë – Vatra në monitorim nga 2 mjete zjarrfikëse me 7 efektivë MZSH.
-Fshati Kabe, Bashkia Dibër.Vatra e zjarrit po zhvillohet në sipërfaqe me shkurre, ferra, barishte dhe bimësi të ulët, në kah të fshatit. Në terren janë angazhuar 1 mjet zjarrfikës dhe 6 efektivë zjarrfikës.
Qarku Berat
-Vijon zjarri në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike.
-Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. -Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë MZSH Poliçan 3 mjete, 15 efektivë dhe 2 mjete, 10 efektivë Berat, 60 forca të ushtrisë si dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë. Në mbështetje të situatës është edhe Helikopteri i Forcës Ajrore.
-Fshati Rehovë, Bashkia Poliçan – Zjarr pranë banesave, një banesë 2-katëshe ka marrë flakë. Po kryhet evakuim.
-Fshati Backë, Bashkia Skrapar –Po punohet për shmangiene rrezikut për banesat.
Qarku Tiranë
-Mali i Bërzhitës, Bashkia Tiranë, po punohet për shuarjen e zjarrit.
-Fshati Stërbeg, Bashkia Rrogozhinë –Forcave zjarrfikëse vendore u janë bashkuar edhe përforcime nga Peqini.
-Fshati Okshtun, Bashkia Rrogozhinë –Zjarri në sipërfaqe me shkurre e ferra është vënë nën kontroll. Po punohet për shuarjen e plotë të vatrës.
-Fshati Peqinaj, Bashkia Kavajë – Avioni Canadair kroat në operim.
-Fshati Hajdaraj, Bashkia Kavajë – Drejt shuarjes, angazhuar 1 mjet dhe 7 forca.
-Zona Arbanë, Bashkia Tiranë. Zjarri ka marrë përmasa, por aktualisht, në terren po veprojnë 20 forca zjarrfikëse me 6 mjete, të mbështetura nga 8 forca të APR-së, 8 forca të Policisë Bashkiake si dhe 5 forca të Policisë së Shtetit. Në këtë vatër zjarri ka shkuar edhe një helikopter Canadair kroat.
Qarku Durrës
-Mali i Krujës, Bashkia Krujë, ku pati riaktivizim të zjarrit në pyll pishe, 15 forca operacionale dhe mbështetje nga policia gjatë aksionit për shuarjen e vatrës.
-Fshati Barkanesh, Bashkia Krujë. Terreni vështirëson punën.
Qarku Gjirokastër
-Rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre.
-Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut.
-Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit.
Qarku Elbasan
-Në fshatrat Mukaj dhe Sojnik, Bashkia Gramsh. Në terren MZSH Gramsh dhe 25 efektivë të FA.
-Qyteti Cërrik – Është arritur të izolohet zjarri në shkurre. Po mbahet në monitorim nga 20 efektivë e 2 mjete zjarrfikëse.
-Fshati Hotolisht, Bashkia Librazhd. Forcat po punojnë me intensitet për të shmagur rrezikun për banesat.
Qarku Shkodër
-Zona Koderboks, Bashkia Shkodër. Monitorim nga forcat e pyjores dhe zjarrfikësit.
Fshati Stajkë, Bashkia Vau Dejës. Era favorizon flakët, 1 mjet zjarrfikës në terren.
-Qyteti Pukë – Situata në kontroll. Në terren janë 2 mjete zjarrfikëse dhe forca policore.
-Fshati Xath, Bashkia Fushë Arrëz. sore. Situata është e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Po evakuohen banorët.
Qarku Kukës
-Fshati Gegaj, Bashkia Tropojë – Pa rrezik për banesat. Të angazhuara janë 7 forca MZSH, 15 pyjore, 1 emergjenca civile, 18 forca bashkiake, policë dhe 20 vullnetarë.
Mjete ajrore që kanë operuar sot:
-1 Canadair (Kroacia)
-2 avionë PZL (Greqi)
-1 Black Hawk (Republika Çeke)
-1 Black Hawk (Sllovakia)
-2 Black Hawk (Forcat e Armatosura të Shqipërisë)
Pritet të operojnë:
-2 Black Hawk (Emiratet e Bashkuara Arabe)
Një person është ndaluar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht për tre raste zjarrvënie në Lukovë, Bolenë dhe Tragjas, njofton Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.
