Sociale

Përmirësohet situata pas reshjeve të borës dhe erës! Rrugët kombëtare të gjitha të kalueshme! Vazhdon pezullimi i mësimit në disa zona

14 Janar, 11:40| Përditesimi: 14 Janar, 15:30

  • Share

Pas dy ditësh u hap sot bypass i Qafë Murrizit në Rrugën e Arbrit, siç shihet në pamjet që sjell Report TV. Lëvizja nga Tirana në Dibër kryhet me goma dimërore por këshillohet pajisja me zinxhirë, pasi era grumbullon dëborën në rrugë dhe mund të nevojitet përdorimi i tyre. Për shkak të ngricave, akset nacionale që lidhin Peshkopinë me Kukësin dhe Librazhdin janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Rrugët kombëtare janë të hapura, por jo ato rurale ku dëbora shkon deri në 1 metër. Vazhdojnë të mbeten në izolim fshatrat e Dibrës, Maqellarë, Melan, Luzni, Muhurr,  Kalaja e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.

Në bashkinë Bulqizë të bllokuar kane mbetur banorët e Ostrenit, Zerqanit, Trebisht, Klenjë, Gjoricë. Në bashkinë Klos, fshatrat Gurë dhe Xibër. Në Mat të izoluar janë Komsia dhe Macukulli, - tha Çako. Shkollat në këto zona vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa ka dhe mungesë të energjisë elektrike.

Edhe në Kukës, reshjet e dëborës kanë ndaluar dhe energjia është rikthyer në disa zona, por problem mbeten fshatrat e thellë, të cilat nuk kanë komunikim me rrugët nacionale. Ndërkohë sot mbetet i pezulluar mësimi në 37 shkolla.

Të izoluar janë banorët e njësive administrative Arrën, Grykë Cajë, Surroj dhe Cahan, Xhebexhi në Has.  Në bashkinë Krujë ende nuk është hapur rruga e fshatrave Shkretë dhe Cudhi. Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar njësia vendore Iballë.

Qarkun e Korçës gjatë ditës së sotme s’ka reshje dëbore por temperaturat kanë zbritur në -7 gradë. Të gjitha akset nacionale janë të kalueshme, ndërsa vazhdon kriposja e tyre. Ka ende probleme me energjinë në disa zona, ndërsa sa i përket rrugëve të fshatrave bëhet me dije se janë të bllokuara nga dëbora, fshati Mirasi i Devollit dhe fshatrat e Pogradecit, Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë”, tha Çako.

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako tha se po përmirësohet situata në Vlorë, e cila u përmbyt dy ditë më parë. Forcat e Armatosura me pompa thithëse, ekskavatorë, kamionë po punojnë për pastrimin e kanaleve e mbetjeve nëpër rrugë.

Ora 17:06
Moti i keq/ Rinis nesër mësimi në 37 shkollat e qarkut të Kukësit, probleme me energjinë! Ja akset e pakalueshme (VIDEO)

 

Pamje nga Kukësi pas dëborës së fundit

Në bashkinë e Kukësit reshjet e borës, të shoqëruara edhe me erë të fortë, në tre ditët e fundit kanë shkaktuar disa vështirësi në qarkullim në rrugët rurale, deri në bllokim dhe mungesë të energjisë elektrike.

Orët e vona të pasdites së sotme Zyra Arsimore Kukës ka marrë vendimin edhe për rinisjen e mësimit të pezulluar në 37 shkolla, pas konsultimit me autoritetet vendore, emergjencave dhe njësive administrative.

Agron Gesi, prefekt i Qarkut dhe Elson Brati, drejtori i OSHEE Kukës shpjegojnë situatën dhe masat e marra nga ana e autoriteteve dhe shtabit të emergjencave. 

Sipas Drejtorit ZVAP Kukës, Kreshnik Gërbolli, pezullimi ishte bërë në 37 shkolla. Ai shpjegon edhe gjendjen në zonat rurale dhe urbane për shkak të temperaturave të ulëta, mungesës së ngrohjes dhe energjisë, teksa përmirësimi i situatës pasdite çoi në ndryshimin e këtij vendimi.

