Përurimi i godinës së re të Konsullatës Greke në Korçë

Politikë

Përurohet godina e Konsullatës Greke në Korçë, Hasani: Moment i rëndësishëm! Gerapetritis: Politika e kufijve i takon të shkuarës, prioritet minoriteti

7 Korrik, 15:00| Përditesimi: 7 Korrik, 15:32

  • Share

Korçë- Përurohet godina e re e Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Korçë.

Në ceremoni morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, homologu i tij grek, Georgios Gerapetritis, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, autoriteteve qendrore dhe vendore, ku nuk mungoi as eurodeputeti grek, ish-kryebashkiaku i Himarës i dënuar për korrupsion zgjedhor, Fredi Beleri.

Në fjalën e tij, ministri Hasani theksoi se ky zhvillim pasqyron përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe një investim me shumë vlera, përveçse diplomatike.

“Ky është një hap konkret në forcimin e pranisë konsullore të Greqisë në Shqipëri dhe një shenjë e qartë e vullnetit tonë për të ndërtuar një marrëdhënie më të hapur dhe konstruktive – të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe dialog të rregullt. Kjo ngjarje vjen në një moment me rëndësi për partneritetin tonë strategjik si fqinj dhe aleatë në NATO, në një rajon që ka nevojë për stabilitet dhe koordinim të qëndrueshëm”, tha Hasani.

Duke vlerësuar mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, ai theksoi se:

“Greqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë – jo vetëm për shkak të historisë dhe lidhjeve mes dy vendeve, por edhe për mundësitë konkrete që kemi për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë. Në këtë kuadër mbështetja e Greqisë për anëtarësim në BE ka qenë thelbësore, ne presim mbështetje dhe qasje pozitive  për avancimin që kemi bërë me reformat”.

Hasani nënvizoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu i rregullt janë thelbësore për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të ndërtuar besim afatgjatë.

Ministri i jashtëm grek George Gerapetritis u shpreh:

“Kjo ndërtëse ku jetoi dhe ushtroi detyrën e tij nobelisti Jorge's Seferis, ishte pronë e një shtetasi grek, që u ble nga shteti grek. Jorgo Seferis u frymëzua nga Korça, ku ushtroi detyrën e konsullit te pergjithshëm, një qytet që ka qenë pararojë e arsimit, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe greke. Vazhduese të pranisë greke janë shkolla Omiros, gjimnazi Platon dhe kurset Aristotelis tek të cilat shteti grek do të vazhdojë të investojë. Ambasadat dhe konsullatat tona janë imazhi ynë në botë. Godina e re e Konsullatës inkuadrohet në investimet për dixhitalizimin e shërbimeve. Eshtë provë për të forcuar lidhjet e minoritarëve me shtetin amë. Nga ana jonë kujdesemi të forcojmë marrëdhëniet me fqinjët”.

Ministri grek vuri theksin edhe tek stabiliteti si prioritet, ku shtoi se historitë me ndryshim kufijsh i përkasin të kaluarës dhe janë të vjetra. Por Gerapetritis theksoi se ata nuk do heqin dorë nga minoriteti grek, që i bashkon të dy vendet.

“Si vende fqinje ne u japim prioritet stabilitetit, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe shumëpalëshe të Rajonit. Politikat e ndryshimit të kufijve tani i përkasin të kaluarës. Dhe të gjitha këto janë histori të vjetra që nuk i interesojnë askujt, si shkruante Seferis. Ne nuk kemi për të bërë asnjë hap prapa në të drejtat për minoritetit grek. Prezenca juaj me Ministrinë e Jashtme ka forcuar marrëdhëniet. Minoriteti grek na bashkon dhe është një urë mirëkuptimi mes dy vendeve”, tha ai.

Godina e re e Konsullatës është e vendosur në ish-banesën e Giorgos Seferis – poet, diplomat dhe fitues i Çmimit Nobel – i cili shërbeu në këtë qytet si Konsulli i parë i Greqisë në vitet ’30.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?