Njihet si përkthyesi dhe intelektuali, që përfundoi përkthimin e parë të plotë në shqip të ‘Komedisë Hyjnore’ të Dante Alighierit. Bëhet fjalë për Pashko Gjeçin, emri i të cilit nderohet përmes çmimit më të ri të krijuar për përkthyesit nga italishtja në gjuhën shqipe, Çmimi Pashko Gjeçi për Përkthimin Letrar Italian. Nisma e ndërmarrë nga Instituti Italian i Kulturës (IIC) në Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) synon të promovojë letërsinë italiane në shqip dhe të vlerësojë punën e përkthyesve letrarë në Shqipëri dhe Kosovë.
“Kjo nismë i drejtohet në mënyrë specifike përkthyesve. Janë përkthyesit që duhet të bëjnë kërkesë, të përgatisin projektin për përkthimin e një libri dhe më pas, pas përzgjedhjes nga një komision, bëhet botimi. Do të publikojmë dy libra në vit. Kemi vendosur t’ia kushtojmë çmimin, përkthyesit të parë shqiptar që përktheu të plotë Komedinë hyjnore të Dante Alighierit, Pashko Gjeçit, që është simbol i kësaj rëndësie të punës së përkthyesve. Përkthimi nuk është vetëm punë teknike, por duhet të dish edhe të shkruash. Në Shqipëria ka mjaft përkthyes të zotë nga italishtja dhe duam t’i japim një mbështetje punës së tyre.”, - thotë për “Report TV”, drejtuesi i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera.
Nisma përfshin mbulim të plotë të kostove të përkthimit nga Instituti Italian i Kulturës dhe mbështetje për botimin nga Qendra Kombëtare e Librit, të veprave italiane ende të pabotuara në gjuhën shqipe.
“Çmimi nuk është vetëm për të nderuar figurën e Pashko Gjeçit, por përmes kësaj ne forcojmë shumë edhe lidhjet me një kulturë që i ka dhënë shumë kulturës shqiptare, siç është kultura dhe letërsia italiane. Përmes këtij çmimi çdo vit do t’u japim mundësi dy veprave që nga gjuha italiane të vijnë në gjuhën shqipe.”, - thotë Alda Bardhyli, drejtuese e QKLL-së.
Thirrja është hapur më 31 korrik dhe do të finalizohet gjatë tetorit, në Javën e Gjuhës dhe Kulturës Italiane, ku do të shpallen dy fituesit e parë të këtij çmimi.
Komente