Sipas Shtabit të Emergjencave Civile të Bashkisë, deri më tani është bërë e mundur hapja e disa rrugëve si lagje e re Kukës, fshatrat Bardhoc 1 dhe Bardhoc 2, fshatrat Shishatvec dhe Novosej, Ura Koloshit-Zapod, fshatrat Mustafaj, Bushat, Kolesjan, Gabrricë. 

Gazetari i Report TV, Benet Beqiri, informon se po ashtu janë hapur të gjitha rrugët e fshatrave të njësisë administrative Shtiqën. Aktualisht borëpastrueset dhe fadromat janë në terren, nga ku po punohet për pastrimin e rrugëve nga bora në të gjithë njësitë e tjera administrative. Sipas Emergjencave Civile pothuajse gjitha rrugët janë bërë të kalueshme me pajisje dimërore përveç rrugës që lidh njësinë Arrën, Grykë Cajë, Surroj me rrugën nacionale.

Bashkia u bën apel qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe drejtuesit e automjeteve të pajisen me zinxhirë ose vendosjen e gomave dimërore në akset rurale ku ka problematikë. I gjithë Kukësi furnizohet me energji elektrike përveç 12 abonentë të fshatit Turaj, njësia Topojan.

Sa i përket Bashkisë Has, të gjitha rrugët janë të kalueshme me pajisje dimërore, përveç rrugëve të  fshatrave Cahan, Xhebexhi të bashkisë Has. Në Tropojë, mungesë energjie ka në njësinë Tropojë e Llugaj. Në shkallë qarku gjitha akset rrugore nacionale janë janë të qarkullueshme. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre.

Kurse në orët e vona të pasdites, Zyra vendore Arsimore e Kukësit njoftoi se, sipas konfirmimeve të marra nga drejtuesit e shkollave, administratorët e njësive administrative, por edhe nga Shtabi i Emergjencave në Prefekturën Kukës, ‘nesër rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat ku mësimi ishte ndërprerë për shkak të motit’.
 

Ora 13:34
Reshjet e dëborës, qarkullimi i mjeteve në rrugën e Kishës së Laçit kryhet me vështirësi

 

Përmirësimi i kushteve atmosferike, nuk e ka zgjidhur problematikën në rrugen e kishës së “Shna Ndout” në Laç, e cila vijon të ketë prezencë dëbore, pasi nuk është pastruar.

Megjithëse kjo është ditë e martë dhe besimtarë të shumtë udhëtojnë drejt kishës së ‘Shna Ndout’, lëvizja kryhet me vështirësi.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara vendoret e Kurbinit nuk kanë arritur ende të  nevojshme ndërhyrjen – që lejon pelegrinët (besimtarët) të kryejnë peligrinazhin e tyre, informon gazetari i Report Tv dhe Shqiptarja.com, Elvis Hila.

Ora 12:05
Si paraqitet situata në vend pas përmirësimit të motit! Ja cilat rrugë vijojnë të jenë ende të bllokuara

Bazuar në informacionet e dërguara në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, situata deri në orët e para të ditës paraqitet relativisht e qetë, krahasuar me ditët që lamë pas.

Nga raportimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ditën e sotme  të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme.

Në bashkinë Dibër ka problematika në  rrugët rurale në disa fshatra të njësive Maqellare, Melan, Luzni, Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.

Në bashkinë Bulqizë: Janë të bllokuara rrugët  rurale  të njësive administrative Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë, Zerqan dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar.

Në bashkinë Klos: janë të bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër.

Në bashkinë Mat janë të bllokuara 2 fshatra në njësinë administrative  Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull.

Në bashkinë Krujë po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë.

Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar rruga me njësinë administrative Iballë me fshatrat e saj.

Në Bashkinë Devoll vijon puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat Miras.

