ELBASAN-Përplasje brenda Partisë Demokratike pas sherrit të dhunshëm në mitingun e Sali Berishës në Elbasan, ku mbeti i plagosur edhe djali i kandidatit për deputet Luçiano Boçi, njëherazi edhe nënkryetar i PD. Vetë PD e Elbasanit në një deklaratë për mediat e cilësoi një sherr tërësisht banal, por familja Boçi ka dalë kundër kësaj deklarate.
Bashkëshortja e Luçiano Boçit, në një koment në rrjetet sociale e ka cilësuar politik konfliktin ku mbeti i plagosur edhe djali i saj. Komenti i Blerina Boçit është bërë në postimin e PD së Elbasanit ku thuhej se sherri ishte për motive banale, por komenti i saj u fshi.
“Skemat banditeske në veprim të plotë! Konflikti nuk është i natyrës banale, por është krejtësisht politik! Do e çojmë deri në fund”, shkruan ajo në një koment.
Pasi iu fshi komenti nga faqja e PD në Elbasan, gruaja e Luçiano Boçit ka bërë një tjetër reagim në profilin e saj në Facebook, ku shkruan "Skemat banditeske në veprim të plotë, por do e zbardhim deri në fund".
Gjatë përplasjes së dhunshme Parid Boçi ka marrë plagë në kokë dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Incidenti ndodhi gjatë takimit elektoral të Berishës përpara stadiumit Elbasan Arena, ndërsa fliste këshilltari amerikan i Chris LaCivita, Philip Griffin.
Çfarë shkroi PD për ngjarjen?
Afër mesnatës dega e Partisë Demokratike në Elbasan përmes një postimi në Facebook pretendoi se sherri ishte për motive banale.
"Në lidhje me incidentin e ndodhur sot gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.
Fatkeqësisht, ky episod i izoluar u përdor me shpejtësi nga qarqe të afërta me mazhorancën për ta politizuar dhe për të njollosur suksesin e këtij takimi madhështor,ku qytetarët e Elbasanit treguan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për Prof. Dr. Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
Partia Demokratike Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos ndikohen nga manipulime të tilla keqdashëse dhe të mbeten të fokusuar tek qëllimi ynë i përbashkët: fitorja e vlerave demokratike dhe ndryshimi që Elbasani dhe Shqipëria meritojnë", shkruante PD e Elbasanit.
Policia e Elbasanit në një deklaratë zyrtare për incidentin tha se bëhet fjalë për një konflikt të çastit.
"Mbrëmjen e djeshme, në lagjen "Emin Matraxhiu", në përfundim të aktivitetit politik të subjektit "Partia Demokratike", dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ndërmjet disa pjesëmarrësve në këtë aktivitet, është dëmtuar lehtë shtetasi P. B., 19 vjeç. Po punohet për identifikimin e shtetasve të përfshirë në konflikt dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje", njofton policia.
Komenti i gruas së Luçianio Boçit
Postimi i gruas së Luçiano Boçit në profilin e saj në Facebook
Komente