Në Lukovë, 43-vjeçari B. A. dyshohet se më 10 gusht, pasi konsumoi cigare, e hodhi atë në tokë duke shkaktuar zjarr që dogji 30 rrënjë ullinj dhe një sipërfaqe toke me shkurre dhe ferra.
Në Bolenë, 34-vjeçari E. T. akuzohet për ndezje zjarri gjatë pastrimit të kullotës, duke shkaktuar zjarr që përfshiu shkurre, ferra dhe disa pisha.
Në Tragjas, 58-vjeçari G. Gj. dyshohet për zjarrvënie në një sipërfaqe me bimësi më 8 gusht.
Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia apelon qytetarët të mos ndezin zjarre për asnjë arsye, duke garantuar se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit. Çdo rast i dyshuar duhet të denoncohet në numrin 112, ku anonimiteti dhe reagimi i menjëhershëm janë të garantuara.
Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Hilë Curri, është shprehur për Report Tv se banesat në fshatin Xath rrezikohen seriozisht nga flakët masive që po përhapen me shpejtësi.
Ai tha se pushteti qëndror deri tani është treguar indiferent ndaj thirrjeve të tij për të ndihmuar me ndërhyrje nga ajri me qëllim shuarjen e flakëve.
“Banorët i kemi evakuuar, nuk kemi probleme me banorët. Situatën e sheh vetë, shume e tmerrshme. Pa fjalë. Më janë përgjigjur të gjitha strukturat që kam marrë në telefon po nuk ka ndërhyrje. Vetëm me mjetet që kemi vetë dhe me bashkinë e Pukës. Situata është shumë e vështirë, Në fshatin Xath është shumë e vështirë. Shtëpiat janë në rrezik. Apeli për qeverinë është ndihmë nëse kanë mundësi. Ndërhyrja nga ajri është shumë i rëndësishëm. Kam marrë në telefon të gjithë drejtorët, ministrit i kam çuar mesazh që të ndërhyhet”,- tha Curri.
Devoll- Zjarri përfshiu një sipërfaqe në fshatin Vërnik të Devollit ditën e sotme, falë ndërhyrjes së zjarrfikësve u shpëtuan stallat dhe banesat në afërsi.
Gazetari i Report Tv, Armand Braho, informon se vetëm minuta më parë, një vatër zjarri u përhap në Vërnik, ku sipas informacioneve u dogj vetëm 1 stallë, ndërsa fatmirësisht u shpëtuan 6 të tjera, shkolla e fshatit dhe banesat afër vatrës.
Në vendngjarje shkuan menjëherë 3 mjete zjarrfikëse me 10 forca, ndërsa ka mbërritur edhe policia për të bërë zbardhjen e rrethanave.
Zjarri në zonën e Mbrakullës është vënë nën kontroll, por vatrat janë përhapur edhe në fshatrat përreth. Një prej tyre që u prek ditën e sotme nga disa vatra të riaktivizuara ishte edhe fshati Prokuc.
Një prej banorëve rrëfen edhe momentet e luftës me flakët dhe deri tek evakuimet e grave dhe fëmijëve. Ai thotë se zjarri është fikuar nga vetë ata me ujin që kanë në fshat, teksa ka ndihmuar edhe helikopteri.
“Situata ka qenë shumë e vështirë. Në fillim ndërhymë ne banorët për disa vatra dhe më pas erdhën zjarfikëset. U stabilizua, por në 12:30 u aktivizua përsëri dhe u hodh zjarri këtje nga ne, nuk e di nëse nuk pati gatishmëri. Kjo është zona e Prokucit, na përfshin Mbrakulla, ndërhymë me ujin tonë që e shuam zjarrin. Na janë djegur rrush, pemëtari. Ka ardhur helikopteri na ka ndimuar. Është djegur edhe kasolle e barit. Erdhi edhe policia, ambulanca, larguan gra dhe fëmijët, vetëm ne burrat mbetëm këtu që u morëm me zjarrin. Jemi 19 shtëpi këtu në fshat”, tha përparim Muço për Report Tv.
