I është dashur më shumë se tre orë forcave zjarrfikëse për të shuar flakët që ranë rreth orës 14:20 minuta në pallatin dhjetëkatësh në rrugën 'Sali Butka' në zonën pranë ish Parkut të Autobusëve në Tiranë. Flakët, fatmirësisht nuk shkaktuan viktima por dëmet janë të mëdha. Shumë banorë fatkeqësisht kanë humbur gjithçka, mundin e një jete.
E ndërsa zjarrfikësit vijojnë të shuajnë vatrat e mbetura 5 pyetje mbeten pa përgjigje, të cilat pritet të zbardhen nga hetimet.
1 – Ku ka nisur zjarri?
Sipas drejtorit të Zjarrfikësve Shkëlqim Hoxhaj mendohet se flakët kanë nisur nga kati i dytë, por pamjet e mbërritura në Report TV në minutat e oara tregojnë se flakët e fuqishme fillimisht kanë nisur në ballkonin e katit të fundit e cila ishte ndërtuar si papafingo në tarracë.
Megjithatë Hoxhaj tha se do të jenë hetimet që do të përcaktojnë nëse flakët kanë nisur nga kati i dytë për të vijuar lart apo kanë qenë nga lart poshtë.
"Unë kam pamje të situatës së zjarrit në fillimet e tij ka qenë në katin e dytë të objektit dhe në pjesën e tarracës, kjo ngelet për t’u parë ka ik zjarri nga kati i dytë në fasadë ose ka ndodh e kundërta" tha Goxhaj.
2- A kishte pallati impiant kundër zjarri?
Instalimi i impiantit kundër zjarrit në cdo ndërtesë është detyrim ligjor në Shqipëri. Në nenin 40 të ligjit nr 152/2015 për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin” është përcaktuar qartë se ndërtesat e çdo lloji duhet të kenë projektin teknik të sigurisë nga zjarri, të kompletojnë sistemin hidrik, sinjalizimin dhe sistemin për shuarjen e zjarrit si dhe mjete të tjera teknike për mbrojtjen nga zjarri dhe mënyrat e evakuimit të njerëzve. Po kështu parashikohet dhe përfshirja në dokumentacionin që shoqëron projektin, masat specifike të sigurisë nga zjarri, natyrën e rrezikut që mbart objekti apo ndërtesa që projektohet.
Në pikën dy të këtij neni thuhet qartë se hartuesi i projektit të mbrojtjes nga zjarri mban përgjegjësi, sipas legjislacionit në fuqi, për respektimin e dispozitave të këtij neni dhe akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji. Pastaj është shërbimi vendor i MZSH-së (Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi) miraton projektin dhe shoqëron dokumentacionin tekniko-ligjor të lejeve zhvillimore, lejeve të ndërtimit, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Moszbatimi i projektit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, ngarkon me përgjegjësi, sipas legjislacionit në fuqi, personat fizikë e juridikë që i kanë ato në pronësi ose në administrim, thuhet në pikën 1 të nenit 42 të këtij pr/ligji ndërsa në pikën 2 parashikohet që punonjësit e shërbimit të MZSH-së mbajnë përgjegjësi për lëshimin e certifikatës së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin kur nuk janë zbatuar detyrat e parashikuara në projekt.
“Çdo pallat duhet të ketë depozitë uji të paprekshme dhe sisteme tubacioni të shpërndara në cdo kat derit tek fikësja zjarrit. Sistemet e sigurisë nga zjarri janë të detyrueshme. Janë normative në funksion të pallatave” na thotë inxhinieri i ndërtimit Gëzim Beqaj.
Por çfarë ndodh në realitet
“Shumica janë fiktive dhe nuk janë me ujë” na tregon inxhinieri I ndërtimit Beqaj.
Ligji parashikon që shkeljet nuk përbëjnë vepër penale por janë përgjegjës për kundërvajtje administrative. Në rastet e shkeljeve të nenit 40, parashikohet dënim me gjobë, në masën nga 50 000 deri në 200 000 lekë; për shkelje të nenit 42 parashikohet dëni me gjobë, në masën nga 20 000 deri në 100 000 lekë.
