Dekreti i sotëm i Presidentit ngre pikëpyetje për pikën 2 të tij që lidhet me ministren virtuale. Opozita e cilësoi një akt antikushtetuese. Presidenca nuk dha një shpjegim të qartë mbi bazën kushtetuese dhe ligjore të aktit të firmosur nga kreu i Shtetit.
***
“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale”. Kjo është pika e dekretit që ka krijuar jo pak pështjellim. Një sqarim nga ana e Presidencës, vetëm sa e ka shtuar mjegullën.
“Baza kushtetuese e dekretit ndodhet në rreshtin hyrës të tij”, thotë Presidenca.
Bëhet fjalë për nenin 93 dhe pikën 1 të nenit 96 të Kushtetutës.
“Neni 93 - Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.
Neni 96 - Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.
I pari flet për kompetencën e kreut të shtetit për të nxjerrë dekrete.
I dyti për kompetencën tjetër të tij për emërimin e Kryeministrit me propozim të partisë, ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend.
Në këtë rast propozimi është bërë nga Partia Socialiste, e cila siç zbulon vetë presidenca, ka përfshirë në propozim dhe atë që Presidenti ka formuluar në pikën 2 të dekretit, ushtrimin e përgjegjësisë nga Kryeministri për funksionimin e ministrit virtual.
Për këtë moment, baza ligjore e dekretit nuk ka asnjë parashikim. Përgjegjësitë e Kryeministrit parashikohen në Kushtetutë, dhe ato nuk mund të shtohen me një akt të kreut të shtetit.
Presidenca thotë se “Neni 2 i dekretit e ngarkon Kryeministrin me një funksion specifik”, por në Kushtetutë nuk ka asnjë rresht që të parashikojë se kreu i shtetit ngarkon me funksione kreun e qeverisë. Për më tepër që struktura e qeverisë miratohet nga Parlamenti.
Për situatën e krijuar reagoi edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, që e quajti qesharak dhe antikushtetues dekretin e Presidentit, duke listuar se ministër emërohet një shtetas shqiptar, që i ka mbushur 18 vjeç dhe është i aftë mendërisht, kritere që sipas tij “Diella” nuk i plotëson.
“Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar. Ushtar Bajrami po tenton ta shndërrojë Republikën në një palaçollëk, siç është ai vetë”, shkruan Bardhi në një reagim në rrjetet sociale.
Komente