Situata në zonën e Fushë Arrëzit në qarkun e Shkodrës mbetet kritike, pasi flakët përparojnë të favorizuara nga era.
Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëseve, Arben Cara, thotë për Report Tv se aksioni vijon, por është e vështirë ndërhyrja nga toka për shkak të terrenit dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
“Kemi të bëjmë me një situatë problematike në mbarë vendin. Këtu në fshatin Xath situata si pasojë e erërave ka dalë jashtë kontrolli. Policia ka kryer evakuimin e banorëve. Në këtë vatër kemi kërkuar dhe është e domosdoshme ndërhyrja nga ajri”, u shpreh ai.
Forca të shumta operojnë nga terreni, por flakët të ndihmuara nga era vijojnë të djegin sipërfaqe me pyje dhe të kërcënojnë banesat.
Zjarret masive që kanë përfshirë vendin janë kthyer në një problem edhe për zonën e Poliçanit.
Pas vatrës në zonën pranë Uzinës së Armëve që mbahet nën monitorim prej ditësh, sot janë raportuar vatra të tjera në fshatrat përreth.
Flakët janë përhapur kryesisht në zonën e Mbrakullës dhe fshatrat e tjerë pranë saj. Në vendngjarje kanë shkuar edhe vetë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe forca të ushtrisë. pas disa orësh lufte me flakët zjarri në Mbrakull është lokalizuar dhe vënë nën kontroll, por flakët i janë drejtuar fshatit të Perikut ku ka plantacione me ullinj.
Nga pamjet e siguruara prej Report Tv dallohen qartë vatrat e shpërthyera, retë e dendura të tymit dhe helikopteri i ushtrisë që shpërndan ujë nga ajri në përpjekje për t’i shuar flakët.
Situata cilësohet alarmante, madje edhe deputeti socialist Erion Braçe apeloi për më shumë forca mbështetëse në atë zonë.
Disa vatra zjarri janë aktivizuar edhe në rrethin e Krujës këtë pasditë.
Konkretisht në vendin e quajtur Barkanesh, në Krastë të Krujës, ku pasditen e djeshme një vatër zjarri dogji hektarë të tërë me pisha e shkurre, është riaktivizuar edhe sot, ndërsa dyshohet që të jetë i qëllimshëm.
Po ashtu mbi fshatin Nikël është aktive një vatër zjarri, e cila po përparon me shpejtësi e favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Ndërkohë në fshatin Brret një tel korrenti i këputur nga amortizimi ka rënë duke shkaktuar një vatër zjarri, e cila rrezikonte disa banesa në zonë, por falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikëses vatra është lokalizuar e po mbahet nën kontroll.
Në Barkanesh dhe në Nikël është e vështirë ndërhyrja me mjete për shkak të terrenit.
Duhet theksuar se dhe pse disa vatra zjarri po djegin hektarë të tërë me pyje e po shkatërrojnë bimësinë, asnjë punonjës i emergjencave apo i bashkisë nuk ndodhet në terren, përveç repartit zjarrfikës, i cili ka aktivizuar edhe personelin që është pushim.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit, ku flakë gjigande kanë hyrë në brendësi të fshatit dhe po përparojnë drejt banesave.
Shumë shtëpi rrezikohen nga zjarri, teksa në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të emergjencave civile.
Situata u vështirësua në mbrëmje, pasi era përhapi me shpejtësi flaket. Policia evakuoi banorët dhe bagëtitë nga fshati. Gjithashtu mësohet se është bllokua rruga Fushë Arrëz-Bajram Curri.
Retë e dendura të tymit krijojnë vështirësi edhe për forcat operacionale në terren, zjarrrfikës, polici, ushtri dhe punonjës të AKMC-së, të cilët përdorin maska urgjence apo kundragaz për t'u mbrojtur nga asfiksimi.
Dy mjete zjarrfikëse janë në vendngjarje, ndërsa në terren po punojnë 12 zjarrfikës, punonjës të Pyjores dhe banorë të zonës.
