Pianistja Etrita Ibrahimi rrëfehet për Report Tv: Ja çfarë kujtoj nga bisedat e babait me Dritëro Agollin

15 Shtator 2018, 16:16| Përditesimi: 16 Shtator 2018, 11:38

  • Share

Gjendemi në shtëpinë e kompozitorit të njohur Feihim Ibrahimi, kësaj here për të takuar vajzën e tij pianiste. Etrita Ibrahimi, për kamerën e “Report Tv” vjen për të na rrëfyer rrugëtimin e saj artistik që nga fëmijëria, marrëdhënien e saj me babanë-artist, takimet e të atit çdo mbrëmje me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë në shtëpinë e tyre, që është në njëjtin pallat me shkrimtarët, por edhe për ndikimin që ka pasur censura e sistemit komunist në formimin e saj. 

Takimet e para me pianon kanë qenë në moshën 4 vjeç me babin, edhe pse ai nuk ishte pianist. Por udhëheqja që ka bërë që ne të ishim pianist ishte një pedagoge e shkëlqyer, ajo është Nihal Gabeci ose Lali Gabeci siç e quajmë të gjithë ne. Kam jetuar me muzikën tërë jetën edhe kam përshtypjen se nuk do të bëhesha diçka tjetër. Çuditërisht kujtoj edhe momentet kur kam qenë e vogël, sepse kur jetonim tek shtëpia tjetër ishim shumë ngushtë, pianoja ishte në dhomën e gjumit edhe që e vogël unë dëgjoja tingujt e muzikës. Kam të skalitur në memorie figurën e babit të përkulur mbi piano kur ai luante dhe kur mbështetej për të shkruar kur kompozitonte. Kjo gjë ka ndodhur edhe kur erdhëm në shtëpinë që jemi tani, këtu ku jemi ka qenë studioja e tij edhe gjithmonë e gjeja ose duke kompozuar në piano ose duke shkruar.

Etrita Ibrahimi, pianiste

Unë mund të them se nuk e di nëse mund që të përjetohen edhe njëherë, jo nga unë, por edhe në familje të tjera artistësh ato që kemi përjetuar ne brenda këtyre mureve. Xhaxhi Dritëroi, sepse unë vazhdoj t’i them kështu dhe pse kanë kaluar shumë vite, ai vinte natë për natë tek ne, sepse ishin shumë miq me babin. Bënin diskutime pa fund deri në orët e vona të natës mbi letërsinë, muzikën filozofinë. Dhe shumë herë Dritëroi Agolli i thoshte babit: Do të na fusin në burg me këto që po themi, sepse mund të kishim ndonjë çimkë për regjistrim në shtëpi. Ata ishin edhe kolegë në Lidhjen e Shkrimtarëve mbi të gjitha prandaj edhe raportet e punës i kishin të ndërthura, por u puqeshin mendimet mbi artin. Gjithashtu edhe me xhaxhi Ismailin ka qenë e njëjta gjë. Kanë pasur një raport shumë solid edhe kanë bashkëpunuar për baletin që babai ka shkuar “Plaga e dhjetë e Gjergj Alisë”. Kadare ka shkruar libretin e tij... Ata ruheshin disi flas për babin, Dritëroin dhe Ismailin, sepse ua impononte edhe puna. Babai shumë vepra ka shkruar, janë interpretuar në skenë edhe të nesërmen janë censuruar. Shumë herë dilnin fjalë se babi ishte burgosur. Kemi jetuar të gjithë në një atmosferë jo të këndshme nga kjo anë.

Etrita Ibrahimi, pianiste

Etrita pasi kreu studimet e larta në Itali vendosi të rikthehej sërish në vendlindje pas 22 vitesh për shkak të të drejtave të autorit, lidhur me veprat e të atit 

Intervista e plotë

Në 1989 u largova në Itali për studime, por pas pesë viteve studime për piano si shumë shqiptarë që ikën unë isha atje edhe mbeta, por pas 22 vitesh mora vendimin, për të thënë të drejtën ishte im shoq që u bë shkak për të ardhur, se ai e shihte që unë isha në merak për veprat e babit edhe nga Roma ku unë jetoja nuk bëja dot asgjë.

Etrita Ibrahimi, pianiste

Pianistja pas shfaqjes “Sabat Mater” në ArTurbina tregon edhe peshën e madhe që kishte në skenë për 90 minuta para publikut

Sabat Mater është vepra e fundit që u luajt në skenë. Mund të them, kurorëzimi i viteve të punës që kam në opera, rreth 8 vite. Në opera kam 6 vite, kemi bërë koncerte shumë të mira, por që kanë mbetur tek koncertet. Ndërsa në Sabat Mater është një vepër që zgjat 90 minuta pa asnjë pushim. Është një vepër që e kam dashur shumë qëkur drejtoria ma besoi.

Etrita Ibrahimi, pianiste

Ndalesa e radhës për Etrita Ibrahimin do të jetë Festivali Pianodrom, por edhe “lufta” për mbrojtjen e të drejtave të autorit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?