Pas seancës rekord të ditës së sotme që votoi pa diskutime programin qeverisës të PS, Partia e Lirisë bëri akuza në adresë të qeverisë dhe mazhorancës socialiste.
Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi, tha Kryeministri Edi Rama shmangu përballjen me opozitën ditën e sotme, duke lënë në mes prezantimin e programit.
“Sot kuvendi nuk miratoi dhe as mandatoi një qeveri të re por e zhyti vendin edhe më thellë në paligjshmëri, korrupsioni, krim dhe varfëri. Programi gjoja qeverisës nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete dhe as u jep përgjigje pyetjeve të përditshmërisë së shqiptarëve përse sot Shqipëria ka taksat dhe tarifat më të larta në rajon ndërkohë që kemi pagat dhe pensionet më mizerabël. Përse nuk do të jemi vend fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon? Përse do vijojë të rritet borxhi publik dhe varfëria do thellohet?
Në programin e ri qeverisës Kosova nuk përmendet në asnjë paragraf. Si është e mundur që një Kryeministër shqiptar të mandatohet për herë të 4 kur vizioni i tij politik është lufta ndaj qytetarëve dhe një strategji antikombëtare. Përse Shqipëria do vijojë të mbetet vend i pasigurt për jetën? Për këto pyetje Edi Rama nuk mund të përgjigjej sot para opozitës dhe sikundër e pamë të gjithë, me arrogancën dhe shkeljen e rëndë të Kushtetutës askush nuk mund të ketë iluzionin që në BE mund të na e garantojë në qeveri që në 12 vjet nuk arriti të garantojë ujë të pijshëm dhe që vjedh fondet e BE-së.
Edi Rama ju shmang sot përballjes me opozitën edhe për faktin se është autor i kapjes për fyti të sistemit të drejtësisë, duke e renditur Shqipërinë si të vetmin vend në Europën demokratike ku ka të burgosur politik dhe regjimi heton përndjek shantazhin dhe kërcënon këdo që i del përballë”, u shpreh Blushi.
Kreu i grupit të PL theksoi se Partia e Lirisë do t’i bashkohet mocionit të PD për të kërkuar shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Lajmi kryesor:
Penguan Ramën të prezantojë programin, PD: Të përsëritet seanca, Begaj të mos e thërrasë kabinetin për betim! Berisha: Skenar i përgatitur
V.GJ /ReportTv.al