Situata në Parkun Natyror të “Syrit të Kaltër” mbetet alarmante. Flakët përparojnë me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Vizitorët janë evakuar të gjithë, teksa një helikopter ndërhyn nga ajri, por disfavor mbetet depërtimi nga terreni për shkak të dendësisë së bimësisë.
Kështu u shpreh nënprefekti i Sarandës, Kristaq Kiço, i intervistuar nga vendngjarja prej gazetarit të Report Tv, Pirro Nase. I gjendur në aksion, ai tha se nuk mbante mend një situatë të tillë në Park dhe kjo ishte hera e parë. Gjithashtu pritet ndërhyrja me avion ‘Canadair’ nga ajri.
“Situatë e pafavorshme edhe për shkak të erës. Situatë e paërjetuar edhe më parë, e shihni edhe vetë forcën e saj, teksa edhe flakët fluturojnë deri në distancë 200 metra nga forca e erës. Personalisht nuk e kam përjetuar ndonjëherë. Jemi përqëndruar në fshatin Krongj, me forca të dislokuara, si dhe sot me helikopter të forcave të armatosura. Por edhe pse u mendua se u shua, vatrat u riaktivizuan, situata mbetet problematike. Parku Syrit të Kaltër nuk mbaj mend të jetë përfshirë ndonjëherë nga flakët në këto përmasa”, u shpreh nënprefekti.
Kurse për planin operacional dhe ndërhyrjen, ai tha se presin avionin që t’i bashkohet helikopterit ushtarak.
“Nuk mund të operohet me forca tokësore me atë dendësi bimësh e terreni. Deri tani ka operuar një helikopter dhe jemi në pritje të avionëve canadair që i presim nga çasti në çast. Problem është se janë disa vatra zjarri, madje ka edhe nga ato që riaktivizohen. Një perimetër prej 50 km të paktën. Shfaqet sa në Mesopotam, në një fshat tjetër. Duhet treguar kujdes maksimal, jemi në terren 24 orë, por kushtet atmosferike, era dhe temperaturat e larta i kemi në disfavor”, përfundoi Kiço.
Situata nga zjarri në Sojnik të Gramshit është përkeqësuar akoma më shumë. Sipas kryebashkiakut të Gramshit, Besian Ajazi, një tjetër vatër zjarri ka shpërthyer mbi fshatin Sojnik që është akoma më agresive.
Në postimin në Facebook, Ajazi shkruan se flakët janë përhapur deri në fshatin Snosëm dhe rrezikon banesa.
“Situatë emergjente në pyjet e Gramshit. Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Mukaj të Sojnikut, Njësia Administrative Kukur ndërsa tani në mesdrekë është ndezur një vatër e re zjarri më e madhe dhe më agresive mbi fshatin Sojnik i cili është përhapur deri në fshatin Snosëm duke rrezikuar edhe banesa”.
Kryebashkiaku i Gramshit thotë se flakët kanë rënë si pasojë e zjarrvënieve të qëllimshme.
“Dyshohet se shkaku është veprimtaria kriminale e piromanëve, që me papërgjegjshmëri të tmerrshme po rrezikojnë jetën, natyrën dhe pronën publike. Pavarësisht angazhimit maksimal të shërbimit tonë zjarrfikës, shërbimit pyjor, drejtorisë së shërbimeve, vullnetarëve dhe ndihmës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile – me 20 efektivë në terren dhe 2 helikopterë në operacion – zjarri vijon të jetë aktiv dhe i vështirë për t’u vënë nën kontroll për shkak të terrenit të vështirë, temperaturave të larta dhe erës të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve. Dënojmë me forcë aktet barbare të zjarrvënies së qëllimshme. Autorët do të përballen me ashpërsinë më të madhe të ligjit dhe me zemërimin e një komuniteti që nuk lejon askënd të dëmtojë pasurinë e përbashkët. Jemi në monitorim të pandërprerë dhe do të vijojmë betejën për të mbrojtur pyjet dhe banorët tanë”, ka shkruar ai.
Këto janë pamjet s dramatike aq edhe luftarake që vijnë nga Syri i Kaltër, mes Sarandës dhe Gjirokastrës, ku një masiv i tërë pyjor është përfshirë nga flakët.
