Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar gur të çmuar në një gjerdan veprash projektin e ri për teatrin kombëtar. Duke kujtuar se qysh prej periudhës kur ishte ministër kulture i kishte shpallur luftë asaj godine të vjetër, Rama tha se edhe pse shumë vonë, me këtë projekt Tirana ka kapërcyer pritshmëritë. Tirana tashmë ka gur të çmuar në një gjerdan veprash që e kanë shndërruar metropolin, theksoi Rama.
Rama u shpreh se edhe pse e kishte të vështirë, arriti të kuptonte revoltën e komunitetit të teatrit ku tha se për shkak të kohëve dhe premtimeve të pambajtura u pajtuan me një realitet që i përkonte asaj kohe.
“Ndërkohë që kur po prisnim aty jashtë dhe erdhi arkitekti, i thashë, “nuk besoj se në jetën tënde ke pasur ose do kesh më një inaugurim me polici që rrethon vendin e fillimit të punimeve”. Ndërkohë, ajo që ka rëndësi dhe që është e bukura e kësaj skene është që prefektin e “Koncertit të Vitin ’36” e kemi këtu me ne, nuk është në anën e atyre që donin të prishnin koncertin. Nuk kemi çfarë bëjmë, kjo është historia bashkëkohore e zhvillimit të këtij vendi.
Ndërkohë që e kam menduar shpeshherë pse komuniteti i teatrit, duke i lënë mënjanë ata të cilët teatrin, stadiumin apo sheshin Skëndërbej apo të gjitha veprat e tjera i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës, por pse komuniteti i teatrit? Pavarësisht bindjeve, simpative normale që protagonistët e komunitetit i kanë të ndryshme kur vjen puna tek politika, kishin një mosbesim, thuajse konsensual lidhur me këtë proces edhe lidhur me dëshirën dhe vullnetin, bashkë me ambicien nuk diskutohet, për të ndërtuar më në fund, një teatër të denjë për këtë emër si Teatër Kombëtar!
Mbase nuk arrij dot t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje në mënyrë shteruese, por besoj që një nga arsyet ishte që për shumë kohë, për shumë, shumë kohë, komuniteti i Teatrit Kombëtar u pajtua, në pamundësi për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve, me inercinë e të jetuarit dhe të punuarit në kushtet shumë të vështira që kishte infrastruktura e mëparshme e Teatrit dhe dekada e dekada të tëra kaluar me premtime, me zotime, por asnjëherë nuk u bë mbarë askush që vërtetë t’i hynte seriozisht punës për të ndërtuar një Teatër të ri Kombëtar.
Më vjen mirë që më në fund të gjitha këto u fashitën. Patjetër që nuk e heq veten mënjanë sepse besoj që uniteti i krijuar mes aktorëve lidhej edhe me faktin që unë ia kisha shpallur luftën asaj godine qysh në vitin 1998 kur u bëra ministër kulture dhe kaloi shumë kohë, kaloi shumë kohë, kur mendon që nga ’98 deri më sot mund të ishin hedhur hapat e nevojshëm dhe mund ta kishim Teatrin Kombëtar shumë kohë më parë, realisht ka kaluar shumë kohë, por nga ana tjetër, besoj që për hir të vërtetës, nuk do të kishim pasur këtë projekt që kemi sot. Mund të kishim pasur patjetër një Teatër Kombëtar të mirë, modern, me kushte optimale për komunitetin, qoftë të aktorëve e qoftë të spektatorëve, por nuk do të kishim arritur në këtë projekt.
Ky projekt shkon përtej një Teatri Kombëtar të mirë për Shqipërinë. Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet europian ku ndodhin dhe bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të të tjerëve”- tha Rama.
Lajmi kryesor:
Përurimi i punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, do quhet 'Zemra e Tiranës', Rama: Gur i çmuar, do organizohen aktivitete ndërkombëtare
G.MO//ReportTv.al