Lufta me zjarret në Shqipëri

Kronikë

Përmirësohet situata nga zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 3 vatra aktive gjatë 24 orëve të fundit, 6 mbahen nën monitorim

15 Gusht, 10:13| Përditesimi: 15 Gusht, 12:18

  • Share

Situata me zjarret është përmirësuar ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit. Ministria e Mbrojtjes informon se nga 28 vatra zjarri në total, vetëm 3 janë aktive. Ndërsa 6 të tjera po mbahen nën monitorim.

Situata u përmirësua edhe falë rënies së temperaturave dhe reshjeve të shiut që ranë pasditen e së enjtes në zona të caktuara, duke kontribuar në fikjen e vatrave.

Aktualisht po punohet me intensitet në këto zona:

* Tërnovë (Bashkia Bulqizë) – Zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër Bulqizë. Në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 4 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 3 forca policore, të mbështetur nga FA me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Po punohet për izolimin e zjarrit.

* Xath (Bashkia Fushë-Arrëz) – Vijon puna për izolimin e zjarrit me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Intensiteti i flakëve është ulur, por puna për shuarjen vazhdon.

* Velë (Bashkia Mirditë) – Zjarr në një masiv me pisha, me rreth 6.5 ha të përshkruara nga flakët. Në terren janë 3 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH të bashkisë Mirditë, 12 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 2 forca policore dhe 6 forca ushtarake. Po punohet për shuarjen e plotë të zjarrit.

Vatrat nën monitorim janë:

* Mali me Gropa – Bizë (Bashkia Bulqizë) – Zjarri zhvillohet në zonë shkëmbore, pa rrezik. Angazhuar 2 forca AdZM dhe 5 vullnetarë.

* Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Rehovë (Bashkia Poliçan) – Vatra nën kontroll nga ndërhyrja e forcave, 2 helikopterëve, ndihmuar edhe nga reshjet e shiut.

* Velçan (Bashkia Berat) – Situata nën kontroll pas ndërhyrjes së 25 efektivëve MZSH, 2 helikopterëve dhe favorizuar nga reshjet e shiut.

* Mali i Bërzhitës, Ibë (Bashkia Tiranë) – Vatra nën kontroll nga 3 automjete zjarrfikëse, 5 forca APR dhe policia.

* Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Bashkia Tiranë) – Nën kontroll pas ndërhyrjes së MZSH, APR dhe Policisë.

* Ferraj dhe Zall-Herr (Bashkia Tiranë) – Intensitet i ulët, nën kontroll dhe pa rrezik për banesat.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të Forcave tw Armatosura. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Çekia, Sllovakia, dhe 1 avion Canadair nga Italia.

 

Ora 12:14
Korçë/ Nën kontroll vatra e zjarrit pranë Parkut Natyror të Gërmenjës, terreni i vështirë për shkak të zonës me municione

Në qarkun e Korçës aktualisht ka vetëm 1 vatër zjarri aktive, ajo pranë Parkut Natyror të Gërmenjës. Situata sot është më e qetë, por ende ka prezencë aktive të zjarrit. Prefektura e Korçës thotë se në terren janë prezente 40 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës. 

Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione. 

Prefektura njofton gjithashtu se ;po punohet prej katër ditësh për hapjen e rrugës dhe krijimin e brezave kundër zjarrit, në mënyrë që të mbahet në monitorim situata për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur. Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet.

Ora 12:05
Vijon zjarri në Kurorë Dardhë të Fushë Arrëzit, prej mëngjesit po operohet me helikopter nga ajri

1755252397_zjarrinefushearrez.JPG

Vijojnë ende aktive vatrat e zjarrit në Kurorë Dardhë të Fushë Arrëzit.

Që prej mëngjesit të sotëm, është ndërhyrë nga ajri me një helikopter.

Ora 10:07
Vijon zjarri në masivin pyjor të Velës në Mirditë, nuk ka rrezik për zonat e banuara

1755245491_lezhe.jpg

Zjarri i rënë prej pasdites të së enjtes në masivin pyjor të Velës në Mirditë, vijon të jetë aktiv.

Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e tjera të emergjencave të Mirditës dhe të Matit vijojnë të jenë në terren, ndërsa aktualisht është shmangur rreziku për zonën e banuar.

Situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm dhe forcat në terren po punojnë për shuarjen e plotë të këtij zjarri.

Ora 09:16
Vazhdon zjarri në Parkun e Gërmenjës në Korçë, por situata paraqitet nën kontroll

1755242357_vatratezjarritnparkunegrmenjsnkor.jpg

Në Parkun Kombëtar të Gërmenjës në Korçë vijon të ketë ende vatra zjarri. Megjithatë situata paraqitet më e qetë dhe është nën kontroll.

Vatrat e zjarrit janë të shpërndara mes territorit shqiptar dhe atij grek.

Në terren sot janë organizuar rreth 40 forca nga zjarrfikësja, Zonat e Mbrojtura, Policia, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë.

Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur. Një tjetër rrezik janë edhe municionet që gjenden në tokë mes kufirit shqiptaro-grek.

Po punohet prej tre ditësh edhe për hapjen e rrugës dhe krijimin e brezave kundër zjarrit, në mënyrë që të mbahet në monitorim situata për të penguar sa më shumë depërtimin e flakëve brenda kurorës zonë të mbrojtur.

Për situatën, autoritetet shqiptare vijojnë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me homologët grekë.

V.GJ /Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?