Të gjithë vizitorët janë evakuar, teksa flakët përparojnë në disa drejtime.
Helikopterët e ushtrisë janë në operacion të pandërprerë, teksa Report Tv ka siguruar edhe pamjet e hedhjes së sasive të ujit me kova të mëdha nga ajri.
Situata paraqitet kritike, teksa sipërfaqe të mëdha me bimësi e pemë po digjen. Prioritet mbetet jeta e banorëve, turistëve dhe lokalizimi i flakëve.
Deputeti Erion Braçe ka publikuar disa pamje nga flakët masive që kanë përfshirë Poliçanin. Krahas pamjeve alarmuese, Braçe shkruan në postim se zjarri ka dalë nga qyteti e po ngjitet në Kapinovë, po i afrohet Mbrakullës dhe rrezikohet i gjithë ky fshat, më i madhi i bashkisë, të digjet.
Ligjvënësi socialist u bën thirrje autoriteteve përkatëse të ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e flakëve, pasi është e vetmja zgjidhje.
Postimi i plotë i deputetit Erion Braçe:
ALARMI I KUQ NGA ZJARRI;
KJO ËSHTË GJENDJA E ZJARRIT TANI NË POLIÇAN!
Zjarri ka dalë nga qyteti e po ngjitet në Kapinovë, po i afrohet MBRAKULLËS dhe rrezikon i gjithë fshati – më i madhi i bashkisë, TË DIGJET!
I pamundur të shuhet nga toka me zjarrfikëse;
Është lart në mal, nuk ka rrugë; e zbret era e fortë deri poshtë duke rrezikuar të djegë fshatrat me radhë!
NUK KA NDODHUR KURRË KËSHTU;
ZJARRI MË I MADH RENË NDONJËHERË NË KËTO ANË!
SHPËTOJENI POLIÇANIN NGA AJRI!
Zjarri ka kaluar rrugën Sarandë-Muzinë dhe vazhdon drejt Parkut të Syrit të Kaltër, por ende nuk ka hyrë në park.
Gazetari i Report TV, Limos Didani, informon se zjarri në 'Syrin e Kaltër' ka mbërritur deri pranë parkingut dhe përmasat e flakëve janë të frikshme. Report Tv ka siguruar edhe pamjet.
Evakuohen vizitorët, mbyllet qarkullimi në rrugën Sarandë-Muzinë.
Në terren 2 helikopterë, 20 forca të ushtrisë dhe 4 mjete zjarrfikëse.
Një vatër e re zjarri është shfaqur ndërmjet fshatrave Janjar dhe Ninat në Konispol.
Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikohet fshati Ninat.
Sipas gazetarit Limos Didani, momentalisht në rrezik është një stan me 350 bagëti të imta.
Flakët kanë djegur edhe dy sipërfaqe toke me ullishte dhe arra.
Një vatër zjarri ka rënë edhe te Syri i Kaltër në Sarandë. Raportohet se drejt vendngjarjes janë dërguar dy helikopterë.
Intensiteti i zjarrit është i lartë dhe mund të përhapet shpejt drejt Tërbaçit. Ndërkohë po evakuohen edhe vizitorët.
Zjarri i rënë në fshatin Tërvaç të Vlorës ka marrë përmasa të mëdha dhe po vazhdon mbi fshat.
Ndërhyrja e zjarrfikësve është e pamjaftueshme dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mes fshatrave Kodër dhe Lekël të Tepelenës.
Flakët po avancojnë drejt pjesës veriore të kullotave të fshatit.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse që po luftojnë me flakët për të bërë të mundur izolimin e tyre dhe për të eliminuar përparimin drejt banesave. Në ndihmë kanë shkuar edhe zjarrfikëse nga Gjirokastra.
Situata konsiderohet kritike deri në këto momente.
Një 41-vjeçar në Fier është arrestuar nga policia për zjarrvënie në fshatin Hoxharë e Vjetër në Fier.
I arrestuari J.S. u kap në flagrancë nga patrulla e policisë duke ndezur zjarr te ura e fshatit.
Për shkak të zjarrit, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.
