Përplasi foshnjën dhe prindërit te rruga Kavajës, i afërmi i çiftit: 48-vjeçari është rikthyer sërish në reanimacion! Një mesazh për të gjithë shqiptarët

10 Maj 2022, 18:59| Përditesimi: 10 Maj 2022, 19:20

  • Share

TIRANË- Arjan Konomi, 48-vjeçari i cili u përplas 2 ditë më parë nga G-Class-i, është rifutur në reanimacion. I afërmi i tyre, Elvis Toçi në një intervistë për "Studio Live" me gazetarin Arbër Hitaj, tha se gjendja e Konomit nuk është përkeqësuar, por ka qenë vendimi i mjekëve për ta rifutur në reanimacion për të qenë të të sigurt.

"Sot situata e Arjanit, rekomanduan që të kthehet në reanimacion, për të qenë më të sigurt, Vilma është në gjendje më stabël, duhet 72 orë nga aksidenti i atyre përmasave, lutemi për to. Ajo goditje natyrisht edhe koha do të tregojë, është vendimtare për ta, shpresojmë dhe lutemi që risku për jetë të ketë kaluar, themi që e ka kaluar, por duhet një kohë e gjatë për rikuperim total", tha Toçi.

Ndërkohë, zonja, Vilma është nën kujdesin e mjekëve, tha Toçi. Gjëja më e bukur në këtë histori është se fëmija nuk ka marrë asnjë lëndim, teksa ai ka treguar edhe veprimin heroik që ka bërë nana dhe babai për të shpëtuar fëmijën.

"Lajmi më i mirë, nuk e di ç'ka bërë Zoti që një fëmijë të rrokulliset në asfalt, Zoti ka bërë mrekulli. Kanë shtyrë karrocën, fati është që fëmija është mirë. Çdo nënë, ka thënë "ku është vajza", Vilma është në terapi, qetësues", tha Toçi.

Në këtë ngjarje e cila ka tronditur opinionin publik, Toçi ka pasur një falenderim për të gjithë shqiptarët të cilët janë interesuar për shëndetin e çiftit dhe fëmijës.

"Është një histori që nuk ka fjalë dhe një faleminderit në emër të familjes për të gjithë shqiptarët që janë interesuar për shëndetin", tha Toçi në Report Tv.

Ajas Sulejmani, me G-CLASS-in e tij të zi kaloi me semafor të kuq dhe përplasi çiftin Vilma dhe Arjan Konomi në viza të bardha teksa me vete kishin edhe një foshnje 3 muajshe, e cila shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim. Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi paraqitet e qëndrueshme, ndërsa kanë dalë tashmë nga trajtimi intensiv.

Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?