Sociale
Drejt Punës

Personazh/ Thëllëza Rakipi, gruaja që ruan me vështirësi traditën e zejtarisë: Kam 35 vite që bëj kazanë rakie! S’ka punë, zjarret dogjën vreshtat

11 Tetor, 15:52| Përditesimi: 11 Tetor, 19:41

  • Share

Në oborrin e shtëpisë, në fshatin Rusan të Delvinës, metalet marrin formë nga duart e një gruaje që e ka kthyer mjeshtërinë në mënyrë jetese.  Eshtë Thëllëza Rakipi, e cila bashkë me te shoqin bejne kazanë rakie dhe saç per pjekje.

Në oborr, rreshtohen kazanë të rinj që presin blerësit. Sakaq, Thëllëza tregon për Report TV se zanatin e ka trashëguar nga babai i saj. 

“Nga babai e kam mësuar këtë punë, nga ai e mësoi edhe burri im. Kur e shikoja, më dukej e vështirë, pastaj provova edhe vetë. Burri bën kazanët, unë i kallais dhe punoj me të gjithë familjen”, tha ajo.

Prej 35 vitesh, çifti delvinjot ka mbajtur familjen me të ardhurat nga shitja e këtyre produkteve. Por këtë vit, puna është vështirësuar për shkak të zjarreve qe shkrumbuan vreshtat e rrushit ne Delvine.

“Zakonisht në gusht fillojmë punën për kazanet e rakisë, sepse nga shtatori e tetori fillon vjelja e rrushit. Por këtë vit s’ka porosi, s’ka lekë. Zjarret kanë djegur gjithçka. Punojmë, por mezi shesim ndonjë kazan,” tregon Thëllëza.

Një kazan rakie kërkon tre ditë punë — prerje, ngjitje, saldim, kallaisje. Edhe pse puna është e lodhshme, fitimi mbetet i ulët.

 

Ndërsa nje saç për pjekje kushton 5 mijë lekë, por kërkesa është gjithnjë e më e rrallë.

“Vetëm pleqtë i blejnë. Të rinjtë s’janë më këtu, kanë ikur jashtë. Ata që gatuajnë me zjarr janë pak.”

 

Thëllëza dhe i shoqi punojnë me shpresën se një ditë dikush do të ndalojë për t’i parë, ndoshta për t’i blerë produktet e tyre e bera me mjeshtri e pasion.

“Kjo është jeta jonë,” thotë ajo. “Nuk ka punë tjetër. Kjo është buka e fëmijëve tanë.”

 

Mungesa e tregut por dhe e mbështetjes nga shteti po çon drejt shuarjes zejtarinë ne Delvine, edhe pse perfaqeson nje trashëgimi të rrallë të kesaj treve.

R.D/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?