Autori i plagosjes së 51-vjeçarit Martin Prenga mbrëmjen e së premtes në zonën e Fanit në Mirditë, do të qëndrojë në burg.
Florian Gjoka u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi dëgjoi palët, gjyqtari Artan Hajredinaj e cilësoi të ligjishëm arrestimin e 21-vjeçarit dhe vendosi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat për veprat penale "Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë” dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".
Florian Gjoka qëlloi 5 herë me pistoletë bashkëfshatarin e tij Martin Prenga, duke e lënë të plagosur në këmbë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 mbrëmjen e së premtes në një pikë karburanti në autostradën Milot-Kukës, pranë zonës së Fanit në Mirditë.
Menjëherë pas ngjarjes, policia arriti të identifikonte autorin, duke e vënë në pranga disa orë më vonë, ndërsa u procedua penalisht dhe vëllai i tij binjak Altin Gjoka, i cili e kishte ndihmuar të largohet dhe të fshihet.
Nga hetimet rezulton se ngjarja ka ndodhur pas konflikteve të hershme që kishin pasur dy bashkëfshatarët, për motive ende të paqarta.