Simone Farinelli, në të djathtë dhe i vëllai, Andrea, që mbijetoi
Emilia-Romagna- Emri i djalit 20-vjeçar që humbi jetën nga përmbytjet në Pianoro është Simone Farinelli. Ai lindi në provincën e Breshias, por jetoi në Ozzano Emilia, një qytet afër Bolonjës.
Makina me të cilën po udhëtonte me vëllain e tij 24-vjeçar, u përfshi papritur nga vërshimi i lumit mbrëmjen e së shtunës, 19 tetor. Vëllai i madh që drejtonte “Toyota Yaris”, arriti të ikë, por Simone mbeti i bllokuar.
Thirrjet për ndihmë dhe përpjekjet për të shpëtuar Simonen ishin të kota:
“Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash”, shpjegoi vëllai, Andrea, në polici. "Unë u hodha nga makina, ndërsa ajo tashmë po shtyhej nga uji", vijon ai.
Mjaftuan disa momente gjatë të cilave makina e vogël u tërhoq zvarrë nga furia e ujit dhe baltës së Rio Caurinziano (një degë e lumit Zeno), në fshatin Botteghino di Zocca, shkruan “La Repubblica”.
Farinelli ishte regjistruar në vitin e parë në Akademinë e Arteve të Bukura, në fakt sapo kishte kaluar procesin e përzgjedhjes së pranimit, pasi kishte mbaruar shkollën artistike “Arcangeli” në Bolonja.
Ai ishte i njohur në Ozzano dhe miqtë e tij flasin për një djalë që merrej edhe me punë sociale. Dy vëllezërit po shkonin për të vizituar nënën e tyre që jeton në Pianoro.
Por makina u tërhoq nga uji i rrëmbyeshëm pak pas orës 20:00 dhe u gjet mëngjesin e sotëm (të dielën 20 tetor), me trupin ende brenda, nga helikopteri i zjarrfikësve që po kërkonte zonën.
Lajmi kryesor:
Moti i keq ‘paralizon’ Italinë! Një 20-vjeçar humb jetën në Bolonja, 2100 persona të evakuuar! Në alarm pothuajse të gjitha rajonet (VIDEO)
A.Q/ReportTv.al