Njoftim i Policisë së Fierit:
Fier/Dogji një sipërfaqe toke, me zjarrin që ndezi te ura e fshatit Hoxharë e Vjetër, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve dhe arrestimin e përgjegjësve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier vunë në pranga shtetasin J. S., 41 vjeç, banues në Mbrostar Ura.
Ky shtetas u kap në flagrancë, nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier, duke ndezur zjarr te ura e fshatit Hoxharë e Vjetër. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë pasditen e së dielës në zonën pyjore, pranë fshatit Sojnik, në njësinë administrative Kukur të bashkisë Gramsh.
Dje, tha kryetari i Bashkisë, Besian Ajazi, kanë punuar zjarrfikësit por për shkak të terrenit tejet të vështirë sot u kërkua ndërhyrje nga ajri.
Sot në mëngjes kanë mbërritur helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake për shuarjen e flakëve. Për momentin nuk paraqitet rrezik për banesat.
Vatra e zjarrit në Synej të Rrogozhinës vazhdon të jetë aktiv edhe mëngjesin e sotëm.
Për neutralizimin dhe shuarjen e flakëve ka ndërhyrë edhe avioni ‘Canadair’ nga Kroacia.
Situata nga zjarri në Leshnicën e poshtme të bashkisë Finiq paraqitet më e qetë.
Zjarri i nisur 7 ditë më parë në Dhivër ka mbërritur mbrëmjen e djeshme edhe në Leshnicën e Poshtme duke djegur disa banesa. Zjarri vazhdon drejt Leshnicës së Sipërme.
Dy helikopterë Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbërritur këtë të hënë në Bazën Ajrore të Kuçovës për t’u angazhuar në operacionet për fikjen e zjarreve në vend.
Ministria e Mbrojtjes njofton se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjenerallejtant Arben Kingji, priti në bazë ekuipazhet dhe stafin, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me forcat tona për të përballuar situatën.
Komente

Bandat anti Shqiptaret dhe kriminelet e Sali Berishesh po djegin Shqipërinë! Ku është Shteti?
PërgjigjuSHQIPERIA DO BEHET KUR NUK DO KETE KOMENTUES SI TY MOJ MARA NGA ITALIA...QE AKOMA NUK TE PASKAN ARDHUR MENDTE....PAVARSISHT SE JE NE ITALI....KUSHEDI SE CDO BEJE PO TE ISHE NE SHQIPERI..DO ISHE HEDHUR NE ZJARR PER EDI RAMEN...
PërgjigjuLeje o Maksi se mara e shkrete nuk e di e as ka shans ta kuptoje qe Po ti presi kembet sales shembet rama ne fakt. Po ta kuptonte do I thurte lavde birishes
Kemi satelite e liderit
PërgjigjuCFSRE SHTETI ESHTE KY QE NUK BLEN DOT 10 AVIONE DHE 10 HELIKOPTERE PER TE SHUAR FLAKET.....
PërgjigjuPo çfar flakesh te shuaj shteti me perpara me berishistet e terbuar qe kerkojne te hakmeren kunder vendit ( sovranità) qe nuk I dha voten ? Maks ky eshte shteti qe do sovrani pa u futur saliu brenda keshtu do te vazhdoj , perse nuk ngrihen personat dhe ti kapin bashkfshataret qe I vene zjarin tokave te tyre dhe pastaj kerkojne ndihme .
Zjarret ne vend jane rrjedhoje e shkaterrimit ambiental dhe ndryshimit te " sforcuar" te klimes dhe motit. Perse permend termin e sforcuar??! Per aresye te ndergjegjesoj popullun per ate qe ne " Gjykaten Nderkombetare", njihet me emrin " Ecocide ", dmth " genocide" per nga egersia, arroganca, keqkuptimi dhe kequdhezimi i termit. Ecocide per vete termin e perdorur eshte krim i rende ndaj natyres, shpyllezimeve, ndotjes ne mase te deteve dhe oqeaneve, burimeve tokesore dhe nentokesore. Per nga rendesia qe paraqet rrjedhojat dhe ndershlueshmeria eshte barasvlereshme me nhe genocide ne mase te njerezimit.
Përgjigju