Përplasja mes tifozëve në "Arenën e Demave" para derbit Partizani 1-1 Tirana ka sjellë edhe reagimin e klubit të kuq, që ishte edhe organizator. "Demat" shpjegojnë se kanë kërkuar disa herë takim para derbit me Drejtorinë e Policisë të Komisariatit numër 4 në Tiranë, duke qenë se kjo ishte hera e parë që sfida luhej në këtë impiant, por diçka e tillë është refuzuar në "mënyrë arrogante".
Veç saj, Partizani shprehet se sjellja e disa drejtuesve dëmton reputacionin e Policisë së Shtetit, pasi ndeshja fillimisht nuk u mor përsipër nga ata. Hetim për përgjegjësit e kësaj situate, këtë kërkon klubi i kuq. Kujtojmë se një efektiv policie mbeti i plagosur dhe u desh të dërgohej në spital për mjekin, teksa u ndaluan dy tifozë të Partizanit.
Reagimi i plotë:
FK Partizani dënon me forcë incidentet e ndodhura sot në derbin e zhvilluar në Arena e Demave, incidente që mund të ishin shmangur nëse strukturat përgjegjëse do të kishin vepruar me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.
Që prej datës 3 shkurt 2025, përfaqësuesit e klubit tonë kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur takim me Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe Komisariatin nr. 4, për të bashkëpunuar dhe koordinuar organizimin e derbit në këtë stadium, duke qenë se ishte hera e parë që ky takim zhvillohej në këtë arenë. Me keqardhje, jo vetëm që drejtuesit e këtyre institucioneve refuzuan të takoheshin me ne, por me një arrogancë të pashpjegueshme deklaruan se nuk e marrin përsipër sigurimin e këtij eventi, duke kërkuar të mos kontaktohen më për këtë çështje.
Gjithashtu, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me Federatën Shqiptare të Futbollit, me qëllim që ky takim të zhvillohej normalisht, duke përfshirë të dyja tifozeritë në stadium. FSHF na ka konfirmuar zhvillimin e ndeshjes dhe ka kërkuar nga ne të marrim masat përkatëse në kuadër të përgjegjësive që ka një klub futbolli, të cilat i kemi respektuar maksimalisht.
Sot, si pasojë e së njëjtës mendësi të papërgjejgjshme dhe arrogante, Policia e Shtetit mbërriti me vonesë në takim, duke krijuar një boshllëk sigurie, i cili bëri që përplasjet mes dy tifozerive të transferoheshin brenda në stadium. Pamjet e shëmtuara të dhunës, të ndodhura para fillimit të takimit, janë një pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së koordinimit, bashkëpunimit dhe gatishmërisë nga ana e Policisë.
Si rezultat, me keqardhje konstatojmë se disa tifozë dhe efektivë policie u lënduan, një situatë që mund të ishte shmangur plotësisht nëse përgjegjësit e rendit do të kishin kryer detyrën e tyre me seriozitetin dhe përkushtimin që kërkon një event i tillë. Kjo sjellje e disa drejtuesve të papërgjegjshëm në Policinë e Shtetit dëmton reputacionin e këtij institucioni dhe cenon besimin e qytetarëve tek forcat e rendit.
FK Partizani kërkon një hetim të plotë dhe përgjegjësi konkrete për dështimet e sotme, si dhe një rishikim të qasjes së Policisë ndaj organizimit të eventeve sportive, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më. Klubi ynë ka qenë dhe do të mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjeve.
FK PARTIZANI
Lajmi kryesor:
Partizani dhe Tirana barazojnë 1-1! Derbi nisi me sherr në tribuna dhe u mbyll me dhunë e shtatë kartona të kuq në fushë! Fitojnë Egnatia e Vllaznia, dorëhiqet Nevil Dede
S.Dh/ReportTv.al
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)