Sociale

Përkujtohen viktimat e gjenocidit grek në Çamëri, Shpëtim Idrizi: Jemi zëri i atyre që nuk flasin më

28 Qershor, 22:50| Përditesimi: 28 Qershor, 22:56

  • Share

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, mori pjesë sot në homazhin për viktimat e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, një aktivitet i organizuar nga Shoqata Çamëria.

Gjatë fjalës së tij, Idrizi theksoi arritjet e PDIU gjatë 20 viteve të ekzistencës së saj, duke përmendur se ishte pikërisht kjo parti që mundësoi ngritjen e përmendores për të përkujtuar viktimat.

Idrizi theksoi gjithashtu se realitetet e reja globale dhe rajonale paraqesin një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë dhe Greqinë për të zgjidhur problemet e mbetura, si ligji i luftës, demarkacioni i kufirit dhe çështja e shqiptarëve të Çamërisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë shqiptarë nga Çameria, si dhe nga Kosova dhe Turqia. Ata erdhën nga treva të ndryshme shqiptare dhe nga Turqia, të bashkuar nga dëshira për të nderuar ata që sakrifikuan jetën për liri dhe drejtësi.

Alketa Ipeku, pjesëmarrëse në aktivitet, kujtoi se ka marrë pjesë në marshimin e parë dhe se sot përkujton ata që ranë, duke nënvizuar se edhe ata që janë gjallë dhe vijnë për të nderuar ata që nuk janë, janë pjesë e këtij kujtimi të rëndësishëm.

"Kam ardhur nga Izmiri në Sarandë për të qenë këtu dhe për të përkujtuar të renë dhe të gjithë ata që derdhën gjak në këtë gjenocid’, tha një tjetër pjesëmarrës, anëtar i Shoqatës Çameria

Nga pelegrinazhi në varrezat monumentale të Kllogjerit, Shpëtim Idrizi theksoi se këto varreza janë një dëshmi e masakrës që iu bë jo vetëm shqiptarëve të Çamerisë, por të gjithë shqiptarëve. Ai shtoi se Shqipëria dhe Greqia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet historike dhe të realizojnë marrëdhënie të mira për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të dy vendet.

"Ky është vendi ku tragjedia nuk u është bërë vetëm shqiptarëve të Çamerisë, por të gjithë shqiptarëve. Ne e kemi kthyer këtë nga një fushë djerrë në një varrezë monumentale. Kjo është një nga varrezat më të bukura në Shqipëri, një vend ku ne kujtojmë dhe respektojmë të renë tonë. Ky është momenti për të kuptuar se ne jemi zëri i atyre që janë këtu dhe nuk flasin më’, tha Idrizi.

Ai gjithashtu shprehu bindjen se, përmes realiteteve të reja që po ndodhin në rajon dhe botë, Shqipëria dhe Greqia kanë mundësinë të zgjidhin problemet e mbetura, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve historike përpara se të nisin proceset e integrimit në Bashkimin Europian.

Çdo vit, çamët organizojnë pelegrinazhe për të nderuar viktimat e genocidit grek, i cili u krye në qershor të vitit 1944.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rinumërimi i Tiranës, a e rrëzoi pretendimin e Berishës për manipulim?