3 - Fasada, a ka qenë e ndërtuar me material për izolim termik.
Ajo çfarë u pa ishte se flakët u përhapën me shpejtësi në fasadën e pallatit duke përshkuar thuajse të gjitha katet. Inxhinieri i ndërtimit Gëzim Beqaj në një lidhje për Report TV deklaroi se nëse fasada e pallatit që ka marrë flakë do të kishte qenë e vetëshueshme flakët nuk do të ishin përhapur.
"Çdo material ndërtimi, qoftë tulla betoni, pllakat, një karakteristikë kanë rezistencën ndaj zjarrit. Sa reziston dhe sa orë mund të rrijë pa shpërdarë zjarrin? Sa do durojë pa u djegur. Çdo shtet ka normën e vet, dhe përcakton dhe në koordimin me kohën që zjarrfikësit vijnë për të shuar flakët. Kjo normë përcaktohet me ligj, por në Shqipëri nuk është e përcaktuar saktësisht por i referohemi normave europiane. Materialet ndërtimit qoftë pjesa e brendshme qoftë pjesa e jashtme duhet të jenë rezistente ndaj zjarrit.
Projektuesi mund ta ketë parashikuar por duhet parë dhe çfarë ka ndodhur gjatë zbatimit. Në dijeninë time produktet që janë termike janë të mundshme për tu marrë në Shqipëri dhe nuk mungojnë por varet më pas nëse duan të kursehen para, pasi në varësi të cilësitë janë dhe kostot e materialeve të ndërtimit" na tregon inxhinier Gëzim Beqaj.
Nga një vështrim i jashtëm në rastin e pallatit, fasada ka qenë me Alukobond dhe sistem kapot me termoizolim me përbërje "lesh guri"
Nëse materialet do të plotësonin stadardet atëherë nuk do të bëhej shpërndarja kaq e shpejtë e flakëve dhe materiali nuk duhej të vetëdigjej’ argumenton inxhinieri.
4- A është ndërtuar pallati në mes të një insfrastrukture rrugore të përshtatshme për ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse në rast fatkeqësie?
Hetimet do të sqarojnë nëse infrastruktura rrugore dhe pallatet e shumta kanë vonuar zjarrfikëset të mbërrijnë në kohë, megjithëse policia e Tiranës u angazhua për të ndihmuar në evakuimin e banorëve si dhe për të siguruar perimetrin e sigurisë dhe krijuar lehtësira afrimit të zjarrfikësve dhe ambulancave. Gjithashtu në atë zonë u bllokua qarkullimi i mjeteve duke lejuar vetëm lëvizjen e zjarrfikëseve dhe ambulancave.
5 - Kush është origjina e zjarrit?
A ushtrohej ndonjë aktivitet i palejuar brenda pallatit që ka shkaktuar zjarrin i cili këtë herë shkaktoi vetëm dëme materiale por mund të shkaktonte dhe viktima. Burime nga zjarrfikëset bëjmë me dije se dyshimet janë që zjarri të ketë nisur në katin e fundit, aty ku ndodhet edhe duplexi, në pronësi të një doktori i cili është dhe pronari i truallit. Akoma i paqartë është shkaku, por paraprakisht dyshohet një shkëndijë elektrike të një pajisjeje elektroshtëpiake.
Policia tashmë ka përcaktuar vatrën fillestare të zjarrit dhe nesër do të vijojë hetimet me përfshirjen e ekspertëve të shërbimit zjarrfikës, atyre që kanë njohur në fushën e elektricitetit, dhe ekspertët e ndërtimit për të përcaktuar arsyet dhe shkaqet e përhapjes së shpejtë të zjarrit. Të gjitha këto dhe shumë pyetje të tjera të cilat sot janë pa përgjigje do të marrin përgjigje gjatë hetimeve.
Pallati u ndërtua nga firma "Mhillaj shpk, me pronar Tanush Mëhillaj.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)