Në bashkinë Pogradec po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë.

Në bashkinë Has po punohet për hapjen e rrugës që lidh njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan dhe Xhebexhi.

Vijojnë angazhimin për normalizimin e situatës  në Vlorë, prej tashmë tre ditësh Forcat e Armatosura me 7 pompa thithëse dhe 15 mjete të kalueshmërisë së lartë, ekskavatorë, kamionë vetëshkarkues  etj.

Sipas parashikimit të motit në ditët në vazhdim nuk do ketë prezencë të reshjeve të shiut apo të borës në të gjithë vendin. Temperaturat do vijojnë të ulen, ku në veri të vendit do të shkojë në -11 gradë celsius.

Janë në gatishmëri të plotë të gjitha kapacitetet në nivel qendror dhe vendor të sistemit të mbrojtjes civile për përballimin e çdo situate që mund të shkaktohet nga kushtet e motit.

Ora 11:43
Dy ditë e bllokuar nga bora, hapet 'Rruga e Arbrit'! Mjetet duhet të lëvizin me goma dimërore ose zinxhirë

Dibër-Pas uljes së intensitetit të reshjeve të dëborës, gjatë orëve të mesnatës është bërë e mundur hapja e hapja e bajpasit të Qafë Murrizit në rrugën e Arbrit, teksa vazhdon të ketë probleme nga era e fortë në segmentin Fushë Bulqizë deri në Planin e Bardhë.

Megjithatë aksi është bërë i kalueshëm plotësisht dhe për mbajtjen nën kontroll po punojnë 4 mjete borëpastruese.

Akset Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi -Librazhd janë të kalueshme me zinxhirë. Kompanitë kontraktore kanë bërë hapjen dhe kriposjen e rrugëve.

Firmat kontraktore kanë hapur rrugët e brendshme të qyteteve, rrugët që lidhin qendrat e njësive Administrative dhe po punojnë për hapjen e fshatrave.

Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe ka segmente ku ka prezencë të dëborës dhe akullit në rrugë, ndaj policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të jenë të kujdesshëm, të evitojnë lëvizjet e panevojshme, të reduktojnë shpejtësinë dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët.

Gjatë natës nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore apo civile.

Shkollat e qytetit dhe të zonave të afërta janë hapur dhe vijon mësimi, ndërsa në zonat e thella vijojnë të jenë të mbyllura edhe ditën e sotme, deri në një njoftim të dytë.

Nga gruper e OSHE janë riparuar defektet në njësitë ku ka pasur probleme, momentalisht ka mungesë energjie në disa fshatra të Ostrenit, Trebishtit dhe Lisit në Mat.

Ora 09:09
Përmirësohet situata e motit në Lezhë! Rikthehet energjia elektrike dhe rinis procesi mësimor

Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës është përmirësuar. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, që prej mbrëmjes të së hënës (13 janar) intensiteti i erës ka rënë në mesatare, duke ju dhënë mundësi strukturave në terren që të veprojnë në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara.

Në pjesën më të madhe të territorit të Qarkut është bërë e mundur rikthimi i energjisë elektrike, ndërsa grupet e punës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë vijojnë të jenë sërish në terren për të riparuar defektet në zonat ku vijon të ketë probleme, kryesisht në fshatrat e Zadrimës dhe Bregut të Matës.

Në të njëjtën kohë po punohet për pastrimin e mbeturinave të sjella nga era në Lezhë, Laç dhe Rrëshen.

Po ashtu raportohet se këtë të martë, 14 janar ka rinisur dhe procesi mësimor në shkollat ku u pezullua mësimi një ditë më parë, ndërsa bëhet me dije se është siguruar ngrohja në të gjitha insitucionet arsimore.

Në zonat e thella malore të Bashkisë Mirditë, Njësitë Administrative Fan dhe Selitë vijon të ketë prezence dëbore e shoqëruar me ngrica, por nuk raportohet për akse rrugore të bllokuara.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?