Në fshatin Tarazh në Mirditë ka pasur dëme të mëdha nga reshjet e dendura të shiut. Disa banesa janë përmbytur, si edhe toka bujqësore, ndërsa ka dëme edhe në infrastrukturë, Kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, si edhe kryetari fshatit Tarazh, Simon Molla kërkojnë fonde nga shteti.
“Që në orët e para të mëngjesit jemi në terren. Ka disa banesa te përmbytura. Lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme për banorët e fshatit Tarazh dhe disa lagje të qytetit të Rrëshenit. Janë shkatërruar rrugë dhe ura që janë jetike për lëvizjen e banorëve. Bashkia po monitoron situatën dhe po bën planet e ndërhyrjes. Dëmet e shkaktuara nga moti i keq janë të shumta, sidomos për rrugët dhe urat kërkojnë ndihmën, mbështetjen financiare të qeverisë për ti riparuar”, tha Mëlyshi.
“Janë bërë dëmtime të mëdha, si në infrastrukturë, edhe banesa në vresht, në gjënë e gjallë. Dhe në shumë objekte të tjera, rrugë, ura, ndërtesa të gjitha janë dëmtuar nga shirat e kohëve të fundit, vazhdon të bie shi dhe është problem. I bëj thirrje shtetit të ndërhyrja sa më parë pasi gjendja do të përkeqësohet nëse nuk vihet dorë për ta nxjerr nga situata fshatin”, u shpreh Molla.
Qytetarët thonë se kanë pasur dëme të mëdha si në të mbjella, por edhe në banesa.
“Të mbjellat janë dëmtuar të gjitha, kam 1 ha grurë, na është dëmtuar komplet. Kishte ndodh por jo kaq, ura është përmbytur disa herë. Kemi problem rrugën, na ka lënë mbetje, fëmijët i kemi pa shkollë.
Dëme boll, sidomos nga e blegtorisë, perimeve, kam një dyqan të vogël, na ka hy uji komplet. Dëme njerëz nuk ka, kjo ka rëndësi, unë jam emigrant ka vite. Ka pas por jo kaq shumë. Ura nuk rregullohet më”, shprehen qytetarët.
Lajmi kryesor:
Mirditë/ Përroi Zmeja del nga shtrati, përmbyten disa banesa, dëme edhe në bujqësi e rrugë! Kryebashkiaku: Duam ndihmë nga qeveria
SI.E.//ReportTv.al