Disa ditë pas debatit të tij publik me Donald Trump, të cilin bota e ndoqi me shumë interes, Elon Musk ka deklaruar sot se i vjen keq për disa nga "fjalët e ashpra" që shkroi në mediat sociale për presidentin e SHBA-së.
Në një postim në rrjetin social X, miliarderi shkroi: “Pendohem për disa nga postimet e mia për Trump javën e kaluar. Shkova shumë larg.”
Musk dhe Trump, të cilët shiheshin si aleatë të ngushtë që nga zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2024, u përfshinë pak ditë më parë në një shkëmbim akuzash dhe kërcënimesh lidhur me kontratat qeveritare të revokuara dhe thirrjet për shkarkim, pasi njeriu më i pasur në botë kritikoi projektligjin e ri gjithëpërfshirës për taksat.
Musk dha dorëheqjen si drejtues i agjencisë federale të diskutueshme DOGE, e krijuar për të reduktuar shpenzimet e qeverisë amerikane. Ai argumentoi se projektligji i ri për shpenzimet do të rrisë ndjeshëm borxhin kombëtar të SHBA-së, një deklaratë që shkaktoi zhgënjim te presidenti, i cili e quajti kritikën e Musk “shumë zhgënjyese”.
Më pas, Musk shpërtheu në rrjetin e tij social X, duke bërë një sërë reagimesh kundër Trump. Mes të tjerash, ai e akuzoi presidentin amerikan se emri i tij ndodhej në “dosjet Epstein” dhe se kjo është arsyeja pse nuk ishin bërë publike.
Postimi i Elon Musk
Komente
